TA GËZOJMË REPUBLIKËN E RE TË EDI RAMËS!

  • Nga Astrit Patozi

Të ikin drejtorët e hipotekave, që të shuhet një herë e përgjithmonë fara e korrupsionit në këtë vend. Që të shërohet edhe vetë kryeministri bashkë me ministrat tij nga kjo sëmundje e rrezikshme. Të gjithë, pa përjashtim dhe pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Pastaj të japin dorëheqje deri nesër drejtorët e spitaleve, që të shpëtojmë Shqipërinë nga pisllëku, por edhe pacientët nga diagnozat e tyre.
Pastaj, me radhë drejtorët e shkollave, që të shpërthejë dituria sheshit. E pas asaj, dihet botërisht që vjen gjithmonë begatia për të tërë.
Më vonë, do t’i zëmë një nga e një, nëndrejtorë, shefa sektori, teknikë, juristë, financierë, sanitarë dhe rojtarë, sepse gushti është muaj qamet i gjatë dhe nuk i dalka fundi i dëgjesave të Edi Ramës.
Të cilat duket sikur janë bërë enkas për t’u shpjeguar dëgjuesve arsyen se përse ata e votuan si pa mendje “timonierin” e tyre. Por meqë fushata ishte e shkurtër dhe e mbushur me anekdota me Lulzimin “çun të mirë”, ai nuk pati shumë kohë t’i sqaronte para, ndaj edhe po e bën tani, pasi zgjedhjet kanë mbaruar.
Pastaj do të vijë shtatori dhe do të na shfaqet me tërë madhështinë e saj Republika e Re e Edi Ramës. E cila do të jetë pak a shumë ajo që premtonte gjatë epokës së çadrës Lulzim Basha. Por çfarë problemi ka se ai nuk do të jetë fare në timon? Rëndësi ka idea, jo njeriu.
Tek e fundit, a nuk premtonte Lulzimi gjatë fushatës se do të shkarkonte edhe deputetët në mes të mandatit, nëse këta do t’ia bënin borxh popullit? Kishte gjetur edhe një fjalë amerikançe (recall) për ta bërë edhe më të besueshme shpikjen e vet. Tani nuk e thotë më, se nuk i del llogaria, por po e bën gjysma më e mirë e marrëveshjes së 18 majit, njësoj është.
Kur ti i paske me laps emrat e deputetëve, që zgjidhen nga populli, pse u dashka që ai tjetri ta mbajë dorën për drejtorët?
Ata që besuan tek ëndrra e Republikës së Re nuk duhet ta humbin shpresën nga humbja e rëndë e Lulzim Bashës më 25 qershor. Ajo po vjen me shtatorin. E vetmja gjë që ka ndryshuar është emri i timonierit. Por ky është detaj fare i parëndësishëm.