Reagon Akademiku Fuga, Rritja e çmimit të ujit: Mbledhja ishte amoralitet politik, s’duheshin pranuar dy votat e LSI -së

Akademiku Artan Fuga e ka konsideruar si një amoralitet politik atë që ndodhi në mbledhjen e Këshillit bashkiak të Tiranës, ku u vendos rritja e çmimi të ujit.

Fuga thekson se nëse do të ishte në vendin e kryebashkiakut Veliaj nuk do t’i pranonte votat e dy renegatëve të LSI -së.

Gjithashtu, Fuga shtoi se morali në politikë është çelësi i suksesit, jo vagabondazhi politik, jo hipokrizia politike, jo mungesa e shtyllës kurrizore politike.

Ja postimi i Fugës në rrjetin social “Facebook”

“Kjo është ëndrra ime, asaj ja vlen t’i kushtohet jeta: marrëdhënia e re me qytetarin.

Uuuu është art më vete ai, nuk bëhet me amatorizma dhe me kokëshkrepje.

Mendojeni njëherë se qytetarët në bazë përbuzin klasën politike. Mos kujtoni se politika ka besueshmëri.

Unë po të isha si kryetar i Bashkisë do e konsideroja të pavotuar vendimin e rritjes të çmimit të ujit, me votat e dy renegatëve që duet të zbatonin rregullat e grupit të tyre të këshilltarëve.

Ikni tutje do u thosha po qe se do të isha si ai. Nuk më duhet vota juaj. Se ju nuk keni moral politik! Më mirë me vështirësi ekonomike se me amoralitet politik brenda këshillit bashkiak.

Po qe se do të kishte vepruar kështu do të bënte një hap që do ta dallonte si vlerë e madhe. Populli do ta vlerësonte. Edhe votat do t’i kishte radhën tjetër.

Pa dyshim.

Sepse morali në politikë është çelësi i suksesit. Jo vagabondazhi politik, jo hipokrizia politike, jo mungesa e shtyllës kurrizore politike.

Unë ëndërroj një qytet të ri, një republikë të re ku shërbimet dhe zyrat i përgjigjen 24 orë në 24 orë çdo telefonate qytetare, për ambulancë, për polici, për zjarrfikës, për riparim ashensori.

Si mbrëmë që bashkia vuri forcat dhe mjete që brenda natës ujërat e zeza të ndalen në një lagje të rëndësishme të Tiranës.

Unë doja të ndalja fekalet për të mbrojtur komshinjtë e mi, por provova edhe nëse ka mundësi dhe ndjeshmëri bashkia për t’u përgjigjur apo fle gjumë. Ajo u përgjigj.

Unë nuk jam naiv, por ne qytetarët duhet të arrijmë që të zgjedhurit tanë, nëpunësit që i paguajmë ne, i heqim ne, i rrisim ne, i edukojmë ne, të na përgjigjen në çast.

Ky është qyteti, kjo është republika e re, jo shteti i matrapazëve, servilave, dembelëve, turkoshakëve, mashtruesve.