Barcelona me komunikatë zyrtare pas takimit me Neymarin dhe agjentin e tij

Telenovela e transferimit të Neymar nga Barcelona në Paris nuk ka përfunduar ende. Megjithatë, e mërkura ka qenë ditë shumë e rëndësishme për këtë çështje.

Barcelona ka lëshuar një komunikatë për media ku ka konfirmuar dëshirën e Neymar për t’u larguar nga klubi.

“Neymar i shoqëruar nga babai dhe agjenti i tij kanë shprehur sot qëllimin për t’u larguar nga klubi, në një takim të mbajtur në zyrat e klubit”, thuhet në komunikatë.

“Në këtë situatë, klubi e ka informuar palën tjetër që t’i referohen klauzolës së kontratës që është 222 milionë euro dhe që duhet të paguhet tërësisht”, ka njoftuar FC Barcelona.

Tutje, klubi ka sqaruar edhe pagesën bonus prej 26 milionë eurosh që Barca duhet t’ia paguajë Neymarit si pjesë e marrëveshjes për rinovimin e fundit. Aty thuhet që paratë janë të depozituara në një notari dhe nuk do të paguhen te pala tjetër derisa kjo çështje të zgjidhet.

Përndryshe, Neymar është pranë transferimit te PSG, klub që ka treguar gatishmëri për të paguar klauzolën në fjalë, që do ta bënte Neymarin futbollistin më të shtrenjtë në botë.