Lajme

Arrestohet banda e hajdutëve të makinave luksoze e drejtuar nga shqiptari

Sipas mediave italiane Karabinierët e Monzas gjatë një kontrolli shkatërruan një bandë hajdutësh të makinave luksoze pak ditë më parë, mes tyre edhe shtatë shqiptarë, përfshirë edhe të dyshuarin si kapo i grupit.

Vjedhja e makinave bëhej  brenda dy minutave pasi secili prej anëtarëve kishte një rol të përcaktuar mirë dhe që e luante shkëlqyeshëm.

Aktiviteti kriminal i bandës ka shkaktuar edhe një viktimë, gjatë hetimeve.

Sipas burimeve nga mediat vendase gjithçka nisi nga një kontroll i rastësishëm rrugor marsin e kalur në Nova Milanese, në një kamion që transportonte makina me destinacion Maltën. Dy nga makinat e ngarkuara në të rezultuan të vjedhura. Shoferi rumun, i ndaluar nga karabinierët, nuk kishte dijeni për sa i përket ngarkesës, por hetimet e mëtejshme, bashkë me përgjimet telefonike, ndihmuan në zbulimin e bandës së specializuar në vjedhjen dhe shitjen e makinave luksoze.

Janë 15 persona të arrestuar, ndërkohë që dy gra kanë detyrim paraqitjeje, pas operacionit me emrin e koduar “T@rokko”. Shtatë shqiptarë, gjashtë italianë, një egjiptian, një maroken, një rumun e një bullgar, të moshës nga 21 deri në 65 vjeç.

Kapoja i bandës konsiderohet shqiptari Ditmir B., 31 vjeç. Hetimet kanë zbuluar garazhet që banda përdorte për fshehjen e makinave, dy prej të cilëve në Monza dhe të tjerët në Milano e Rozzano. Garazhet ishin të nëndheshëm, për të penguar lokalizimin me GPS. Aty makinave iu hiqej sistemi i alarmit dhe i gjurmimit satelitar, iu ndryshoheshin numrat e telajos dhe targat, duke u përgatitur për rishitje.

Anëtarët e bandës kishin detyra precize, që nga gjetja e makinave që do të vidhnin dhe gjurmimi i tyre, ndërkohë që me disa pajisje elektronike bëhej çaktivizimi i alarmit, hapja e makinave dhe ndezja e tyre. Gjithçka për dy minuta.

Ndërkaq, një nga grabitjet e makinave ka pasur edhe një viktimë, italian nga Monza, pronari i një Range Rover të vjedhur në maj. Deri tani janë 23 vjedhje të vërtetuara, kryesisht makina Range Rover, Audi, BMW e Jaguar, me vlerë 1.750.000 euro. Nga ato, 17 janë gjetur në zonën e Monzas e Milanos, por edhe në provincat e Anconas, Barit, Bergamos, Brescias, Comos, Genovas, Veronës dhe jashtë Italisë, si në Gjermani, Shqipëri e Malin e Zi. Vjedhjet bëheshin kryesisht në aeroportin e Malpensas, por edhe në Milano, Bergamo, si dhe në parkimin e një hoteli në Versilia, ku u vodh një Jaguar.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm