LajmeTe gjitha

Arrestohet ‘kapoja’ i drogës nga Burreli: Kërcënoi prokurorin

Eshtë arrestuar në një lokal në Tiranë,  një person nga Burreli shumë të kërkuar, Marko Bushi, i cili dyshohet si organizator i një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të drogës.

Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin e koduar “MYZË”.

Si rezultat i këtij operacioni, në një lokal në rrugën “Jordan Misja” Tiranë, u kap dhe u ndalua personi në kërkim M.B, 41 vjeç, banues në Urakë, Burrel.

Personi i lartpërmendur ishte i shpallur në kërkim në bazë të Procedimit Penal 86 të vitit 2016, procedim i cili është ndjekur dhe bashkërenduar nga Policia e Shtetit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasi:

Një vit më parë, Policia e Matit ka ushtruar kontroll për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Myzë të Matit. Gjatë operacionit u gjetën dy parcela të kultivuara me bimë narkotike ku u asgjësuan gjithsej 10 480 bimë kanabisi. Marko Bushi i ka kërcënuar Prokurorin dhe forcat e Policisë lokale, por me ndërhyrjen e FNSH-së operacioni vijoi dhe u finalizua me asgjësimin e bimëve narkotike.

Në vijim u bë i mundur identifikimi i autorit, dokumentimi i veprimtarisë kriminale të tij dhe grupit që ai drejtonte në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas ishte në rolin e organizatorit të grupit kriminal.

Gjykata e Krimeve të Rënda më datë 21.03.2017, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”, për shtetasin e lartpërmendur, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm