Kuriozitete

Dr. Polikron Çela: Si të mbrojmë vajzat nga dëmtimet e organeve gjenitale

Këto organe kaq delikate, janë në kontakt të vazhdueshëm me mjedisin e jashtëm, prandaj çdo veprim i pakujdesshëm, sado e vogël në dukje, bëhet shkak për pasoja, të afërta apo të largëta.. Vitet e fundit, ka një rritje të sëmundjeve të organeve gjenitale dhe kjo ka arsyet e veta. Midis tyre do të veçoja: shkeljen e rregullave më elementare të higjienës (veçanërisht në fëmijët e lënë nën kujdesin e të tjerëve). Në vend të shpëlarjes tradicionale me ujë të rrjedhshëm ose kamomil, sot përdoren lloj-lloj shampo e kimikate. Me preteksin e mbrojtjes së lëkurës, në vend të lihen të ajrosen e të “thahen”, përdoren lloje të ndryshme pudrash, kremrash, spraje, letra të lagura etj.

Vendin e të mbathurave të bollshme prej fanellate, e kanë zënë sintetiket apo gjoja prej pambuku, të ngushta e me shtrat tepër të hollë (vajzat i duan si ato që shohin në T.V). Fustanet ju a kanë lënë vendin getave e pantallonave që i shtrëngojnë e mezi-mezi vishen. Fillimi i parakohshëm i marrëdhënieve seksuale, është një dukuri tjetër, fatkeqësisht në rritje e tepër të rrezikshme. Shifra të frikshme dëgjojmë nga shtrirja e drogës në moshat e vogla; në këto rrethana për të siguruar lekët për blerjen e tyre, ndodh të kryerjen marrëdhënie seksuale me pagesë (prej tyre mund të marrin dhe infeksione). Në këto rrethana do të këshilloja prindërit të tregohen më të vëmendshëm dhe të mos bien pre e çdo reklame, po të dëgjojnë më tepër këshillat e Pediatërve. Më pak liberalë e besim të tepruar lidhur me shoqëritë e vajzave, ndryshimin e sjelljeve të tyre dhe largimet nga shkolla.

Skuqja e lëkurtës të organeve gjenitale (intertrigot)

Njihen dhe me emrin Dermatite nga panolinat; po kujdes, ky emër s’ka të bëjë fare me cilësinë e pampersit, apo të pelenave, po me zonë e mbuluar prej tyre. Intertrigot janë më të shpeshtat gjatë vitit të parë të jetës. Në të shumtën e rasteve skuqja shtrihet dhe në lëkurën e të ndenjurave. Fillimisht lëkura merr ngjyrë rozë të çelur, po nëse nuk merren masa në kohë, bëhet më e ndezur, shoqëruar me ënjtje të lehtë, nxehtësi lokale, “petëzme” të holla dhe fshikëza të vogla, duke shkaktuar djegie e dhimbje, të cilat në të vegjlit shprehen më grindje, qarje në dukje pa shkak, rënie të humorit e prishje të gjumit. Një problem më vete përbën shtrirja në brendësi të mukozave të vaginës.

Pse ndodhin? Shkaqet lidhen me një sërë faktorësh, të veçuar ose të ndërlidhur me njëri-tjetrin, po qëndrimet e zgjatura në mjedis me lagështirë dhe nën veprimin e urinës, dëmtimin e lëkurë nuk mund të parandalojnë, qoftë dhe pampersi më cilësor.

