Lajme

Akuzon myftiun e Tiranës për nxitje të urrejtjes nacionale dhe e quan osman, paditet Spartak Ngjela!

Këtë të mërkurë, Avokati Spartak Ngjela ka shpërthyer në akuza kundër myftiut të Tiranës në lidhje me debatin e shumëpërfolur, që lindi javën e kaluar për Bajram, për çështjen nëse u “mbulua” apo jo nga organizatorët muslimanë, figura e Skënderbeut në sheshin kryesor të Tiranës.

“Osman”, “palaço” e plot akuza të tjera dhe në përmbyllje një kërkesë për arrestim, këto kanë qenë fjalët e Ngjelës, por mesa duket avokati nuk do ta kalojë shumë kollaj këtë situatë pasi vetë myftiu i Tiranës, Ylli Gura ka paralajmëruar se do ta hedhë në gjyq.

Reagimi i Myftiut Ylli Gurra:

“Përkundër gjithë hamendësimeve, sajesave, akuzimeve, përbaltjes dhe ekstremizmit të thirrjeve në vendosjen e personit dhe figurës sime në “gijotinën” e rradhës , për gjithë opinionin publik shqiptar në Shqipëri, Kosovë e kudo i ndodhur them; O ZOT i të gjithëve fali se nuk dinë çfarë bëjnë, nuk dinë për ç’ka janë dhe kujt i shërbejnë.

Unë jam Ylli Faik GURRA nga Dragostunja, Librazhd. Krenar për atë që i Madhi ZOT më ka dhënë: shqiptarinë si kombësi e Shqipërinë si Atdhe, PAQEN e fesë İslame si bosht e udhërrefyese për shpirtin dhe jo vetëm.

Ndërkohë që cilido që përmes përbaltjes së personit tim qëllimisht, i porositur, dhe për llogari të kujtdo qoftë, brenda apo jashtë Shqipërisë do t’i duhet të përballet me dyert e drejtësisë, për ekstremizëm e histeri akuzash, për nxitje e ndasi fetare e nacionale dhe barbarizëm qytetar.

Përkushtimi ndaj vendit, atdheut e qytetareve më bën me të vërtetë më besimtar shqiptar. FE – ATDHE binom i përjetshëm për gjithkënd shqiptar të këtij nënqielli”.

Statusi i Spartak Ngjelës:

“A kanë forcë shqiptarët të arrestojnë dhe të dënojnë myftiun Ylli Gurra?

Ky është një barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit.

Një osman barbar na quan turq ne shqiptarëve që jemi populli më i vjetër i Europës, pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë; Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Fan Nolit Gjergj Fishtës dhe të shënjtores së madhe Nënë Tereza?

Si qënkemi turq mor, palaço ne që kemi shpëtuar Perëndimin nga barbaria osmane!

Kjo është vlera më e madhe e shqiptarëve.

Si ka mundësi që të lejohet një injorant agresiv që mbron tezën e Beogradit agresiv dhe Athinës agresive, pushtuese territoresh shqiptare, se shqiptarët janë turq?

Ne kemi gjuhën më të vjetër në Europë, dhe kemi vrarë aq pushtues turq në 500 vjet, sa sot do të ishte dyfish popullsia e Turqisë.

Nëse kjo prokurori e dominuar nga hordhitë otomane Berishë- Beograd, nuk respekton Kodin Penal për fyerje të tharmit shqiptar nga një barbar, kjo do të përbëjë krim që do ta ndjekë vetë prokurorinë e sotme kompetente shqiptare, menjëherë sa të formohet SPAK.

Ja krimet që ka konsumuar Ylli Gurra:

Neni 265 i Kodit Penal:

“Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve raciale, nacionale ose fetare… dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet”.

Neni 268 i Kodit Penal:

“Poshtërimi botërisht i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit… dënohet deri në dy vjet burg”.

Neni 266 i Kodit Penal:

“Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë… duke fyer ose shpifur për to….dënohet gjer në 5 vjet burgim”.

Nëse prokuroria shqiptare nuk e ka filluar çështjen penale kundër barbarisë antishqiptare, tregon se ka frikë nga antikorrupsioni dhe shpreson në destabilizim shoqëror në Shqipëri.

Nuk ka destabilizim në Shqipëri, le të lodhen së prituri të gjithë barbarët dhe të korruptuarit.

Unë nesër, duke bërë detyrën ndaj kombit tim, paraqes denoncimin me shkrim përpara Prokurorit të Përgjithshëm.

I ftoj të gjithë shqiptarët të denoncojnë shëmtimin barbar në Shqipëri përpara prokurorisë shqiptare.

Sa më shumë denoncime, aq më i lartë patriotizmi shqiptar.

Barbarët e kanë marrë gjithmonë humanizmin europian si dobësi.

Por ky myfti ka shkelur ligjin shqiptar dhe ka fyer shqiptarët në vendin e vet. Po e ndjen veten turk, të marrë gjithë taborin e tij me ardhacakët, e të ikë në Anadoll; por pas dënimit.

Kjo ka mijëra vjet që është toka e shenjtë e shqiptarëve”.

Show More

Related Articles