auto_1928291435400504

Genocidi grek ndaj Çamërisë dhe roli famëkeq i misionit britanik

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-britanike ka një udhë të gjatë zhgënjimesh në dëm të tokës arbnore dhe të copëtimit të trojeve etnike shqiptare. Nuk mund ta shtrij kujtesën historike deri në shekullin 16, kur flota e britanikëve udhëtonte brigjeve të Ilirisë, por do të kujtoj ato momente kur Ulqini binte në duart e malazezëve me ndihmën e gjuajtësve britanikë apo kur Konferenca e Londrës 1913 me lordin Eduart Grey i shndërruan trojet shqiptare në copa bamirësie për fqinjët grabitqarë.

Edhe kur lufta antifashiste ishte në hapat e parë të saj, ishin britanikët e salloneve të Londrës që i lanë nacionalistët në mëshirën e fatit pa ndihma e pa mbështetje, duke u vënë në shërbim të komunistëve që u drejtuan nga serbët antishqiptarë M. Popoviç, D. Mugosha, V. Stojniç dhe V. Tempo që bënë atë që bënë dhe i dhanë shqiptarëve një orientim lindor në një kohë që fitorja e antifashistëve i takonte që Shqipëria të ishte në perëndim. E gjithë kjo ishte vepër e britanikëve që me dy standartet e tyre i krijuan dëme të mëdha shqiptarëve të njohura tashmë nën diktaturën e toleruar nga britanikët. Edhe britaniku Kim Field u bë simbol i tradhtisë në shërbim të komunistëve.

Por ajo që ka ndodhur me Çamërinë është ekskluzivisht vepër e britanikëve sa hileqarë, aq edhe të pabesë, sa të njëanshëm në favor të grekëve, aq edhe pa shpirt dhe mashtrues ndaj popullatës çame. Masakrat ndaj popullatës së pafajshme shqiptare muslimane, dëbimi dhe persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë nga vatrat e tyre stërgjyshore autoktone, nuk erdhi vetëm si pasojë e urrejtjes rracore dhe fetare të grekëve ortodoksë si e kriminelit Napoleon Zerva, por erdhi edhe si rezultat i Projektit Britanik për ta pastruar Greqinë nga minoritetet.

Historia flet me fakte se britanikët kanë qenë projektuesit dhe zbatuesit e këtij genocidi tipik që u zbatua kundër shqiptarëve të Çamërisë, kurse Napoleon Zerva ishte veçse dora kriminale e ekzekutimit të këtij plani antishqiptar. Sipas një shkrimi orgjinal me autor Gëzim Selmani që i referohet fakteve historike “Britanikët planifikuan genocidin grek kundër shqiptarëve të Çamërisë”, ai e bën të qartë se si Gjenerali Chris Ëoodhouse që ka qenë njëri prej drejtuesve kryesorë të Misionit Britanik në Greqi, është shprehur qartë për misionin e tij ushtarak në Greqi, duke e pasqyruar në kujtimet dhe raportin e tij të gjitha porositë që iu kishin dhënë britanikët andartëve grekë për të pastruar Epirin nga elementi shqiptar dhe pjesën e Selanikut nga maqedonasit. Ja si është shprehur konkretisht në kujtimet e tij gjenerali britanik që ka qenë edhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kriminelit suliot Napoleon Zerva dhe ka marrë pjesë direkte në të gjitha aksionet ushtarake që ka bërë Zerva në zonën e Epirit ku ishte vendosur edhe shtabi i tij ushtarak:
“Në Epir, Zerva ishte drastik në zgjidhjen e problemit të çamëve, (shumica e tyre kanë bashkëpunuar me armiqtë), duke i dëbuar ata nga Greqia për në Shqipëri. Me Maqedoninë (greke), Markua, së bashku me Gotis, është sjellë njësoj, duke mbledhur të gjitha mbetjet e Mikhalagas dhe Tsaush Andonit”.
Kurse në një pjesë tjetër të kujtimeve të tij, gjenerali Ëoodhouse është shprehur me notat më negative për shqiptarët e Çamërisë, duke mbështetur me bindje të plotë të gjitha veprimet kriminale që janë bërë nga paramilitarët grekë kundër shqiptarëve të Çamërisë. Në fjalët e tij nuk ka asnjë brerje ndërgjegje për krimet që ushtruan paramilitarët grekë kundër shqiptarëve, por aty shfaqet hapur përçmim, urrejtje dhe mashtrim, kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ja se çfarë mendimesh të neveritshme citohen në kujtimet e tij:
“Një pjesë e rracës çame është turke, një pjesë shqiptare dhe një pjesë greke. Në vitin 1941–43 ata bashkëpunuan me italianët duke e bërë rezistencën guerrile greke në atë zonë të vështirë. Unë asnjëherë nuk kam dëgjuar që ata të kenë rezistuar kundër ndonjë armiku. Në vitin 1944, Zerva i inkurajuar nga Misioni Aleat Britanik nën komandën time i ndoqën ata nga shtëpitë e tyre për të lehtësuar operacionet kundër armikut. Shumica e tyre u strehuan në Shqipëri ku edhe atje nuk ishin të mirëpritur. Dëbimi i tyre nga Greqia, ishte gjakësor, për shkak të frymës së gjakmarrjes që egzistonte në shpirtin e grekëve të ushqyer nga masakrat e çamëve që kishin bërë së bashku me italianët. Në Mars të vitit 1945, Zerva e ka përfunduar komplet misionin e tij kundër çamëve me një masakër të pafalshme që kanë bërë forcat e tij në Filat të drejtuara nga Zotos. Çamët e meritonin atë që morën, por metodat e tij ishin shumë të këqija, ose oficerët e tij vartës i dolën nga komanda. Rezultatet e këtyre veprimeve në dëbimin e minoriteteve të padëshirueshme nga toka e tyre, sollën një ndryshim demografik në favor të Greqisë. Ndoshta do të ishte mirë ti lëmë gjërat kështu siç janë”.

Cila mëndje njerëzore me petk demokratik mund të imagjinojë shprehi të tilla antinjerëzore ndaj një popullate që jetonte në paqësinë e vet, në shtëpinë dhe në tokën e vet, shekull pas shekulli, që një ditë një britanik me ndjesi kolonizatori dhe vrasësi, të shprehet kaq poshtërsisht për një popullatë të ndershme dhe të pafajshme.
Në njërin prej Raporteve Britanike që është mbajtur prej tre gjeneralëve britanikë, J. M. Stivens, C. M. Woodhouse dhe D.J. Wallace që tregon për këtë ngjarje, britanikët i cilësojnë banorët autoktonë të Çamerisë si (bandit turq) që për “çudi” para se të largoheshin nga shtëpitë e tyre nga frika e masakrave greke, “vidhnin” mallin e tyre. Kjo është pra llogjika imorale antihumane britanike që është evidentuar qartë në raportin e tyre që është mbajtur për këto ngjarje kriminale ku humbën jetën me qindra shqiptarë të pafajshëm që këta të pafytyrë i cilësojnë si “bandit turq”. Në këtë raport, jepet edhe aktiviteti kriminal i Peshkopit të Paramithisë që kontrollonte shtëpitë e çamëve se mos gjente ndonjë njeri të fshehur brenda tyre dhe dilte nga këto shtëpi i ngarkuar me plaçkë të vjedhur që e ngarkonte në mushkën e tij që ishte mbushur plot e përplot. Ja se çfarë është shkruar konkretisht në këtë raport:
“Masakrat në Çamëri janë bërë nga Divizioni i 10 (grek). Lt. Kol. Tarrance me disa oficerë të tjerë britanikë, kanë qenë prezent dhe kanë raportuar këto ngjarje të turpshme. Të gjithë (banditët turq) u larguan me të gjitha armët, kuajt dhe mushkat që kishin mundur ti merrnin. Paramilitarët e regjimentit të 28 dhe Divizionit të 10 u ingranuan në një orgji hakmarrje, duke vjedhur e shkatërruar gjithçka. Një nga fshatrat më të mirë të Paramithisë (Komopolis) u dogj e u shkatërrua i gjithi. Peshkopi i Paramithisë iu bashkua paramilitarëve në kërkimin e njerëzve në shtëpitë e boshatisura dhe doli nga njëra prej tyre duke shkuar tek mushka e tij që kishte qenë super e ngarkuar me plaçkë, por ishte boshatisur rastësisht nga disa paramilitarë”.
Pra, është fare e qartë se genocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë u planizua nga Britanikët dhe u zbatua me përpikmëri nga krimineli suliot Napoleon Zerva dhe ky fakt është dokumentuar qartë në të gjitha raportet e kujtimet e britanikëve, kështu që kjo e vërtetë absolute duhet denoncuar fort dhe Qeveria Britanike të vihet para përgjegjësisë morale dhe penale për këtë krim që ka bërë kundër shqiptarëve.
Ky është aktiviteti antihuman i kolonizatorëve Britanikë që shumë shqiptarë na e shesin si njërin prej shteteve më miqësore të shqiptarëve.

Nëse historia shkruhet me fakte, këto janë të atilla ndodhi që çuditërisht janë fshehur dhe opinioni i shëndoshë grek dhe fatkeqësisht edhe ai shqiptar brenda territorit të Shqipërisë, por edhe kancelaritë europiane duhet që ti hapin pak sytë dhe ta venë mendjen në punë se ajo çfarë ka ndodhur në Çamëri nuk është thjesht një rastësi apo agresivitet kriminal i një Napoleon Zerve. Botërisht duhet thënë se e keqja që i erdhi Çamërisë dhe gjithë kombit shqiptar nga sallonet e lordëve britanikë në gjysmën e parë të shekullit 20, kërkojnë një denoncim publik dhe ndërkombëtar për të cilën ka përgjegjësi çdo organizëm patriotik apo politik në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht./Agjensia e Lajmeve Sot News/