Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa, vlerësime nga kritika italiane me “La Boheme”

Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa i vlerësuar në skena të ndryshme me aktivitetin e tij ka impresionuar kritikën italiane me rolin në operën “La Boheme”, ku interpretoi Marcello-n. Baritoni Myshketa shprehet se e ndien të afërt veten me këtë personazh. Edhe ai është i dashuruar pas artit, por për dallim nga Marcello, ai e ka zgjedhur muzikën. Ai u ngjit në skenën e “Teatro Verdit” në Padova të Italisë për t’u bërë pjesë e operës së njohur “La Boheme”.

Performanca e tij në këtë opera, që sjell histori dashurie, xhelozie, dhimbje, është vlerësuar shumë nga mediat italiane. Gëzim Myshekta i lindur në Durrës, ka vite që jeton në Itali. Rolin e Marcellos ai thotë se e ka interpretuar edhe më parë, por kësaj radhe tërhoqi dhe më shumë vëmendje. “Myshketa e mbajti mbi shpatulla shfaqjen”, “interpretues i shkëlqyer me gjallëri skenike”, janë disa prej vlerësimeve që ai ka marrë, pasi është ngjitur në skenën e teatrit 250 vjet të vjetër në kuadër të sezonit të operës dhe baletit për vitin 2016.

Ndërkaq që në vijim të aktivitetit të tij baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa hapi sezonin operistik 2016-2017 me prezantimin para publikut gjerman, ku ai në tetor interpretoi në Pallatin e Operës Gjermane në Berlin. Myshketa erdhi me rolin e Escamilos në veprën “Carmen” të Georges Bizet bazuar në libretin e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy.

“Carmen” është opera tragji-komike në katër akte, e cila për herë të parë ishte performuar më 3 mars të vitit 1875 në Paris, ndërsa në operën gjermane në Berlin premiera e kësaj shfaqje ishte dhënë më 11 maj 1979. Tema e operës bazohet në nevojën absolute të Carmen për liri dhe insistimin e saj në marrëdhënie të bazuar në pavarësi të plotë. Tregimi i Carmen dhe Don Jose, përfundon me një vrasje tragjike. Vepra përmes skenave komike prezanton të gjitha emocionet dhe tiparet e gjendjes njerëzore, mendjelehtësinë, marrëzinë, joshjen, mizorinë dhe fatin. Muzika e operës me të cilën baritoni shqiptar hapi sezonin artistik është e mbushur me melodi që të mbetet në mendje dhe është e dominuar nga vallet dhe ritmet spanjolle.

Baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa  në vijim të aktivitetit të tij u paraqit më herët dhe në koncertin humanitar për shenjtërimin e Nënë Terezës në Vatikan. Pas prezantimit në Operën gjermane të Berlinit, gjatë muajve tetor dhe nëntor ai vazhdoi sezonin e tij artistik në Shtutgard, ku interpretoi në operën “Faust”, produksion i ri nga Frank Castorf, për të vazhduar me skenat e tjera operistike ndërkombëtare.