Dëshmitë që fundosin deputetin shqiptar: Nuk ndaloi, shtoi shpejtësinë, por u largua. Diçka fsheh

Deshmitarë aksidentit tragjik të orëve të para të mëngjesit, që u shkaktua nga deputeti Aqif Rakipi, kanë qenë edhe dy kusherinjtë e viktimës, të cilët punonin bashkë me të në Tregun Agroushqimor në autostradë.

Ata kanë parë të gjithë skenën e ngjarjes, edhe pse nuk pranojnë të japin shumë detaje, pasi siç shprehen ata, po presin që të japë një version zyrtar Policia e Prokuroria.

Megjithatë, ata konfirmojnë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.

“Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.

Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka.

“Policia thotë që nuk ishte i pirë, megjithëse jam i bindur që ka qenë i dehur. Por largimi i tij në atë mënyrë nga vendi i ngjarjes nuk lidhet vetëm me këtë. Me siguri ai ka dashur të fshehë diçka. Nuk më bindin fare justifikimet e tij që iku për t’u dorëzuar në Polici. Këto janë justifikime”, shprehet ai. panorama