Politike

Bashkëqeverisja me qytetarët; programi 100-ditor dhe ekipet e reja të zëvendëskryeministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste:

Nuk është as e rastit dhe as jashtë kontekstit të momentit që sot, ne u përqendruam tek 100 ditët e para dhe që të gjithë anëtarët e qeverisë përpara kësaj Asambleje të nderuar bënë me dije ambicien e 100 ditëve, pasi në këto 100 ditë, ne përcaktojmë edhe fizionominë e qeverisjes, si dhe përcaktojmë tonin e bashkëqeverisjes me njerëzit.

Për të bërë një përmbledhje të asaj që është substanca e këtyre 100 ditëve, por që do mbetet e tillë edhe për 300 ditët e para të qeverisjes, në këtë fazë të parë të mandatit tonë na duhet pastrim në të gjitha nivelet; Pastrim fizik në rrugë, në institucione, në zyrat e shërbimeve, pastrim në të gjitha nivelet e administratës nga keqbërësit dhe fillimi i një lufte të hapur ndaj korrupsionit të trashëguar, apo si kërcënim në vazhdim dhe pastrim strukturor përmes rindërtimit të të gjithë strukturës dhe mekanizmave të pushtetit ekzekutiv, në funksion të Shqipërisë që duam me shtet, me punë me mirëqenie.

Na duhet shërbim dhe këtu ka një rëndësi të veçantë që të mos neglizhojmë për asnjë moment asnjë detaj, asnjë marrëdhënie të askujt me shtetin, qoftë qytetar, qoftë sipërmarrje dhe na duhet ndëshkim në të gjitha nivelet lidhur me çdo shfaqje të korrupsionit, me çdo shfaqje të abuzivizmit dhe me çdo shfaqje të padenjë, qoftë edhe në sjellje ndaj qytetarëve.

Këtu u bë një pasqyrë e mirëdetajuar e ambicies për këto 100 ditë të para. Po të bëja një rezyme do nënvizoja faktin që në këto 100 ditë të para duhet të përcaktojmë dhe të kalibrojmë si duhet shënjestrën lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian për vitin që vjen;

Duhet të përcaktojmë ecurinë e mëtejshme të të gjithë këtyre 4 viteve për marrëdhëniet preferenciale dhe strategjike me Kosovën dhe natyrisht, edhe më të gjithë rajonin;

Duhet të përcaktojmë kornizën brenda të cilës do të ngrihet i gjithë procesi i regjistrimit të shqiptarëve jashtë atdheut, në funksion të përfshirjes së tyre në vendimmarrjen më të rëndësishme të një vendi, që janë zgjedhjet politike, por jo vetëm për këtë arsye;

Duhet të vazhdojmë përpjekjen për të çliruar gjatë çdo dite të këtyre 100 ditëve, qytetarët nga barra e burokracisë, e procedurave, e sorollatjeve, e zvarritjeve, e ryshfeteve. Shërbimet konsullore do të pësojnë një transformim të rëndësishëm në këtë aspekt, 40% më pak barrë dokumentesh;

Duhet të lançojmë diplomacinë ekonomike si një qasje të re dhe si një funksion të ri në raport me ekonominë tonë përfituese nga shërbimi ynë i jashtëm;

Duet të përcaktojmë kornizën e Vetting-ut në Policinë e Shtetit, për të hyrë deri në qelizë me një terapi agresive ndaj kancerit të inkriminimit të Policisë së Shtetit në vite e vite të tëra, në fakt;

Të lançojmë operacionin kombëtar kundër rrjeteve kriminale, si një fazë të dytë të operacionit kombëtar që po mbyllet me sukses në pak ditët në vijim, për çrrënjosjen e kanabisit nga toka jonë dhe për heqjen përfundimisht të Shqipërisë nga harta e vendeve ku kultivohet lëndë narkotike. Presim raportin përfundimtar ndërkombëtar lidhur me këtë dhe menjëherë do të hyjmë intensivisht në fazën e dytë, përgatitja për të cilën ka filluar qysh menjëherë pas zgjedhjeve. Në më shumë se një rast e kemi nënvizuar se lufta kundër kanabisit nuk mbaron me ndalimin e kultivimi masiv të tij, por hyn në një fazë të re me përndjekjen e rrjeteve kriminale dhe sigurisht, jo vetëm të rrjeteve kriminale që janë të lidhura në një mënyrë, ose në një tjetër me këtë veprimtari kriminale, por të të gjithë atyre “të fortëve” që janë mësuar të bëjnë ligin nëpër feude të ndryshme në periferitë e qendrave urbane.

Në këto 100 ditë është vendosur si shënjestër dhe besoj që do të marrim rezultate të kënaqshme, kështu siç po ecim, jo vetëm për të ulur në mënyrë drastike numrin e dokumenteve që shteti kërkon nga qytetari dhe që qytetari prej 27 vitesh shkon dhe i gjen derë më derë në shtet, që do të thotë, dokumente që shteti duhet t’i garantojë vetë, nëse i duhen për t’i dhënë qytetarit një shërbim. Nga ana tjetër, për të hequr përfundimisht nga çdo lloj liste e nevojave të deritanishme, leje, autorizime, licenca të tepërta, të kota, që vetëm kanë krijuar stres, kanë zhvilluar korrupsion dhe kanë penguar energjitë e këtij vendi që të fokusohen aty ku në fakt duhet të fokusohen, tek zhvillimi, tek rritja ekonomike, tek mirëqenia.

Ka filluar një debat, – ne, me shumë pasion dhe energji do ta zhvillojmë këtë debat me opozitën në front në mbrojtje të informalitetit, – lidhur me përfshirjen e të gjithë biznesit në skemën e TVSH-së. Nuk është një hap për të varfëruar, për të cenuar, për të penguar, për të bllokuar, për të mbyllur biznesin e vogël, në emër të të cilit flasin njëzëri, ata që e konsumuan me vite të tëra pushtetin e tyre duke përfaqësuar vetëm peshqit e mëdhenj në kërkim, por është çka Shqipëria është i vetmi vend ende që nuk e ka. As në rajon, as në Europë nuk ka një vend tjetër me këtë hapësirë të lirë, që bën të mundur që shumë sipërmarrës të mëdhenj, shumë kompani të mëdha t’iu shmangen detyrimeve të tyre, duke përfshirë në skemën e shmangies shumë të vegjël. Të vegjlit që blejnë me TVSH shesin me TVSH sot e gjithë ditën dhe nuk janë pak. Por nuk janë pak ata që blejnë pa TVSH dhe shesin pa TVSH. Në rastin e parë, lekët i kthehen publikut përmes shtetit që i riinveston ato. Në rastin e dytë, lekët mbeten në arkën e përftimeve të paligjshme të kompanive të mëdha. Ky është thelbi.

Ne do ta bëjmë këtë betejë deri në fund. As nuk diskutohet që, duke filluar nga viti i ardhshëm, çdo biznes në Republikën e Shqipërisë do funksionojë me TVSH. Kjo nuk përbën një rritje të taksave, apo të barrës për biznesin e vogël. Biznesi i vogël do vazhdojë ta ketë taksën zero. Por kjo përbën një detyrim të çdokujt që merret me një veprimtari ekonomike, tregtare, të madhe apo të vogël, në Shqipëri, që të njohë për zot Kushtetutën, ligjin dhe sigurisht t’i njohë shtetit të drejtën për të marrë detyrimet që u takojnë qytetarëve, që i takojnë popullit.

Edhe në këtë fushë na duhet një luftë si asnjëherë më parë kundër korrupsionit;  korrupsionit në dogana, korrupsionit në tatime, korrupsionit në të gjitha shkallët dhe nivelet, ku, për fat të keq jemi ende sot, prapa, në raport me standardet e transparencës dhe standardet e performancës që duhet të garantojmë.

Në këto 100 ditë fillon, por nuk mbaron fundi i kaosit dhe i pisllëkut në rrugët kombëtare të vendit, me pastrimin që sapo ka nisur. Sigurisht është thjesht dhe vetëm sinjali i qartë që rrugët kombëtare të vendit janë rrugë që njerëzit dhe mallrat të lëvizin të sigurt, nuk janë sheshe për të bërë përshesh kushdo që merr një leje abuzive, apo që ndërton pa leje dhe hapet pastaj në të dy anët e rrugës me lloj-lloj zhvillimesh të shëmtuara, që nuk kanë lidhje as me një vend europian, as me një vend turistik dhe as e një vend ku njerëzit kanë respekt për veten e tyre.

Në këto 100 ditë do të fillojë një betejë pa kompromis për të gjithë zullumin në shërbimet e transportit në Republikën e Shqipërisë, duke bërë një reformë të thellë, duke e çliruar ministrinë dhe në këtë aspekt, të gjitha ministritë do të çlirohen nga barra për të dhënë licenca dhe autorizime, sepse nuk është detyrë e ministrive kjo dhe duke çuar përpara përgjegjësisë, ata që e kthyen shërbimin e transportit në Republikën e Shqipërisë në një nga zullumet më të mëdha, ata të cilët kanë dhënë me qindra dhe më mijëra patenta jashtë çdo kriteri dhe ligji. Praktikisht kanë pajisur me armë, njerëz që mund të kthehen nga momenti në moment në vrasës, për shkak se nuk janë në gjendje ta drejtojnë mjetin brenda të gjitha standardeve dhe njohurive që duhen.

Po ashtu do të zgjidhim gangrenën e veprave të mëdha, të mbetura peng, të mbetura në një ngërç të pashpjegueshëm, në fakt, me lehtësi për të gjithë qytetarët, sepse qytetarët me të drejtë thonë kur do të mbarë By-Pass-i i Fierit; Kur do mbarojë By-Pass-i i Vlorës; Kur do mbarojë Rruga e Elbasanit; Kur do mbarojë kjo e ajo. Qytetarët nuk e dinë se çfarë kontratash e çfarë situatash kemi trashëguar dhe sa keq edhe janë menaxhuar edhe në këto vite.

Plani i rindërtimit po përgatitet. Ne do të transformojmë brenda 4 viteve të ardhshme, akset kryesore të vendit në akse kombëtare europiane. Rrugët kombëtare që ne kemi nuk janë rrugë kombëtare për një vend europian, nuk janë rrugë kombëtare për një vend që synon të zhvillojë turizmin. Janë rrugë pasigurie. Janë rrugë shëmtie. Janë rrugë që nuk nderojnë askënd në këtë vend. Brenda 4 viteve, ne do i kthejmë ato në rrugë kombëtare me standarde europiane. Ky plan, sigurisht që do të bëhet i mundur falë programit “1 Miliardë për Rindërtim”, për të cilin ne po punojmë çdo ditë me ministrat përkatës dhe që fillon me Rrugën e Arbrit, – brenda pak javësh, besoj, finalizohet edhe kontrata – dhe do vazhdojë me një sërë aksesh të tjera.

Po ashtu jemi në kushte të një krize hidrike shumë të rëndë, por as nuk kemi lejuar dhe as nuk do lejojmë që kjo krizë të përkthehet në ndërprerje të detyruar të energjisë për familjarët, apo për bizneset. Këtë do ta përballojmë në bazë të një plani të mirëmenduar, që është vënë në veprim nga ministri i Financave dhe ministri i Energjisë.

Sot është një nga ditët e fundit përpara se të fillojë Universiteti. A keni parë ndonjë problem? A keni dëgjuar ndonjë prind që ankohet, apo ndonjë vajzë a djalë që është në procesin e hyrjes në universitet, t’ju marrë në telefon, apo të vërë kujën? Qetësi e plotë, që tregon sesa e drejtë ishte reforma që ne ndërmorëm në Arsimin e Lartë, që tregon sesa e poshtër ishte e gjithë kundërvënia ndaj kësaj reformë. E poshtër, sepse e qëllimtë për të shfrytëzuar turbullirën e krijuar nga momenti i parë i lançimit të reformës, nga mungesa e dijeve lidhur me procesin e shumë prindërve dhe nxënësve dhe për të shfrytëzuar këtë ndjeshmëri, plotësisht të mirëkuptueshme të tyre, për qëllime politike mizerabël. Ju kujtohet fare mirë, ju dhe të gjithë prindërve, se çfarë ndodhi vjet në këtë kohë dhe si na u hodhën në fyt me kuç e me maç, në emër, gjoja, të ndjenjave, të emocioneve, të zemrës së plagosur të nënave dhe të mendjes së turbulluar të baballarëve. Më kujtohen këto lloj fjalimesh patetike në Parlament. Ja ku jemi sot! Procesi vazhdon. Është një proces për të cilin jemi krenarë, sepse më në fund kemi vendosur meritën në themel të arsimit të lartë, meritën për këdo që hyn në universitet, gjë e pamendueshme dhe e paimagjinueshme vetëm pak kohë më parë dhe të cilën mund ta bënte vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë. Siç bëmë këtë, jam i sigurt që do të bëjmë dhe shumë e shumë të tjera, në këto 4 vite.

