Politike

Çfarë dëgjuam sot nga Lulzim Basha, Sali Berisha & Co

Krimi etnik shqiptar, kjo është fraza e dytë

Nga Taulant Balla/

“Shqiptarët nëpër botë janë kriminelë” – kjo është fraza që ka qenë në të gjitha fjalimet e deritanishme të deputetëve të Partisë Demokratike. E turpshme!

Krimi etnik shqiptar, kjo është fraza e dytë. Gjeni një prej fjalosësve të shqiptarëve në këtë krah të sallës, që kanë marrë detyrën t’i  përfaqësojnë demokratët shqiptarë, që nuk tha këtë gjë.

Nuk dua t’i fsheh fare sot gjithë dyshimet e mia se e gjithë kjo strategji pa strateg për të demonizuar emigracionin shqiptar në Angli, në Hollandë, në Francë, në Itali, kjo ndoshta është paranxehja juaj për të kundërshtuar votën e emigrantëve.

Sot po i bëni emigrantët kriminelë, e nesër në Komisionin e Reformës Zgjedhore të mos pranoni votën e emigrantëve, sepse të gjithë shqiptarët që janë në emigracion, sipas Partisë Demokratike, janë kriminelë.

Turp! Ky është një turp për atë parti e cila në vitin 1990 u krijua mbi idealet e një Shqipërie të lirë, demokratike dhe sigurisht të përfaqësimit të çdo shtrese të shqiptarëve. I keni harruar ju idealet e dhjetorit? Kjo është një çështje që pak rëndësi ka.

Fjalia e tretë ishte: “Shqiptarëve do t’u vendosen vizat”. E tha Tritani, e tha Saliu, e tha z. Lulzim, që të gjithë.

Ç’fitoni ju në rast se shqiptarëve, sipas jush, iu vendoskan vizat?

Do të doja të ndaja me ju një moment nga Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane në datë 5 shtator, në Kopenhagen. Si shqiptar më vjen keq për vetminë e madhe të kryetarit të Partisë Demokratike mes të gjitha delegacioneve. Ku një gjerman i mirë, mik i shqiptarëve, pas pesë orëve pasi kishte vështruar vetminë e z. Lulzim, i kish thënë: “Mos kujton që ne e kemi gabimin apo ti e ke gabimin?”

Ndrysho ambasadorët, Lulzim, sepse kështu si e ke nisur nuk ka për të të pritur njeri më.

Dhe gjithë kësaj historie të turpshme i vuri qershinë mbi tortë sot një sulm i papranueshëm. Me këtë na kujtove sot miken tënde të ngushtë Jozefina Topallin. Iu sule eurodeputetëve rumunë me një fyerje që shkon deri në rracizëm, se sipas teje, ashtu sikurse të gjithë rumunët, edhe shqiptarët u shiskan për para.

T’i thuash zv. Presidentit të grupit të dytë më të madh socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian, mikut tonë Viktor Boshtinaro, se është një majmun, kjo është një fyerje për të cilën sigurisht zotëria në fjalë ka të gjithë të drejtën të marrë të gjitha procedurat, sikurse i ka marrë edhe disa vite më parë ndaj zonjës Topalli, e cila më pas i kërkoi ndjesë.

Është e papranueshme që kryetari i Partisë Demokratike të bjerë  në të njëjtin batak ashtu sikurse edhe zonja Topalli.

Nëse ky e bën për t’i fituar zemrën znj. Topalli, pasi ia theu zemrën duke mos e futur në listë, kjo është puna juaj.

Është e papranueshme për këtë krah të sallës që, në evoluim e sipër, Partia Demokratike të bie poshtë e më poshtë në gjuhë, në veprim e në aksion politik.

Ju dëgjova me kujdes edhe për diçka tjetër, edhe ty kolegu im z. Spaho; me ty nuk do të doja e nuk do bëj kurrë replikë këtu, sepse të paktën ne të dy duhet të komunikojmë në mënyrë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, për të bërë së bashku reforma shumë të rëndësishme në shumë aspekte.

Jua tha vetë kryeministri: “Një vetëmbytje në një lugë uji, me të cilën ne nuk kishim asnjë lidhje”; por që reflekton defiçencat që ka rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për mënyrën se si Kuvendi i 2017-ës duhet të jetë më i hapur e më komunikues. Nëse doni, ejani në rrugëtimin tonë për bashkëqeverisjen me njerëzit, për të kuptuar edhe ju se si është të bësh detyrën e deputetit. Përgjegjshmërinë në radhë të parë e ke ndaj votuesve dhe jo ndaj kryetarit të partisë. U shprehe këtu që na paska rënë euro në raport me lekun në maj dhe qershor, kur ishte fushata zgjedhore. Ja ku e ke kursin mesatar nga viti 2013 deri sot. Ka rënë në maj, ka rënë në qershor por më shumë ka rënë në korrik euro-ja.

Në korrik nuk di të ketë pasur zgjedhje të tjera në Shqipëri përveçse brenda PD-së. Dhe nëse brenda PD-së janë blerë votat me para, kjo është gjë tjetër. Nëse do duhej, miku im Eduard Selami, kjo është gjë tjetër.

Nëse ju keni ende dhimbjet e një farse që nuk ju rriti, nuk ju shëroi në betejën brenda PD-së, kjo është çështje tjetër.

Z. Spaho, z. Basha e ju kolegë të tjerë brenda Partisë Demokratike, edhe unë jam deputet i Elbasanit dhe jam shumë i shqetësuar për të gjithë atë situatë problematike në  marrëdhëniet e shtetit me paligjshmërinë dhe luftën e paepur që Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm kanë nisur për rivendosjen e rendit e të sigurisë në Elbasan.

Dua ta ndaj me ju: paligjshmëria duhet goditur, dhe papërgjegjshmëria e deklaratave të partive të caktuara politike për të marrë krah është e papranueshme. Unë nuk e di se ku fillon logjika dhe ku mbaron argumenti, kur thoni se ne i mbështeskemi të dy bandat, ne i paskemi vënë që të zihen me njëra-tjetrën. Kjo nuk ka asnjë lloj logjike. Unë dua t’ju them që të mos përziheni as me deklarata e as me marrje krahu të njërës apo palës tjetër.

Unë nuk kam folur deri më sot dhe nuk do të flas më asnjëherë, sepse personalisht dhe bashkë me shtatë kolegët deputetë të Partisë Socialiste të Elbasanit nuk kemi asnjë lloj lidhje me asnjërin nga këto.

Kujt i djeg miza nën kësulë, le t’i djegë. Ne jemi këtu për të mbështetur fuqimisht një aksion të policisë i cili duhej ndërmarrë me kohë, që në vitin 2005 kur filloi ngjizja e këtij konflikti e më tej në vitin 2009.

Zotëria Lulzim, prej 2009 deri në 2011, ka qenë deputet i PD-së në Elbasan, njëkohësisht Ministër i Brendshëm, prandaj të mos më bëjë provokime foshnjore duke më thënë: “Ku ke qenë parmbrëmë e ku ke qenë dje.”

Unë Lulzim nuk kam bërë e nuk bëj kurrë asnjë kontratë me asnjë kriminel për të siguruar votën, ndërsa ti Lulzim po, ti ke bërë në 2009.

*Fjala në Parlament e kreut të Grupit Parlamentar njëherësh deputetit të Partisë Socilaliste, Taulant Balla

Më shumë

Artikuj të ngjashëm