bienalja_e_te_rinjve_faqe_19-2

Bienalja e artistëve të rinj, aplikimi deri më 15 janar

Bienalja e Artistëve të Rinj të Mesdheut dhe Europës një event multidisiplinar, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri, mes Tiranës dhe Durrësit, në datat 4-9 Maj 2017, do të sjellë së bashku më shumë se 230 artistë nga Europa dhe Mesdheu.

Mbas Italisë, Shqipëria do të jetë vendi me më shumë pjesëmarrës dhe do të përfaqësohet nga 32 artistë të gjinive të ndryshme. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar BJCEM fton të gjithë krijuesit e artit pamor, filmit, shkrimtarë, performues dhe muzikantë nga mosha 18 deri në 34 vjeç (lindur nga 1 Janari 1982), të aplikojnë në edicionin e 18-të të Bienales së Artistëve të Rinj të Mesdheut dhe Europës.

Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës në partneritet me Bashkinë e Tiranës. Driant Zeneli, drejtori artistik i bienales, e ka zhvilluar temën kryesore duke u nisur nga koncepti i “shtëpisë” bazuar në këto katër elementë: Historia, duke pasur parasysh memorien dhe historitë personale ose kolektive, qofshin këto të ngulitura në kujtesë ose të harruara gjatë kohës; Konflikti, si gjendje njerëzore ndaj hapësirës fizike ku ne bashkëjetojmë; Ëndrra si projektim i shtëpisë, si e drejta themelore e njeriut për të qenë i lirë të zgjedhë dhe të dëshirojë shtëpinë e tij fizike apo imagjinare; Dështimi, elementi që qëndron mes përpjekjeve dhe pamundësisë duke u tjetërsuar gjatë rrugës në kërkim të shtëpisë së ëndrrave.

Afati i fundit për aplikim është data 15 janar 2017, në mesnatë sipas orës italiane CEST. Aplikimi dhe pjesëmarrja në këtë event është pa pagesë. Artistët fitues do të përzgjidhen nga kuratorët. “Aplikimi juaj duhet të bazohet në temën kryesore “shtëpia”, duke u nisur edhe nga teksti i secilit kurator për fushën përkatëse, që do të zgjidhni të aplikoni. Artistet e rinj duhet të aplikojnë online duke plotësuar të dhënat në faqen zyrtare www.bjcem.org. Aplikimi duhet të dërgohet tek kuratori përkatës, në gjuhën angleze. Dokumentet që duhet ti dërgoni kuratorit përkatës janë CV, portofol, letra e motivimit dhe në varësi të çdo disiplinës kërkohet edhe një materiali specifik”, shkruan Ministria e Kulturës për aplikimin që duhet për në bienalen e artistëve të rinj.