Po ashtu do t’i japim fund edhe një historie që është në mes, historisë së mësuesve, të drejtorëve, të nëndrejtorëve të shkollave. Një historie ku le të jemi shumë të sinqertë me njëri-tjetrin, kemi dhe ne kontributin tonë që të mos zhvillohet deri në fund, në mënyrë të shëndetshme, ashtu siç duhet, sepse për mirë, apo për keq kemi qenë në shoqëri të dyshimta dhe kemi mësuar të bëjmë dhe ne gjëra jo fort të denja, duke kërkuar të fusim në punë mësues që nuk e meritojnë, duke u ankuar në mënyrë të padrejtë për portalin “Mësues për Shqipërinë”, që është baza ende e paplotë dhe ende e papërsosur e një procesi që ne duhet ta konkludojmë me kurajo dhe vendosmëri.

Nuk do vendosim drejtorë shkollash, siç i do partia. Drejtorët e shkollave në Republikën e Shqipërisë do vendosin mes mësuesve më të shkëlqyer të dalë nga testimi. Neve nuk na duhet, nëse mësuesit janë të majtë, apo janë të djathtë. Ne na duhet që mësuesit të jenë ata më të denjët dhe unë e kam bindjen, të gjithë duhet ta kemi bindjen, që kush është i denjë e kujt i njihet merita në këtë vend është një votues i Partisë Socialiste, edhe sikur të ketë bindje të tjera, sepse vetëm ne mund t’ia japim këtë mundësi njerëzve të aftë në këtë vend, askush tjetër nuk ua jep dot. Edhe trajnimi i 20 000 mësueseve është një tjetër hap shumë i rëndësishëm përpara.

Edhe në arsim janë 49 shërbime që i kanë nxirë jetën njerëzve, për të shkuar nga një zyrë në tjetrën dhe që do të jepen në një sportel të vetëm, ashtu sikundër do të shkurtohen 170 dokumente. Kjo është një tjetër gjë për t’u nënvizuar me krenari, në raport me zotimin që kemi marrë për ta çuar tepsinë për skrap.

Çuarja e tepsisë për skrap do të marrë 4 vjet, por fillimi i procesit është ndërkohë këtu, i nisur dhe ky proces do vazhdojë. Do vazhdojë edhe aty ku është llumi më i madh në Republikën e Shqipërisë, në burgje dhe në hipoteka. Është llum kriminal dhe llum shtetëror. Burgjet janë sistemi ku shteti llum është bërë bashkë me llumin anti-shtet për vite e vite të tëra e që në katër vitet e shkuara, llumi ka arritur në nivele të papërfytyrueshme. Prandaj në këtë sistem, ne do të bëjmë një qilizmë dhe do t’i bëjmë thirrje të gjitha forcave të afta, forcave të ndërgjegjshme, forcave profesionale, duke filluar nga ushtarakët në lirim, që të bëhen pjesë e këtij procesi. Nuk do ketë më asnjë emërim partie nëpër burgje. Nuk do ketë më asnjë veteriner, asnjë masazhator, asnjë këngëtar, që shkon dhe punësohet si polic burgu. Kemi qenë ne, që kemi shkuar në fushatë e keni qenë ju, që i keni tundur zgjedhësve listat e bëra nga partia që kishe burgjet, duke u premtuar që po na dhatë votën, ja ku e keni vendin e punës. Mbushur listat me këngëtarë, me masazhatorë, me roje, me infermierë, me lloj-lloj njerëzish. Kemi gjetur këngëtar dhe në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Kuptohet, këngëtar të dështuar.

Hipotekat janë një tjetër llum i madh. Edhe aty reforma ka nisur. Brenda 100-ditëshit, ne do të lançojmë të gjithë programin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë dhe për transformimin përfundimtar edhe të këtij sektori, nga një llum në një zonë shërbimesh transparente, të shpejta, për qytetarët. Sigurisht, ata që kanë përgjegjësi për llumin në burgje, për llumin në hipoteka, duhet të përgjigjen para ligjit.

E pjesë e reformës së pushtetit ekzekutiv, që ka filluar nga ministritë, është edhe krijimi i një rrjeti të ri anti-korrupsion, për të garantuar një vetëkontroll të brendshëm të pushtetit ekzekutiv.

Është vërtetë për të qeshur, por dhe për të qarë, – a do qajmë, a do qeshim, kjo është një çështje që unë nuk e zgjidh dot, – kur dëgjojmë opozitën të na akuzojë se po pengojmë Vetting-un. Këtë gjë kanë bërë gjithmonë, këtë gjë do bëjnë, sepse në fakt shpresojnë shumë që ne ta pengojmë Vetting-un. Por përgjigja jonë është shumë e qartë dhe shumë kuptimplotë. Godina e gjithë procesit të Vetting-ut është godina që është trajtuar me përparësi, përpara të gjitha të tjerave. Është financuar qindarkë më qindarkë nga qeveria dhe nga dje është në dispozicion të të gjithë trupës së komisionerëve dhe me të gjitha kushtet më optimale, aq sa dhe miqtë tanë ambasadorë mbetën të mahnitur se çfarë kushtesh u kemi krijuar komisionerëve. Por kur mahniten me gjërat e mira, ata zakonisht nuk e thonë. Nga ana tjetër, ne do të rrisim e do të përcaktojmë pagën 50% më të lartë sesa paga e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë për komisionerët e Vetting-ut.

Këto mund të bëjë qeveria. Qeveria nuk bën Vetting-un. Vetting-un do ta bëjnë komisionerët, nën monitorimin e Operacionit Ndërkombëtar. Qeveria ka detyrë t’u krijojë atyre kushtet më optimale dhe ne, këtë gjë kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.

Një tjetër zonë e llumit që ne duhet të pastrojmë, pastrim që duhet të bëhet paralel me fillimin e shërbimit e ku duhet të ketë ndëshkim, është zona e shërbimeve për fermerët. Të gjithë keni bërë fushatë e jeni marrë me këtë çështje. Të gjithë e dini se çfarë është bërë, por ajo që vlen të theksohet është, e para, ne duhet të reformojmë me kurajo gjithë qasjen ndaj fshatit e ndaj fermerit, se nuk kemi para për të hedhur në lumë. Me ato para që kemi, me ato fonde që kemi, duhet të jemi në gjendje të marrim maksimumin e të mos vazhdojmë me ato subvencionet lëmoshë që shpërndahen në të katër anët si fara luledielli e që nuk prodhojnë asgjë, përveçse iluzionin.

Sportele unike të fermerëve, më në fund do bëhen realitet në 100 ditë. 4 vjet, më ka rënë goja mua dhe Niko Peleshit për sportelet unike të fermerëve. Nuk u realizuan dot, për arsye se duheshin mbajtur në këmbë edhe drejtorët e bujqësisë, po duheshin mbajtur në këmbë edhe këta, duheshin mbajtur në këmbë edhe ata. Do bëhen brenda 100 ditëve, në katër zonat më intensive bujqësore dhe brenda 300 ditëve në të gjitha zonat e Shqipërisë. Një sportel unik për të gjithë shërbimet ndaj fermerit. Drejtoritë e Bujqësisë do shkrihen. Nuk kanë arsye të ekzistojnë, janë një atavizëm i të shkuarës. Janë drejtori të Enverit, pa Enverin. Tani, o kthejmë Enverin, o heqim edhe drejtoritë e Enverit. Kthimin e Enverit e shpresojnë ata që janë në opozitë, se e duan për luftë, nuk e bëjmë dot dhe do heqim drejtoritë e Enverit.

Zero dokumentacion për fermerët është një hap tjetër shumë i rëndësishëm. Nuk mund t’ju kërkojmë fermerëve që aplikojnë për fonde, 700 mijë lloj letrash, që nga certifikata personale, te certifikata familjare, te hipoteka e kësaj dhe e asaj, te targa e makinës, tek targa e zetorit, deri tek a ka kushëriri zetor, apo nuk ka. Asnjë dokument, zero! Do aplikojnë e kush fiton, do verifikohet, nëse në vetëdeklarimin e tij për të gjitha kushtet i ka plotësuar, apo nuk i ka plotësuar kushtet. Kështu që nuk torturojmë njerëzit për të kërkuar dokumente e për të shkuar për të takuar lloj-lloj zhabulanësh nëpër zyra, që ju marrin të gjithë lekë, për t’ju dhënë dokumentet, por u japim mundësinë që të merren me projektin njëherë dhe verifikimi i dokumenteve vjen më pas.

Për 100 ditë do zhvillojmë një luftë të paepur në të gjithë territorin kundër thertoreve. Jemi i vetmi vend që “ther” në parlament e ther në rrugë. Në parlament theret e vërteta, theret etika, theret edukata dhe procesi që ka filluar, i vënies së kujës për fjalën e lirë, është në fakt, një proces kundërvënie ndaj rikthimit të etikës dhe rikthimit të rregullave në një klub të degraduar, siç ishte parlamenti për 4 vite.

Ndërkohë që therjet në rrugë janë barbari. Gjaku në rrugë është barbari. Më vjen shumë mirë që ka sensibilitet, pasi është vërtet për të vënë kujën kur theret një qen, një qenie e pafajshme, por askush nuk vë kujën për therje në mënyrën më barbare, në mënyrën më kriminale, të bagëtive nëpër rrugë, në sy të fëmijëve, në sy të familjeve, pa asnjë kusht higjenik. Kështu që të gjitha thertoret duhet të mbyllen e duhet të funksionojnë vetëm sipas standardeve. Holanda ther, nuk e di sa fish më tepër se ne dhe ka vetëm 3 thertore. Ne therim shumë më pak se Holanda, por kemi një gjë, që therim në çdo cep. Kjo duhet të marrë fund!

Pjesë e këtij procesi është edhe një përpjekje e fortë për të çliruar popullin fermer nga një bandë. Një bandë shtetërore që quhet AKU. AKU-ja duhet të kalojë në shërbimin ndaj qytetarëve dhe të merret me higjienën. standardet, sigurinë ushqimore. AKU-ja është një thertore në vete. E për këtë arsye, pjesë e procesit të të gjithë reformimit është dhe tërheqja nga frontet e “therjes” e përfaqësueseve të AKU-së nëpër dogana. Veshin një përparëse të bardhë e të kujtojnë thikën e kasapit që mund të kenë në përparëse, sa herë  dalin përpara. Nuk ka punë të ketë as AKU nëpër dogana e as inspektorë punësimi nëpër kompani. Mjafton një kontroll. Nuk kemi pse, sa kalon njërin dhe mendon që shpëtove, është “thika” e tjetrit.

Spitalet do hyjnë në një fazë të re. Është shpallur një konkurs publik me përfshirje të përfaqësueseve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në komisione. Shpresojmë e besojmë që nga ky proces do të nxjerrim një grup menaxherësh për të drejtuar spitalet tona e paralelisht me këtë, në 100 ditë do të realizohet në shembullin e portalit “Mësues për Shqipërinë”, edhe portali i infermiereve. Edhe infermierët u kthyen një histori e turpshme, që nuk ka shtet në botë që e bën e jo të ketë njeri në botë që ta kuptojë. Të gjithë infermierët e Republikës së Shqipërisë do të testohen, do marrin pikët, do marrin kreditet dhe asnjë parti nuk do guxojë dot t’i heqë nga puna, siç nuk guxon sot, të heqë nga puna një mësues. Asnjë parti nuk do guxojë dot, t’i fusë në punë, jo duke parë sa dinë të bëjnë gjilpërën, por thjesht e vetëm për t’i dhënë serum klientelës e për t’i dhënë serum një tradite të shëmtuar, që ka bërë që shumë infermierë me shumë eksperiencë të flaken e të marrin përparësen e shiringën infermierë që janë pa shkollë. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. E sigurisht që çlirimi i spitaleve nga barbaria e ndërtimeve lloj-lloj dhe e qirave lloj-lloj është i domosdoshëm e duhet të përfundojë.

Po ashtu shtrirja më në fund, e skemës së re të ndihmës ekonomike në të gjithë Shqipërinë do të bëjë që ndihma ekonomike të shkojë tek ata që janë vërtetë në nevojë dhe jo të shpërndahet si indulgjencë partie nga njëri, apo nga tjetri.

Edhe në shëndetësi do të ketë një reduktim drastik të shumë procedurave, duke filluar nga procedura e tmerrshme, për të cilën të gjithë deputetët e Partisë Socialiste, për katër vjet kanë pasur të paktën një rast për të trokitur në derën time, për kempin e invaliditetit. Një tmerr! Duket sikur janë vënë aq shumë stacione e kërkohen aq shumë vula, saqë invalidi të mos arrijë dot deri në fund. Një vrapim me pengesa, ku edhe po të jesh normal nga aftësitë fizike, në fund del invalid dhe jo më të jesh invalid e të dalësh normal në fund, me një copë letër që e meriton këtë mbështetje nga shteti.

