Kulture

Çmimi “Kadare” në letërsi këtë vit vjen me risi

Në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës” që organizohen në Razëm më 26-28 maj 2017, Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin Europian të Tiranës organizon konferencën Kombëtare Shkencore “Kujtesa dhe Letërsia” dhe Institucioni Europian PASHKO jep çmimin “KADARE” 2017 për prozën shqipe.

Çmimi “Kadare” në letërsinë shqipe, i kthyer tashmë në traditë, këtë vit vjen me disa risi.

Dhënia e çmimit për prozën më të mirë shqipe, që mbështetet nga Institucioni Europian PASHKO në UET, bëhet gjatë organizimit të “Ditëve Letrare të Razmës” që mbahen në Razëm më 26-28 maj 2017.

Po gjatë këtyre ditëve do të zhvillohet edhe konferenca Kombëtare Shkencore “Kujtesa dhe Letërsia”, organizuar nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin Europian të Tiranës.

kadare

Konferencë shkencore për letërsinë

Ditët letrare të Razmës në vitin e tretë do të kthehen në një konferencë shkencore të mirëfilltë, të organizuar nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin Europian të Tiranës me temë “Kujtesa dhe Letërsia”.

Shefja e këtij departamenti Dr.Belina Budini, thotë se “kjo është një risi që tenton që përveç promovimit të letërsisë shqipe të vendosë përballë edhe kritikën dhe studimin e kësaj letërsie”.

“Ne ftojmë të gjithë studiuesit e letërsisë që të bëhen pjesë e kësaj konference duke aplikuar pranë këtij departamenti”.

Në fund të konferencës, referimet do të përzgjidhen nga bordi shkencor për t’u botuar në revistën Polis”. Kjo nismë e UET-it vjen në kuadër të zgjerimit të tij dhe me një degë të veçantë për letërsinë që pritet të hapet vitin tjetër akademik.

Ndryshon juria e çmimit “Kadare”

Çmimi “Kadare” me vlerë 10 mijë euro, që akordohet nga Instituti Europian PASHKO në UET për prozën më të mirë, shënon këtë vit edicionin e tretë.

Ai është marrë nga shkrimtari Rudolf Marku dhe Shkëlqim Çela në dy edicionet e shkuara.

Juria vjen me një përbërje të re dhe me kryetar të ri.

Shkrimtari Bashkim Shehu i është bashkangjitur kësaj jurie duke marrë dhe kryesimin e saj.

Më tej në përbërje të saj janë studiuesi dhe shkrimtari Agim Baçi, shkrimtari Ylljet Aliçka, studiuesja dhe gazetarja Mirela Oktrova dhe Ledia Dushi, poete, përkthyese e studiuese e letërsisë.

Juria është mbledhur disa herë që pas lançimit të çmimit “Kadare” 2017 dhe deri më tani ka marrë në dorëzim 15 dorëshkrime për këtë konkurs.

Deri më datë 10 maj juria mirëpret shkrimtarët shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare që të dorëzojnë dorëshkrimet e tyre në emailin: ledia.dushi@uet.edu.al.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

Lexoni edhe...

Close