Një talent i ri për Flamurtarin (Foto)

Klubi kuqezi dhe mesfushori kanë pasur një bisedë, pas së cilës kanë konfirmuar bashkëpunimin, pa dhënë detaje në lidhje me anën financiare.

Haxhi Neziraj mbetet pjesë e Flamurtarit edhe për sezonin e ardhshëm. Mesfushori i ardhur në Vlorë gjatë muajit janar ka edhe një vit kontratë me klubin kuqezi, kështu që do të mbetet pjesë e tij. Drejtuesit e klubit kanë konfirmuar se në asnjë mënyrë dhe në asnjë moment nuk kanë menduar për largimin e një lojtari nën kontratë. Në fakt, u fol për një ndryshim kushtesh të kontarës së Nezirajt për sezonin e ri dhe konfirmohet se ka pasur një bisedë në lidhje me këtë temë, pra në lidhje me pagën e lojtarit.

Duket se gjërat janë qartësuar dhe të dyja palët do të vijojnë bashkëpunimin, edhe pse nuk bëhet e ditur zyrtarisht asgjë rreth anës financiare, nëse Neziraj do të përfitojë të njëjtën pagë apo ka pranuar uljen. Neziraj synon të japë kontributin e tij për skuadrën vlonjate edhe sezonin e ri, ku në fakt do të ketë të vështirë të jetë titullar, sepse konkurrenca është rritur ndejshëm me afrimet e fundit. Edhe gjatë gjysmës së dytë të sezonit të fundit, kosovari nuk kishte një aktivizim të rregullt me ekipin vlonjat.

MERKATO – Afrimi i Lejdi Liçajt do të jetë goditja e 11-të e Flamurtarit në merkaton e verës, ndërkohë që pritet të zyrtarizohet edhe lojtari nga Mali. Mbyllja e çështjes së sulmuesit Danilo Alvesh i qetësoi vlonjatët, sepse problemet në komunikim me të i kishin vënë në lëvizje drejtuesit e skuadrës për të gjetur një sulmues tjetër. Burime nga klubi vlonjat kanë saktësuar për “Sport Ekspres” se do të veprohet me qetësi në merkato dhe do të ndërhyhet vetëm, nëse do të jetë e nevojshme.

FAZA – Mavrovë, Veria dhe gati për sezonin e ri futbollistik. Konfirmohet programi i Flamurtarit për fazën përgatitore,q ë tashmë ka nisur. Të dielën skuadra vlonjate udhëton drejt Mavrovës në Maqedoni, ku do të qëndrojë për një periudhë dyjavore. Më pas do të kthehet në Vlorë për një pushim treditor dhe më pas do të niset drejt Greqisë, ku do të qëndrojë edhe dy javë të tjera. Gati 10 ditë para nisjes së kampionatit Flamurtari do të rikthehet në qytetin bregdetar, për të menduar më pas seriozisht për ndeshjen e parë me Skënderbeun.

Gjatë qëndrimit në Mavrovë janë programuar tri ndeshje miqësore me skuadra vendëse. Gjithashtu, edhe në Greqi do të ketë miqësore, që pritet të jenë në një nivel disi më të lartë nga ato të Maqedonisë. E vetmja mungesë për Flamurtarin është ajo e Danilo Alveshit, lojtar që më datë 26 korrik do t’i bashkohet skuadrës në Mavrovë, siç ka njoftuar më parë.

Në këtë mënyrë, gjithçka duket se po ecën mbarë, por natyrisht klubi duhet të zgjidhë problemet e vjetra, pasi ka gjyqe e paga të papaguara, që shumë shpejt mund të kthehen në hall madhor.
Klubi vlonjat mbetet aktiv në merkato, por këtë herë ka bërë një lëvizje ndryshe. Me skuadrën e trajnerit Duro do të bashkohet një tjetër futbollist i huaj, konkretisht nga Mali, por ai mund të konsiderohet një investim për të ardhmen, sepse është vetëm 18 vjeç. Abdoulaje Ibrahima Toungara është goditja e fundit e vlonjatëve. Ai luan si mesfushor mbrojtës dhe mbrojtës i krahut të djathtë, ndërkohë që për detajet e tjera nuk ka ende informacion. Ka cilësi të mira, ku spikat shpejtësia. Trajneri Duro e pëlqen dhe 18-vjeçari pritet të bashkohet në Mavrovë me ekipin e tij, ku aktualisht stërviten edhe disa të rinj vlonjatë, të cilët do të seleksionohen pas fazës përgatitore. Është një histori e ngjashme me Nimagën e Skënderbeut, i cili erdhi nga Mali në Shqipëri në moshë shumë të re, po kaq sa afrimi i fundit i vlonjatëve.