E gjitha, në fund ka dy anë; Mbrojtje sipërmarrjes; Mbrojtje qytetarit. Qeveria duhet të bëhet miku më i fortë e më efektiv. Njerëzit nuk duhet të ndjejnë nevojë për t’i gjetur mik dikujt që ndjek dikë në qeveri, por duhet të kenë aksesin e drejtpërdrejtë, që qeverinë ta përdorin si mikun më të fortë për hallin e tyre. Këtë kuptim ka dhe platforma që ne e kemi tanimë online. Këtë kuptim ka dhe vendosja e një Koordinatori Kombëtar për Bashkëqeverisjen. Këtë kuptim ka dhe i gjithë procesi që Koordinatori Kombëtar me mbështetjen e strukturave të partisë dhe në bashkëpunim me gjithë qeverinë do të udhëheqë, për të ndërtuar rrjetin e koordinatorëve të bashkëqeverisjes, për të përfshirë sa më shumë njerëz në këtë bashkëqeverisje, për të bindur sa më shumë qytetarë të jenë aktivë, se është vërtetë për t’u respektuar, për t’u admiruar që një Fiks Fare, një Stop, një Boom e një Alarm kanë kaq shumë punë me denoncime, me investigime dhe është për turp që pushteti ekzekutiv në Shqipëri nuk është në lartësinë ende, për t’i dhënë qytetarëve mundësinë që të flasin drejtpërdrejtë me të e ta kërkojnë drejtpërdrejtë nga ai vetë, të drejtën që u mohohet nga vetë trupat, apo mashat, apo gishtat e organizmit të pushtetit.

Ne duhet të jemi në ballë të kësaj, për të ndërtuar besueshmëri. Njerëzit kanë shumë të drejtë të mos kenë besim e të thonë, çfarë është kjo histori, një portal, si portalet e radhës, një faqe si faqet e radhës dhe nuk ia vlen. Ne do provojmë që ia vlen. Ne do të ndjekim çdo rast e do ndëshkojmë çdokënd që i del përpara qytetarëve dhe i pengon në ushtrimin e të drejtës së tyre. Në fund fare, të drejtën për të folur në Shqipëri e kanë të gjithë, problemi është kush e ka të drejtën për t’u dëgjuar e ky mekanizëm i bashkëqeverisjes është mekanizmi që i jep akses dëgjimi atyre që janë të gatshëm të flasin, jo vetëm për ankesat që kanë drejtpërdrejt lidhur me një ngjarje të drejtpërdrejtë, me një shfaqje të drejtpërdrejtë abuzivizmi, apo me një sjellje të drejtpërdrejtë turpi në zyrat e shtetit, por edhe për çfarë ata mund të kontribuojnë në funksion të qeverisjes.

Kjo është rruga jonë. Saimiri tha një fjalë që unë dua ta përsëris; Ne kishim dy rrugë, të merrnim një mandat të dytë në bashkëpunim me partitë, apo të kërkonim një mandat të dytë në bashkëpunim me njerëzit. Zgjodhëm të dytën. Zgjodhëm më të vështirën. Morëm atë që kërkuam. Tani duhet që këtë pushtet, t’ua bëjmë njerëzve konkret e t’ua bëjmë njerëzve ta ndjejnë të tyre për hallet e tyre, në radhë të parë. Nuk ka asnjë arsye që një sipërmarrës të negociojë me agjentët tatimorë. Të negociojë për shkak se e marrin peng me lloj-lloj interpretimesh, për t’i marrë lekë. Ka vetëm një gjë për të bërë, të dërgojë menjëherë sinjalin se është në kushte të vështira dhe ne kemi detyrën të japim provën që, sa herë që ne e marrim këtë sinjal, ia heqim pengesën dhe ai person/ata persona që guxojnë ta marrin peng një sipërmarrës nuk mund të jenë më pjesë e strukturave të shtetit.

Bashkim Fino foli për zgjedhjet në parti. Ne kemi bërë një proces dëgjimor një muaj. Shumëkush e përqeshi, por fakti është që ka qenë një proces jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse kemi lexuar me shumë kujdes kuptimin e rezultatit të 25 qershorit dhe kemi nxjerrë shumë të dhëna. Është koha tani që ne të hyjmë në procesin e ripërtëritjes dhe të zgjedhjeve në të gjitha ato organizata ku ne kemi marrë një rezultat më të ulët sesa në vitin 2013. Janë 1480 organizata. Janë 16 bashki ku në 50% të njësive administrative, rezultati ka qenë më i ulët. Kjo duhet analizuar dhe duhet vepruar, për të mos lejuar që kjo të përsëritet.

Në përfundim të kësaj pjese dëshiroj të nënvizoj që, pavarësisht se çfarë thuhet nga ata që nuk kanë sesi ta kuptojnë çfarë ne po bëjmë, sepse po ta kuptonin, do e kishin bërë kur e kishin vetë në dorë pushtetin, lidhur me të gjithë strukturimin e pushtetit ekzekutiv, të ministrive, të agjencive, të inspektorateve, të strukturave brendapërbrenda të gjithë piramidës së ekzekutivit, ky është një proces që do të vazhdojë dhe është një proces për ta bërë ekzekutivin shumë më efikas.

Në këtë proces hyn edhe zgjedhja e zëvendësministrave. Ju e dini si janë gjetur zëvendësministrat në 27 vjet. Kanë qenë përgjithësisht qoka partish, kanë qenë përgjithësisht indulgjenca, apo shprehje respekti për figura me vlerë, për personazhe me kontribute. Ka pasur momente në historinë e këtyre 27 viteve që banaliteti në këtë aspekt ka shkuar deri në ekstreme, që iu është dhënë një veturë, iu është dhënë një celular dhe iu është thënë, mos u duk më tani në godinë, se ja ku i ke këto të dyja, edhe sekretarin zgjidhe vetë.

Ne kemi bërë një proces dymujor për të identifikuar individë, të cilët nuk do të jenë thjesht mbushës të karrigeve, apo të atyre kutive të organigramës për zëvendësministra, po do të jenë pjesë e ekipit drejtues të çdo ministrie. Siç e kemi diskutuar edhe me anëtarët e qeverisë, reduktimi i numrit të ministrive, rritja e barrës politikëbërëse dhe ulja e barrës administrative nga ministritë, heqja e shumë procedurave administrative, licencave e historive të tjera dhe domosdoshmëria për të rritur kapacitetin politikëbërës dhe programues të ministrive kërkojnë një lidership ndryshe. Po ashtu kërkojnë që të kalojmë nga një traditë, ku ministritë janë drejtuar nga një ministër me një rreth të ngushtë njerëzish dhe ku administrata përgjithësisht ka mbetur mbrapa, në një drejtim ku të ketë një lidership të fortë nga ana e ministrave, po ku sigurisht të ketë ekipe zëvendësministrash, që të mbulojnë sektorët brendapërbrenda ministrive dhe të garantojnë koordinimin e duhur të punës në çdo sektor, për të përputhur vizionin dhe orientimet e lidershipit me domosdoshmërinë e një kapaciteti ekzekutiv shumë më të lartë.

Atëherë po vijoj me përzgjedhjen zëvendësministrave që do të shoqërojnë në këtë proces ministrat, në përpjekje për të çuar përpara gjithë këtë punë kolosale që kemi marrë përsipër.

Në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë do të kemi katër zëvendësministra. Numri i zëvendësministra është pak a shumë ai që ishte dhe nëse janë katër, apo tre diku tjetër, kjo vjen si rezultat i  zgjerimit të përgjegjësive të ministrive.

Një zëvendësministër do të jetë Erjon Luçi, i cili është Dr. Shkencash në Ekonomi nga Universiteti i Staffordshire dhe aktualisht punon në ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë në këtë detyrë, ndaj nuk po zgjatem më tutje me biografinë e punës së tij.

Zëvendësministrja që do të mbulojë sektorin e ekonomisë do të jetë Albana Shkurta. Albana Shkurta ka një eksperiencë disavjeçare në fushën e financave dhe në atë akademike. Që prej vitit 2010 shërben si CEO në një kompani të rëndësishme. Mban titullin Master në Marketing nga Universiteti i Tiranës dhe aktualisht kryen studimet Master në Universitetin Ekonomik të Vjenës. Ka qenë po ashtu, pjesë e një sërë kursesh prestigjioze studimore, nga kursi për vendimmarrje në Shkollën Ekonomike të Londrës, deri tek kursi për udhëheqje organizatash në Shkollën e Biznesit Columbia University në New York.

Zëvendësministrja që do të mbulojë punësimin dhe arsimin profesional do të jetë Dajna Sorensen. Dajna Sorensen është një qytetare shqiptare, po e martuar me një qytetar danez. Jeton në Shqipëri. Vjen nga një karrierë e gjatë në programet e zhvillimit të Kombeve të Bashkuara. Është analiste programesh dhe zëvendësdrejtuese skuadre, eksperte punësimi, konsulente kombëtare dhe menaxhere projektesh kombëtare. Ka kryer studimet Master në Ekonomi në Universitetin e Guelph-it në Kanada dhe ka studiuar në Universitetin e Uashingtonit Perëndimor.

Zëvendësministri i katërt i Financave dhe Ekonomisë do të jetë Elton Haxhi. Është diplomuar për Financë dhe Kontabilitet në Universitetin e Tiranës. Është një nga anëtarët e parë të Bordit të Mbikëqyrjes Publike të Ekspertëve Kontabël, të regjistruar dhe aktualisht është anëtar i Këshillit Kombëtar Tatimor. Është themelues që prej vitit 2009 dhe ndërkohë, drejtues i një shoqërie auditimi “Baker Tilly International”, dega Tiranë. Ka punuar po ashtu dhe për KBNG dhe Ernst & Young.

Zëvendësministrat e Energjisë dhe Infrastrukturës:

Enis Aliko, i cili mban titullin Master në Inxhinieri Shpimi dhe Nafte nga Instituti Algjerian i Naftës, është diplomuar në Inxhinieri Mekanike në Universitetin e Tiranës. Ka qenë prej shumë vitesh i angazhuar në menaxhimin e aplikimeve inxhinierike rajonale, menaxhimin e prodhimit për shpimet në Europë, Afrikë Rusi, Kaspik dhe inxhinier distrikti në Itali. Ka një CV shumë të gjatë. Ka një njohje të shumë gjuhëve dhe faktikisht sjell një eksperiencë unikale në këtë ministri.

Zëvendësministri tjetër i Energjisë dhe Infrastrukturës do të jetë Hantin Bonati, i cili më parë ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Punëve Brendshme dhe për një periudhë relativisht të gjatë kohe mbulon detyrën e Sekretarit në Sekretariatin Kombëtar të Ujit. Është një menaxher absolutisht i veçantë dhe besoj se do të jetë një vlerë e shtuar në këtë Ministri, për të drejtuar nën lidershipin e ministrit, të gjithë reformën dhe transformimin e domosdoshëm në sektorin e ujit.

Zëvendësministrja e tretë e kësaj Ministrie do të jetë Dorina Çinari, e cila mban titullimin Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i New York-ut në Tiranë dhe nga IUKB e Zvicrës, pasi ka mbaruar studimet në Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës. Që prej vitit 2014, ajo ka qenë drejtore e Inspektoratit Kombëtar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse dhe ndërkohë ka pasur një kontribut të posaçëm në të gjithë ndërveprimin mes Ministrisë së Energjisë dhe donatorëve, duke treguar një kapacitet shumë të vlerësueshëm në lidhje me ngritjen e fondeve për projekte prioritare të Ministrisë.

Zëvendësministri i fundit do të jetë Artan Shkreli. Artan Shkrelin besoj ju e njihni. Nuk ka nevojë t’i bëj një CV të gjatë. Aktualisht është lektor në Historinë e Arkitekturës Botërore Bashkëkohore dhe në Historinë e Arkitekturës Shqiptare. Njëkohësisht ka punuar prej vitesh më parë, qoftë si këshilltar i Kryeministrit për Territorin, qoftë si këshilltar i Kryeministrit për Trashëgiminë, qoftë si Drejtor i Institutit të Monumenteve dhe së fundmi vazhdon si këshilltar i Kryeministrit.

Për Ministrinë e Brendshme do të kemi dhe këtu 4 zëvendësministra:

Rovena Voda është zëvendësministrja aktuale, e diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Master i Shkencave në Të Drejtë Private. Që prej majit 2017 mbulon këtë detyrë dhe do të vazhdojë ta mbulojë këtë detyrë.

Zëvendësministri tjetër i Brendshëm do të jetë Juljan Hodaj. Është diplomuar në Drejtësi nga Universiteti i Bolonjës në Itali. Mban titullin Avokat që prej vitit 2004 në Itali. Është i pajisur me certifikata nga Universiteti i Bolonjës dhe Këshilli Kombëtar i Avokatisë, sa i përket punës kërkimore mbi legjislacionin e shoqërive tregtare. Që prej vitit 2006 ka punuar si këshilltar ligjor pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE.

Zëvendësministrja tjetër e Brendshme do të jetë Romina Kuko, e cila ka kryer studimet në universitetin e Sheffield-it. Mban titullin Master në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me diplomë në Studimet Politike nga Shkolla e Studimeve Politike e Këshillit Europës dhe ka një sërë certifikimesh në fushën e të Drejtave të Njeriut, krimeve të urrejtjes, teknikave të negocimit, proceseve zgjedhore e kështu me radhë. Edhe Romina Kuko ka punuar si koordinatore projektesh dhe menaxhere në Departamentin e Bashkëpunimit për Çështjet e Sigurisë në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

Zëvendësministri i katërt është Besfort Lamallari, i cili është diplomuar në universitetin e Oxford-it në programin Master Shkencash në Kriminologji dhe Drejtësi Penale. Ka ndjekur studimet pasuniversitare në Itali, program Master dhe është trajnuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Akademia e Studimeve Politike. Masteri i tij, si dhe e gjithë puna e tij shkencore, autor i shumë raportesh, është krimi i organizuar.

Zëvendësministrat e Europës dhe Punëve të Jashtme do të jenë tre:

Zëvendësministrja që do të mbulojë integrimin do të jetë Klea Maliqi, e cila është diplomuar Juriste në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera. Më pas ka ndjekur studimet Master në Të Drejtën Ndërkombëtare, Tregtare dhe Europiane në Universitetin e Sheffield-it në Mbretërinë e Bashkuar, ku është vlerësuar me “Distinction”. Më tej ka thelluar veprimtarinë studimore kërkimore në Universitetet e Oxford-it, Bolonjës, Hamburgut dhe Roterdamit si fituese bursash dhe ka ndjekur një numër të panumërt kursesh profesionale që këtu nuk po i numëroj.

Zëvendësministrja tjetër për Europën dhe Punët e Jashtme do të jetë Artemisa Dralo, e cila mban titullin Docent dhe gradën Doktor i Shkencave nga Universiteti i Tiranës. Ka përfunduar studimet e larta në degën Gjuhë Angleze në Universitetin e Gjirokastrës, ku aktualisht është edhe pedagoge. Është njëkohësisht edhe një nga deputetet e listës sonë të vitit 2017, si dhe përfaqësuese e minoritetit.

Zëvendësministri i tretë, i cili do të mbulojë diplomacinë ekonomike është Etjen Xhafaj. Etjeni ka edhe ai, një CV të pasur. Ka përfunduar studimet në Diplomaci, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ekonomi në Universitetin Ndërkombëtar Schiller në Paris. Po ashtu ka marrë një diplomë Master në Administrimin Publik nga Shkolla Kennedy e Qeverisjes në Universitetin e Harvardit në Cambridge. Në të njëjtën kohë ka punuar edhe pranë kabinetit të ministrit aktual të Financave dhe të Ekonomisë.

Zëvendësministri i Mbrojtës do të rikonfirmohet Petro Koci. Nuk ka nevojë t’i bëj një prezantim të gjatë, por dua të them vetëm se në punën e tij si zëvendësministër ka krijuar një reputacion të admirueshëm tek të gjithë, pa përjashtim, tek personeli, tek trupa dhe tek partnerët ndërkombëtarë.

Zëvendësministrat e drejtësisë do të jenë dy:

Toni Gogu, i cili mban titullin Master në Të Drejtë Publike pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Është aktualisht drejtor kombëtar i World Vision për Ballkanin Perëndimor (Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën), si dhe drejtor kombëtar i World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën. Ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, drejtor i Departamenti Juridik në Bankën e Shqipërisë. Më parë ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Kërkimeve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe kancelar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Zëvendësministrja tjetër e Drejtësisë do të jetë Teuta Vodo, e cila ka përfunduar studimet doktorale për Shkenca Politike dhe Sociale në Fakultetin e Shkencave Politike e Sociale në Universitetin Libre de Bruxelles. Është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Mban titullin Master i Shkencave në Politika Ndërkombëtare nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin La Sapienza në Itali. Prej vitit 2014, Teuta është hulumtuese e Politikave Europiane pranë Parlamentit Europian. Ka një aktivitet goxha të gjerë për një karrierë relativisht të shkurtër dhe besoj do jetë një vlerë e shtuar në Ministrinë e Drejtësisë.

Në shëndetësi do të rikonfirmojmë si zëvendësministre Mira Rakacollin, e cila mban titullin akademik Profesor nga Fakulteti i Mjekësisë e që faktikisht është në detyrën e zëvendësministres qysh prej majit 2017. Mbi të gjitha, përveç karrierës akademike dhe personalitetit të saj si mjeke dhe të gjithë punimeve të saj shkencore në fushën e Neurologjisë, Mira Rakacolli meriton vërtetë një vlerësim dhe do të jetë një vlerë e shtuar, jam i bindur, për të çuar përpara reformat në sektor, pas eksperiencës së shkëlqyer si dekane e Fakultetit të Mjekësisë, ku ishte personi që i dha fund korrupsionit me specializimet, fakt i pranuar botërisht nga të gjithë dhe i pamohuar, si rrallë ndonjëherë ndër shqiptarët, nga askush që nuk arriti dot të fitonte specializimet, që vetëm për korrupsion më nuk ankohej.

Bardhylka Kospiri është një zëvendësministre aktuale, e cila është një përfaqësuese dinjitoze e të gjithë grupit social të personave me aftësi të kufizuar. Ka një biografi pune dhe studimesh impresionuese. Nuk po zgjatem më tutje, për shkak se të gjithë e njohin, por mund të them vetëm kaq, ka shërbyer si konsulente për organizata ndërkombëtare që nga OSBE-ja, GTZ-ja, UNDP-ja e me radhë.

Ilirjana Bajraktari vjen nga eksperienca e saj si kryetare e Komitetit Shëndetësor në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Kosovë dhe mban gradën Doktor në Shkencat Mjekësore, në Universitetin e Graz-it. Ilirjana Bajraktari është konsulente e pavarur profesionale shëndetësore në organizata të ndryshme në Zvicër, me kahje zhvillimi i integruar shëndetësor për Ballkanin Perëndimor. Është menaxhere e politikave dhe sistemit shëndetësor në një sërë organizatash jofitimprurëse, pranë zyrës rajonale për Europën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kopenhagen dhe në Prishtinë, si dhe konsulente projektesh për shëndetin e nënës dhe të fëmijës pranë Aleancës Amerikane Ndërkombëtare të Shëndetësisë në Uashington. Ka kryer studimet Master në Shkencat e Jetësimit të Kujdesit Shëndetësor pranë Tuck School of Business, Geisel School of Medicine, ku dhe ka drejtuar një program multidisiplinar.

Ardiana Jaku, besoj e njihni të gjithë, ishte në listën e deputetëve të Partisë Socialiste të Lezhës dhe vjen në këtë detyrë, pas një pune të lavdërueshme si drejtore rajonale e Shërbimit Social Shtetëror të Qarkut Lezhë. Me Ardianën kompletohet dhe pjesa e shëndetësisë.

Në arsim, Besa Shahini vjen nga një eksperiencë si themeluese, drejtore e pleniumit për arsim në Prishtinë. Analiste e pavarur politikash pranë Giz-it në Bankën Botërore, me titullin Master në Politika Publike dhe nga shkolla e qeverisjes Hertie në Berlin. Besa ka punuar për një kohë të gjatë si analiste politikash pranë Iniciativës Europiane për Stabilitet në Berlin, si dhe ka një eksperiencë të gjerë si ligjëruese, asistente pedagoge dhe hulumtuese në Universitetin e York-ut në Toronto dhe në Institutin për Studimet Ndërkombëtare në Barcelonë. Është autore e një sërë publikimesh dhe në fakt, protagoniste e një sërë përpjekjesh shumë impresionuese lidhur me arsimin.

Ervin Demo mban titullin Profesor i Asociuar i Shkencave Ekonomike në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës dhe studimet postdoktoriale i ka kryer në Universitetin e Bolonjës në Itali. Ka mbajtur pozicionin e zëvendësrektorit në kërkimin shkencor dhe marrëdhëniet me jashtë dhe i ka ndjekur studimet e larta në Universitetin e Westminster dhe në Universitetin e Kingston në Mbretërinë e Bashkuar.

Fushën e sportit do ta mbulojë Kostandin Shkurti. Besoj që është i njohur për të gjithë. Është i njohur për pjesën e kontributit të tij si sportist dhe si militant në fushën e zhvillimit të sportit, por njëkohësisht, për ata që nuk e njohin tërësisht, ka dhe një aktivitet të gjatë qysh prej shumë e shumë vitesh si menaxher në ndërmarrje të ndryshme.

Rininë do ta mbulojë Shpati Kolgega. Shpati është i njohur për të gjithë ju si protagonist i garës së FRESSH-it dhe si nënkryetar i FRESSH-it, përveçse edhe si deputet i listës së Tiranës.

Zëvendësministrat e Turizmit dhe Mjedisit:

Ornela Çuçi, Doktore Shkencash dhe Teknologjisë së Mjedisit nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, e cila ka punuar së fundmi edhe si këshilltare e jashtme në Kryeministri për koordinimin e strategjisë së mjedisit dhe vjen nga një eksperiencë disavjeçare si lektore përsa i përket hartimit, menaxhimit të projekteve, si dhe vlerësimit të ndikimit të mjedisit dhe legjislacionit mjedisor.

Zëvendësministri tjetër që do të mbulojë turizmin është Hajrulla Çeku, i cili ka lindur në Prizren dhe zhvillon aktivitetin e tij të deritanishëm në Kosovë. Mban titullin Master në Zhvillimin Lokal të Krahasuar nga Universiteti i Trento-s në Itali dhe ai i Regensburg-ut në Gjermani. Hajrulla Çeku ka qenë kryehulumtues për think tank-un Foreign Policy Club në Kosovë dhe është shumë i njohur për aktivitetin e tij në fushën e promovimit të trashëgimisë kulturore, me qasje zhvillimin e turizmit.

Në ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të kemi katër zëvendësministra:

Dhimo Kote. Nuk ka nevojë për prezantim më të gjatë. Po the Dhimo Kote i ke thënë të gjitha për Bujqësinë.

Ermira Rusi, e cila ka një eksperiencë shumëvjeçare në sektorin bankar dhe që prej vitit 2014 është koordinatore në Departamentin e Jetësimit të Prioriteteve në Kryeministri. Është diplomuar në Administrim Biznes dhe ka ndjekur Akademinë e Menaxhimit pranë Harvard Business School, të sponsorizuar nga Piraeus Bank Group.

Ilir Halilaj ka mbaruar studimet në Ekonomi dhe Kontabilitet në Universitetin shtetëror të New York-ut. Ka ushtruar profesionin financë dhe audit të brendshëm në disa kompani dhe ka shërbyer pastaj si drejtor i Financave dhe Administratës për fondacionin shqiptaro-amerikan.

Roland Kristo, Doktor Shkencash në fushën e Bujqësisë dhe Mjedisit dhe i specializuar në fushën e peshkimit dhe akuakulturës.

E fundit, por jo për nga rëndësia, zëvendësministre e Kulturës do të jetë Valbona Shujaku, edhe kjo është një prurje që vjen nga Prishtina. Ka mbaruar studimet për Dizajn në Universitetin e Prishtinës dhe mban titullin Master në Administrim Arti nga Universiteti i Columbia-s në New York.

Ky është ekipi i zëvendësministrave dhe zëvendësministreve që do të zyrtarizohet në fillim të javës së ardhshme.

Ndërkohë që sot ka dhe dy punë për të bërë Asambleja. Së pari, për të bërë kooptimin e një grupi deputetësh të listës fituese të 25 qershorit, që nuk u përfshinë në grupin parlamentar. E dyta, për të riangazhuar formalisht si anëtare Asambleje Valentina Leskajn, sepse ka qenë paraprakisht për shkak të funksionit, që do të thotë se duhet të vazhdojë edhe kontributin e saj si anëtare e kryesisë së partisë.

Kandidatët për t’u kooptuar janë si vijon: Arben Konomi nga Berati, Halit Palamani dhe Lindita Tako nga Dibra, Ana Dhamo nga Durrësi, Florenc Spaho dhe Ana Muça nga Elbasani, Artemisa Dralo dhe Laert Duraj nga Gjirokastra, Ardit Konomi dhe Enslevera Zrake nga Korça, Safet Gjici dhe Valbona Doçi nga Kukësi, Ardiana Jaku dhe Frank Mato nga Lezha, Paulin Luli dhe Teuta Qyteza nga Shkodra, Milena Harito dhe Spartak Braho nga Tirana, Elona Hodaj dhe Ramiz Husi nga Vlora. Besoj jeni dakord që të gjithë këta kontributorë të përpjekjes sonë të përbashkët të përfshihen në Asamble.

E fundit, por jo nga rëndësia, do i kërkoja Asamblesë Kombëtare që boshllëkun e detyruar, por aspak të mirëpritur që lë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste i deri para dy orë, ta përmbushë për analogji, kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, i cili, besoj, është njeriu i duhur për të marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste.

Faleminderit!

Më shumë

Artikuj të ngjashëm