Tiranë: Arrestohen 2 specialistë të bashkisë, nën hetim dhe 4 policë

Dy specialistë të IKM -së në Bashkinë e Tiranës janë arrestuar nga Policia në kuadër të një operacioni të posaçëm policor.

Specialistët e arrestuaj janë:

Amarildo Duka, 29 vjeç;

Elton Spahiu, 35 vjeç.

Ata akuzohen se kanë lejuar ndërtimin e një garazhi prej 530 m2 pa leje në rrugën Xhanfize Keko, ndërtimi i të cilit kishte krijuar një problem të madh për banorët.

Gjithashtu, është arrestuar edhe pronari i garazhit, Jetnor Gjoka, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.

Hetimet kanë zbuluar se në çështjen e ndërtimit të garazhit pa leje janë implikuar edhe 4 punonjës policie të Komisariatit nr.4 . ndaj tyre ka nisur menjëherë procedimi penal.

Raporti zyrtar i policisë:

“OPERACIONI

Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndërtimeve pa leje, Sektori për Krimin Ekonomiko  -Financiar në D.V.P. Tiranë në bashkëpunim me Shërbimin e Çështjeve dhe Ankesave (SH.Ç.B.A), Drejtorinë e Standarteve Profesionale pranë Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit “NDËRTIMI” bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

  1. Jetnor Gjoka, 47 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
  2. Amarildo Duka, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Me detyrë specialist pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë.
  3. Elton Spahiu, 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë,. Me detyrë specialist pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, pasi më datë 11.08.2017, në vëndin e quajtur rruga “Xhanfize Keko”, pallati ML, shtetasi Jetnor Gjoka ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente në një sipërfaqe ndërtimi (garazhi) prej 530 m2.

Sa më sipër nga ana e Inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve (banorëve të pallatit), në kundërshtim me ligjet në fuqi.

 

Gjithashtu në lidhje me këtë vepër penale nga SH.Ç.B.A janë kryer veprime proçeduriale penale mbi dyshimet për implikim të punonjsëve të policisë pranë Komisariatit nr.4, Tiranë, konkretisht punonjësit e policisë me iniciale Xh. M, Y. H, F. D dhe E. H, të cilët në përmbushje të detyrave funksionale të tyre janë mjaftuar vetëm me komunikimin verbal të specialistëve të IMT.

Gjithashtu ndaj punonjësve të Policisë ka nisur dhe procedimi disiplinor nga Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mos veprim.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a dhe 248-25 të Kodit Penal”.