Deklarata e policisë së shtetit: “Deputeti Rakipi nuk ishte i alkolizuar, viktima i ka prerë rrugën”

Dalin detaje të reja në lidhje me aksidentin me vdekje që shkaktoi në autostradën Tiranë – Durrës.

Pas këtij aksidenti, mësohet se deputeti Aqif Rakipi është vetëdorëzuar në Komisariatin nr.2 të Tiranës.

Sipas burimeve nga policia, mësohet se viktima S.S. 53 vjeç sapo kishte zbritur nga një furgon kur i preu rrugën befasisht makinës që drejtohej nga deputeti Rakipi.

Pas hetimeve të menjëhershme, policia deklaroi se Rakipi nuk rezultonte të kishte pirë alkol.

Aksidenti ndodhi në orën 4:41 minuta, ndërkohë që Rakipi në 4:51 minuta ishte dorëzuar vetë në Komisariatin nr.2 me gjithë makinën e tij të dëmtuar nga përplasja në pjesën e përparme.

Rakipi ka deklaruar qartë se kishte përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej.

Ja njoftimi i policisë së shtetit:

“Rreth orës 04:41, jemi njoftuar se në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me Tregun ushqimor ka ndodhur një aksident automobilistik.

Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete, dhe në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, Komisariati i Policise nr.2 ka njoftuar që në këtë Komisariat është paraqitur shtetasi A. R., me automjetin e tij, tip Mercedes (i dëmtuar në pjesën e përparme të tij) i cili deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej në Komisariat.

Ndërkohë është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur.

Në keto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas Ekspertit autoteknik të Policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e kembesorit S.S., rreth 53 vjeç”.