Ekstradimi i “Ballist” Morinës në Serbi, Bushati: Ja strategjia që po ndiqet

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e ka komentuar sot këtë çështje për mediat nga Shkodra, duke deklaruar se shteti shqiptar është në përpjekje të vazhdueshme për të penguar ekstradimin e të mbiquajturit “Ballisti” drejt shtetit serb.

Në lidhje me kërkesën e tij për azil politik në Kroaci, ai u shpreh se edhe në këtë rast mund të përdoret precedent i Italisë, ku u kërkua ekstradimi i tij nga Serbia çka u refuzua nga shteti italian.

Bushati komenton edhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë ku në mes është edhe çështja e Ballist Morinës, ministri Bushati i cilëson si një tryezë shahu ku secila palë bën lojën e vet.

“Ballisti” u arrestua nga autoritetet kroate për shkak se nga ana e shtetit serb ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar dhe tashmë pritet vendimi i gjykatës për ekstradimin e tij.

Ismail Morina u bë i njohur për lëshimin e dronit në ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, ndeshjen e cila u ndërpre për shkak të dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë.