Arbitrat në seminar, gati stemat e FIFA-s

Arbitrat e futbollit të Kategorisë Superiore, të parë dhe të dytë kanë nisur në Durrës seminarin e përçdovitshëm, ku do të analizohet gjysmërruga e garës, por ndërkaq të martën do të akordohen edhe stemat ndërkombëtare të FIFA-s. Nën kurimin e zyrës përkatëse në FSHF, arbitrat në këtë seminar do të diskutojnë në lidhje me dy fazat e para të kampionatit. Këtë radhë i ftuar nga FSHF do të jetë lektori i UEFA-s z.David Elleray nga Anglia (zyrtari që udhëhoqi projektin e ndryshimit të Rregullores së lojës në periudhën 2016-2017), për azhornimet më të fundit të rregullores së lojës dhe praktikës konkrete në fushë, duke parë njëherësh edhe raste të ndeshjeve të Superiores dhe duke i bashkëbiseduar me arbitrat. Krahas seminarit, në datë 10 Janar, në orën 13:15 do të zhvillohet ceremonia tradicionale si përherë e dorëzimit të stemave, arbitrave dhe asistentëve të FIFA-s ku prezentë do te jene dy zv.Presidentet e FSHF-se Nuri dhe Libohova. Arbitrat me stemë ndërkombëtare për këtë vit do të jenë Lorenc Jemini, Enea Jorgji, dhe Andi Koçi. Ndërkaq, pak para startit të fazës së tretë të kampionatit do të realizohen edhe testimet fizike sërish të arbitrave.