Dorëheqjet e drejtorëve të Hipotekave: Kryeministri Rama anulon urdhrin e ministrit teknik

Sipas një njoftimi të bërë nga Zyra e Kryeministrit, shefi i qeverisë e ka anuluar urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, Gazment Bardhi, duke bërë të qartë se dorëheqjet nuk mund të refuzohen dhe hetimi administrativ i ministrit mund të vazhdojë pa asnjë pengesë.

Ja çfarë thuhet në njoftimin e Kryeministrisë:

“Nëse nga hetimi administrativ do të verifikohen shkelje të ligjit, regjistruesit që i kanë bërë këto shkelje duhet të shkojnë përpara drejtësisë.

Qeveria shqiptare ka një Kod Sjelljeje, të miratuar me VKM, qysh në mbledhjen e saj të parë dhe asnjë ministër, qoftë politik a teknik, qoftë në ikje a në ndenje, nuk mund ta shkele këtë Kod, i cili përcakton qartë se qeveria nuk është një grup individësh që veprojnë në kokën e tyre, po një skuadër që drejtohet nga Kryeministri dhe funksionon mbi bazën e parimit të thjeshtë të aprovimit paraprak nga Kryeministri, të veprimeve administrative apo komunikimeve të ministrave me publikun”.