Kërcënojnë turistin Kosovar, pezullohen nga detyra dy policë

Një shqiptar nga Kosova është përballur me sjelljen aspak profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ai tregon për të papriturën që i ka ndodhur me policinë shqiptare, gjatë orëve të natës kur po udhëtonte për në bregdetin shqiptar. Dy policë e kanë ndaluar gjatë një kontrolli rutinë, teksa fëmijët e tij ishin në gjumë dhe pasi e gjetën me të gjithë dokumentacionin të rregullt, hashiqare i kërkuan bakshish.

Pas kësaj mgjarje ka reaguar Policia e Durrësit.

Ja njoftimi zyrtar i Policisë Durrës:

“Në lidhje me një publikim në media online, ku një qytetar nga Kosova ka denoncuar dy punonjës policie me pretendimin se i kanë kërkuar rryshfet, bëjmë me dije se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës sapo është njohur me rastin ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të I.Sh. dhe I.V. efektivë policie të Qarkullimit Rrugor, deri ne sqarimin e rrethanave.

Nga verifikimet e kryera është konstatuar se në lidhje me rastin e denoncuar, per mjetin ne fjale është vendosur një masë administrative nga patrulla e Policise.

Për veprime të mëtejshme më të hollësishme çështja është dërguar pranë Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, për evidentimin dhe marrjen e masave perkatese.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falenderon çdo qytetar për bashkëpunimin dhe mediat per denoncimin, duke garantuar marrjen e masave konkrete ndaj punonjësve që shkelin ligjin.