Ministri teknik kundër ‘gjyqit publik’ të Ramës ndaj drejtorëve të hipotekave

Njoftimi i plotë

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, është njohur sot me kërkesën për dorëheqje të Regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, Vlorës, Kukës, Dibër, Elbasan, Tropojë, Has, Mat, Kuçovë, Bulqizë, Lezhë, Kurbin, etj.

Duke vlerësuar se dorëheqjet vijnë në vijim të konstatimit publik të Kryeministrit të Shqipërisë, se këta funksionarë publikë kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, duke konsumuar një tallje kolektive dhe individuale me njërëzit, Ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të ndërmjetëm, për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së tyre, deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë. Kjo masë vjen në kuadër të detyrimit moral dhe ligjorë që kanë autoritetet publike, që kur konstatojnë shkelje të të drejtave të qytetarëve, të mos pranojnë dorëheqjen e zyrtarëve, por t’i bëjnë ato t’i nënshtrohen pasojave që parashikon ligji.

Për këtë qëllim, Ministri Bardhi, ka urdhëruar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ngrejë 3 grupe kontrolli, me qëllim inspektimin e veprimtarisë së Regjistruesve në ZVRPP përkatëse. Afati i ushtrimit të kontrollit është 10 ditë nga hyrja në fuqi e urdhrit. Gjatë kësaj periudhe, me qëllim mos pengimin e veprimtarisë së grupeve të kontrollit dhe vijimin normal të punës në ZVRPP, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Regjistruesve përkatës, deri në përfundimin e hetimit administrativ.

Ministri i Drejtësisë shpreh vendosmërinë e tij se të gjithë Regjistruesit e ZVRPP që kanë kryer shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe kanë cenuar të drejtat e ligjshme të qytetarëve shqiptar, do të largohen nga detyra me masë disiplinore “Shkarkim nga detyra”, me qëllim shmangien e ushtrimit të funksioneve publike në të ardhmen. Që nga data e fillimit të detyrës së tij dhe deri më sot, Ministri Bardhi ka urdhëruar shkarkimin nga detyra të rreth 1/4 së të gjithë Regjistruesve të ZVRPP dhe garanton se nuk do të hezitojë ta bëjë këtë në asnjë rast kur konstatohet cenimi i interesave të qytetarëve apo abuzimi me detyrën.

Për Ministrin e Drejtësisë z. Gazment Bardhi, zyrtarët publikë që cenojnë interesin e qytetarëve shqiptar, apo që kryejnë shkelje të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, deri në nivelin e talljes kolektive me to, nuk mund të largohen me akt dinjiteti, pra me dorëheqje. Largimi i tyre nga detyra, duhet të jetë një përpjekje e autoriteteve përgjegjëse për të zhdëmtuar cenimin e dinjitetit të qytetarëve, duke i larguar këta zyrtarë me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, apo duke përcjellë informacionin për shkeljet e tyre në organet kompetente. Kjo do të pamundësonte, që në rrethana të caktuara, apo për qëllime politike të momentit, këta funksionarë të riktheheshin në funksione publike në administratë shtetërore dhe të bëheshin premisë për cenimin e interesit të qytetarëve përsëri në të ardhmen.

Ministria e Drejtësisë shpreh të gjithë angazhimin e saj institucional në mbrojtjen e të drejtave të qyetetarëve dhe ndëshkimin e çdo zyrtari publikë që abuzon me qytetarët. Në këtë drejtim, Ministri i Drejtësisë z. Bardhi paralajmëron çdo punonjës të ZVRPP të bëjnë kujdes në ushtrimin e detyrës dhe të veprojnë me përgjegjshmëri në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve, përndryshe do të përballen pa asnjë diskutim me pasojat e shkeljes së ligjit.