Kolosët e letërsisë shqipe Lasgush Poradecin dhe Asdrenin

AMARCORD

Në këtë foto ku shfaqen, në dy cepat e saj, Lasgush Poradeci dhe Asdreni, përmban kujtimin e njërit prej etërve të albanologjisë, studiuesit e gjuhëtarit austriak me prejardhje hebraike, Norbert Jokl.

Në vitin e 130 vjetorit të lindjes dhe 75 vjetorit të ndarjes tragjike nga jeta në vorbullën e shfarosjes naziste, prej së cilës, megjithë përpjekjet nuk e shpëtuan dot as bashkudhëtarët në studimet shqipe të asaj kohe, lipset të nënvizohet borxhi i pashlyer dhe i pashlyeshëm që Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen këtij “zoterie” të vërtetë, në jetë e në shkrime, krejtësisht të përkushtuar ndaj njohjes së burimeve të gjuhësisë dhe historisë së Shqipërisë, siç e dëshmon edhe një letër drejtuar më 22 qershor 1926, Lumo Skëndos, në një shqipe të përkryer të të folmes së Elbasanit:

“Fort i ndershmi Zotni Lumo Skëndo,

Falem nderës shum për librat qi keni pas mirësinë me më dërgue.Çmimin për librat e shituna po e gjeni ndë këtë letre: 10 schilling, ç’asht pak ma shumë se 35 lek; teprija asht për posten.

Sot kam edhe një lutje të vogël. Kam qëllim me botue ndë të përkoheshme “Balkan Arkiv” qi drejton profesori Gustav Weigand ndë Leipzig (Gjermani) nji përkthim gjerman e “Fletores së Bektashive” prej Naim be Frashërit, i cili ka qënë ungji i Juej. Kthehem te Ju, fort i ndershmi Zotni, si nji përfaqësonjësi i shpisë së Frashërivet me më dhanë lejen e të përkthyemit (l’autorisation). Qëllimi i em asht fjesht shkencëtar, të holla s’kam me kapun. Shkaku, për të cilin due me ba këtë përkthim, asht ky. Ndë letratyrën europeane përmbi bektashitë (p.sh. edhe ndë një vepre aq të madhe si “Enzyklopaedie des Islam”) burimet shqiptare janë krejt të panjoftuna.

Tue ju përshëndoshun prej thelbt t’zemrës, mbetem i Jueji, me nderë,

NORBERT JOKL

Vepra e këtij albanologu, filologu dhe bibliofili pajisur me dhunti eprore, duhet të jetë objekt hulumtimi të vazhdueshëm me mbështetjen e të gjithë institucioneve arsimore, akademike dhe kulturore në vendin tonë.