Kulture

Ata s’do të shohin kurrë fitore …

Në qoftë se të rinjtë turpërojnë rininë e tyre dhe tradhtojnë duke preferuar atë që u jepet e jo atë që fitojnë, ata s’do të shohin kurrë fitore. Në çdo aktivitet shoqëror, arti apo shkenca formojnë, me kalimin e kohës, KLIKA, qerthuj – KAFKULLA njerëzish oportunistë. Këta në frëngjisht quhen ARRIVES, në italisht ARRIVISTI – KAUKUS. Kaparonjës kolltukësh që i lyejnë me zamkë ngjitëse që t’u rrijë gjithmonë i ngjitur në pjesët e prapme të trupit edhe në rast se rrëzohen.

Këta qorr – batallë bajatë dëshirojnë t’i mbajnë gjërat ashtu siç janë, duke u vënë kundër gjithçkaje që përfaqson rinovim dhe përparim; janë armiqtë e rinisë, korruptuesit e saj. Kur shohin ndonjë lëvizje rinie, ngrenë kokën si bualli e si gjeli i detit me të ngërryer të ndonjë krimbi dhe në mes gjyslykëve e gazetës që lexojnë u zgurdullojnë sytë si kupa me hirrë; këta janë zhapinjë kënete. Këta kapadainj qorr batallë, që në festa fryhen si gjela deti, në rrezik ikin si struci dhe e fusin kokën në kum që të mos shohin rrezikun; në punë fshihen; në rrena e hipokrizi lloisin e janë të parët,këta laço ofrojnë gjithçka në këmbim me adulacionin e me dorëheqjen, SINE CURAS në burokraci, që i lenë shkresat të flenë me vite e shekuj; radhë të vdekurish nëpër akademi,senate a këshilla shteti.

T’i pranosh ata, do të thotë të komplikohesh me të shkuarën.

Rinia që u dorëzohet atyre është fuqi e vdekur, humbet shtytjen përseritëse.

Burokracia është një gërshërë që suprimon tek individët çdo shenjë dinjiteti,uniformohet, bëhet memece,paralizonjëse.

Nuk mund të ekzistojë moralitet në një komb, kur e ndërsa njerëzit ngjiten lehtë lart,zhvishen nga meritat e ngarkohen me rekomandime,duke i grumbulluar për t’u ngjitur pa dëshirë tjetër veçse ta mbarojnë jetën e tyre në PENSION.

Isuf LUZAJ “Rindërtimi Fuqive Shpirtërore”. Faqe 99

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

Lexoni edhe...

Close