Opinion

2 janë zanatet në këtë vend: vrasësi dhe moralisti

Nga Tedi Blushi

E trishtueshme vrasja e një të riu për një karikues. Po aq e dhimbshme sa dhe vrasjet që kanë ndodhur për një të parë skiç. “Pse më pe shtrembër?”, mjafton që ta ngrysësh jetën në banesën e fundit. Të vrasim për një të gërvishtur makine. Për një parakalim. Të heqim qafe pse i hodhe shoqes ca fjalë në rrugë. Mund të ikësh nga kjo botë edhe pse hyre diku pa rradhë. E kanë vrarë pse nuk i ndërroi tavllën. E “zhdukën” pse nuk i la të hynte në pub. E vranë pse i solli picën me vonesë.

Në këtë vend jetojmë. Të gjithë i dimë. Ka shumë që shkruajnë bukur. Ka shumë që dinë edhe të mallkojnë llahtarisht bukur. Vrasjen nuk ngelet kush pa e dënuar. Edhe ai pogradecari që tentoi sot të vriste me kallash një adoleshent e ka ngritur pyetjen: Po si mund ta vrasësh tjetrin për një karikues? Por ja që sot pas një sherri ordiner mori kallashin të vriste shokun.

Dy zanate duket se janë më të thjeshta në këtë vend: të vrasësh dhe të bësh moral. Vrasim lehtë, gjykojmë akoma më lehtë. Ti normal që nuk je vrasës, por potencialisht je i tillë për arsyet që të tjerët kanë vrarë para teje.

Ndaj veç dhimbjes për viktimat që ikin nga kjo botë për arsye nga më banalet, duhet të pyesim veten “ç’kam bërë unë në një moment dobësie të shokut, mikut apo vëllait. Kur i kanë rënë në qafë i kam thënë ‘bjeri’ apo e kam këshilluar ‘ore prit njëherë, qetësohu, ç’po bën?’”. Nëse t’i nuk ke këshilluar njeri, ty a të ka këshilluar kush? “Letrat” e hapura në Facebook për viktimat ne “i qajmë”. Por për të gjallët a kujtohet kush?

Për vitet me rradhë kemi ushqyer mitin e “të fortit” brenda nesh. Të jem edhe unë si ai, të më “respektojnë” çunat e lagjes, të kem para pa djersë, të kem pushtet, të më kenë frikë njerëzit, mos pres në rradhë, t’i bëj “filma” policit, të kem miq deputetë e ministra. T’i kem dyert e hapura kudo. Të kem “në dorë” jetën e tjetrit. Kush më prek sedrën, e ha plumbi, thika ose grushti. Varet nga takati.

Në fakt kjo nuk është dhimbje, më shumë se sa makabritet i fytyrës sonë për të cilën as kemi bërë dhe as po bëjmë mundimin më të vogël për ta ndryshuar. Përkundrazi, i kemi vënë një make up duke “pritur” që dikush ta gërvishtë për t’ja numëruar ballit. Kjo është tragjedia e vërtetë. Dhe jo për brezin që po rritet por edhe për atë që e pamë të rritur duke na “mësuar” edhe ne si të rritemi.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm