Lajme

Berisha: Shqipëria dhe Kosova, me një marrëveshje ndështetërore duhet t’ju njohin qytetarëve të tyre të drejtën e ndësjelltë të shtetësisë që duan!

Shqipëria dhe Kosova, me një marrëveshje ndështetërore duhet t’ju njohin qytetarëve të tyre të drejtën e ndësjelltë të shtetësisë që duan! sb

– Intervistë radiofonike dhënë gazetarit Ermal Panduri për Radio Dukagjini!

ERMAL PANDURI: Në linjë telefonike kemi në Tiranë zotin Sali Berisha. Përshëndetje zoti Berisha!

SALI BERISHA: Përshëndetje Ermal, juve, ekipit dhe dëgjuesve tuaj.

ERMAL PANDURI: Dje presidenti Meta u përball me një kërkesë nga presidenti Thaçi për pajisje me pasaportë shqiptare për qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë që të thyhet muri shengen për qytetarët e Republikës së Kosovës.

SALI BERISHA: Së pari unë përkrah dhe mbështes çdo hap që njëson praktikat e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë. Së dyti, lidhur me problemin konkret unë mendoj se një qëllim tjetër më madhor duhet të qëndrojë prapa këtij propozimi të drejtë. Pra është e domosdoshme që qeveria e Kosovës dhe qeveria shqiptare, të firmosin si dy vende të pavarura, por që ndajnë një komb unik, të firmosin marrëveshjen mbi shtetësinë, në përputhje me të cilën çdo shqiptar që banon në Shqipëri do ketë automatikisht në një formular dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe anasjelltas. Kjo është parashikuar në një vendim të qeverisë së mëparëshme të vitit 2012, në të cilën duke studiuar me vëmëndje legjislacionin…. Ju e dini që ka ekzistuar një dekret i presidentit i vitit 1992, që i njihte shtetësinë shqiptare shqiptarëve kudo që jetonin në trevat e tyre ose në botë. Ky dekret, për fat të keq, nga pozicione albanofobike u la mënjanë dhe u bë një ligj, i cili pengonte në mënyrat më maksimale marrjen e shtetësisë shqiptare nga shqiptarët. Megjithatë, duke e studiuar atë ligj me ekspertët më të mirë arritëm që të bëjmë një vendim, në përputhje me të cilin, shqiptarët kudo që ishin, përveçse në Republikën e Kosovës, merrnin shtetësinë shqiptare kundrejt mbushjes së një formulari nëse e dëshironin atë. Per Republikën e Kosovës, duke qënë se kemi të bëjmë me një vend të pavarur, ky vendim parashikon një marrëveshje ndërshtetërore midis dy shteteve Shqipërisë dhe Kosovës, që tu njohin qytetarëve të tyre të drejtën e shtetësisë që dëshirojnë ose të dy-shtetësive.

ERMAL PANDURI: Kjo garantohet me kushtetutën e Kosovës..

SALI BERISHA: Edhe me Kushtetutën e Shqipërisë plotësisht, është e stamposur në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ky do ishte hapi që mund të bëhej pa asnjë lloj problematike, pasi unë nuk di vend në Rajon që të mos ketë adaptuar këtë për kombin e tij si të tillë, unik. Edhe ne duhet ta adaptojmë. Uroj që propozimi i zotit Thaçi të merret në mënyrë më serioze dhe qeveritë të pregatisin marrëveshjen për të drejtën e shtetësisë të shqiptarëve kudo që banojnë. Kjo pastaj zgjidh dhe probleme të tjera, por ne nuk mund të rrimë pa u dhënë shqiptarëve këtë të drejtë një minutë e më parë.

ERMAL PANDURI: A mund të sjellë kokëçarje për Shqipërinë që mund ti hiqet e drejta edhe shqiptarëve të Shqipërisë të udhëtojnë pa viza?

SALI BERISHA: Nuk synon kjo çështje e Shengen. Kjo synon vendosjen e një norme kombëtare që është jetike për kombin shqiptar. Pse paskan të drejtë kombe të tjera përreth të aplikojnë të drejtën e shtetësisë për bashkombasit e tyre në vende të tjera dhe nuk qënka problem kjo? Nuk mund të jetë Shengen një pengesë në asnjë rrethanë. Sikundër dua të them këtu, se në mënyrë absolute Kosova është një nga vendet që ka standartet më të mira përsa u përket kritereve ose kërkesave për heqjen e vizave.

Nuk arrij të kuptoj se pse qënka demarkacioni një kriter në këtë mes. Demarkacioni mund të jetë një kriter në avancimin në procesin e integrimit, kurse heqja e vizave është një e drejtë që u është njohur dhe vendeve, të cilat ndofta dhe për 100 vitet e ardhshme nuk kanë ndërmënd të integrohen në BE.

ERMAL PANDURI: Megjithatë nuk ishte një përgjigje pozitive me automatizëm nga Presidenti Meta.

SALI BERISHA: Zoti Ermal, unë mendoj se çështja duhet kapur në themel, dhe themeli duhet të jetë marrëveshja ndërqeveritare për ti dhënë përgjigjen e plotë dhe ërfundimtare çështjes së shtetësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo çështje duhet të marrë zgjidhje. Shqiptarët duhet të kenë të drejtë të mbajnë cilën shtetësi që të duan, ti mbajnë të dy shtetësitë po të duan, qeveritë nuk mund të bëhen pengesë për këtë.

ERMAL PANDURI: Megjithatë analistët e quajnë presion të zotit Thaçi në drejtin të BE në mënyrë që të lëvizë më shpejt dhe të heqë dorë nga kërkesa apo kushti siç është demarkacioni për procesin e liberalizimit të vizave.

SALI BERISHA: Unë në fakt nuk jam njëri që besoj shumë në presionet ndaj Brukselit sepse BE, mendoj unë, nuk mund të presohet nga qeveritë e vendeve të Ballkanit, por shqiptarët kanë njëmijë e një motive për ti dhënë përgjigje përfundimtare të drejtës së shtetësisë së tyre, sepse kjo ka bërë me probleme shumë herë më themelore se sa vizat, ka të bëjë me çështje pronësie dhe garancie pronësie, ka të bëjë me çështje investimesh, ka të bëjë me një seri çështjesh që marrin përgjigje dhe zgjidhjen më të mirë. Natyrisht nuk mund të injorohet dhe problemi i vizave, por jo si formë presioni sepse nuk mendoj se vendet periferike të Europës mund të bëjnë presione të madh në metropolet e saj.


Erla Mehilli

Më shumë

Artikuj të ngjashëm