Më poshtë, po përmend disa prej shkaqeve të tjera. – Kontakti i zgjatur me feçie nga ndërrimi i rrallë (ndodh sidomos gjatë udhëtimeve), mbështjellja me materiale plastmasë për të mos lejuar daljen e lagështirës jashtë ose gjatë sëmundjeve diaroike. – Të predispozuar janë fëmijë me dermatit atopik (populli e quan rrjebull), me lëkurë. Delikate, alergjikë ose me ekzema në këto organe. – Përdorimi i lëndë që shkaktojnë irritim të lëkurës; mund të jenë pudrat, kremrat, sapunët, vajrat, letrat e lagura, lënë kimike për larjen e pelenave apo të mbathurave etj. – Mbivendosja e Infeksione. Mjedisi me lagështi e ndryshimet që përmenda, krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin sidomos të mykut (kandidozës) dhe të mikrobeve. Mos i mbështillni tepër, po lërini sa më lirshëm. Për fëmijët më të rritur, asnjëherë të mbathura sintetik e tepër të ngushta. – Dhënia me filxhan e lëngut të mishit (e bëjnë disa prindër) ose fillimi i zakonshëm i supave (mbas moshës 5-6 muaj) po me lëng mishi të koncentruar. – Si mund të parandalohen? Mbajtja e lëkurës e thatë dhe sa më pak e lagur, janë ndër më kryesoret, prandaj mbas ço larje ose shpëlarje lëkura më tepër të thithet se të fshihet me një peshqir ose pecetë pambuku, të lihet pak të ajroset, mandej të vendoset pampersi. Përdorimi i pudrave apo i çdo lënde që reklamohet (kremra, pomada, vajra e lënde kimike), jo vetëm pengojnë ajrosjen normale të lëkurës po disa shkaktojnë dhe irritim të saj. Si mjekohen? Ndërroni sa më shpesh, shpëlajeni me ujë të rrjedhshëm, ose kamomil, thithini më tepër se sa ti fshini dhe mos përdorni asgjë lokalisht po lërini sa më gjatë pa pelena ose pampers (sidomos tani që temperatura e mjedisit po rritet) dhe kini për të parë si do të ndryshojë lëkura që sapo ka filluar të skuqet. Nëse brenda 3-4 ditëve nuk shihni përmirësime, lidhuni pa humbur kohë me mjekun. Ai duke parë gjendjen mund të rekomandojë medikamenti kundër mykut ose kryerje analize.

Mahisjet e vaginës dhe të vulvës

Në shumicën e rasteve mahisjet e brendshme të vaginës shoqërohen dhe me atë të zonës rreth saj e quhet Vulvovaginit; sëmundje mjaft të shpeshta të çdo moshe duke filluar nga ajo e muajve të parë. Ato mund të jenë episodike, të përsëritura ose të zgjatura e kronike. Skuqjet dhe sekrecionet me aromë të rëndë nga vagina, tërheqin gjithmonë vëmendjen, ndërsa shumë nga shenjat e tjera si kruarjet, dhimbjet gjatë urinimit, urinimin e shpeshtë, urinimi i pavullnetshëm në gjumë etj, varen nga mosha. Kujdes, nuk duhen marrë për infeksione, sekrecionet normale në të porsalindurat as ato para fillimit të ciklit menstrual.

Faktorët që favorizojnë Vulvovaginitet mund të ndahen në 2 grupe. I – Të lidhura me mosrespektimin e rregullave të higjienës, vesi i disave për ngacmimin e organeve gjenitale, përdorimi i çdo gjëje që reklamohet, kapsllëku dhe predispozicioni. II – afërsia me vrimën e jashtëqitjes (favorizon kalimin e infeksioneve), buzët e vaginës të pa zhvilluara plotësisht (nuk arrijnë të jenë vazhdimisht të puthitura), mungesa e qimeve dhe sistemi mbrojtës lokal, ende i pa zhvilluar.

Cilët janë shkaktarët

Në shumicën e rasteve shkaqet duhen kërkuar në mosrespektimin e rregullave të higjienës (sidomos të organeve gjenitale), çka u hapur rrugë infeksioneve të ndryshme.. Vulvovaginitet mund të shfaqet dhe në kuadrin e disa sëmundjeve me lokalizime dhe në këto organe si rrjebulli, ekzema, në kuadër të Varicelës, Skarlatinës etj. Me gjithë rekomandimet për mos përdorimin e letrave të lagura për pastrimin e organeve gjenitale, ato vazhdojnë të përdore gjerësish, jo vetëm nga nënat, por dhe në disa çerdhe. Gjetja e shkaktarëve ka rëndësi të veçanta për trajtimin e tyre, prandaj duhen kryer analiza e sekrecioneve. Më poshtë kini disa nga format më të zakonshme.

Vulvovaginite që nuk shkaktohen nga mikrobe.

Janë rrjedhojë e shkeljeve të rregullave të higjienës së organeve gjenitale dhe zonës përreth, përdorimi i sapunëve e shampove të papërshtatshme, apo spray për higjienën intime, letra higjienike të ngjyrosura e parfumuara etj. Ndikojnë gjithashtu pelenat e ashpra, mbathjet elastike nga materiale sintetike, xhinset tepër të ngushta etj. Në këto raste sekrecionet marrin ngjyrë në kafe të celur ose në të gjelbër dhe me erë të rëndë. Nëse nuk merren masa, mund të mbivendosen infeksione dytësore (mikrobe të grupit koli të ardhur prej zorrëve nëpërmjet fecieve ose streptokë e stafilokokë të fytit, transportuar me anë të duarve të palara).

Vulvovaginit nga mikrobe.

Në shumicën e rasteve shkaktohen nga Kandida, Gardinerella vaginalis dhe Trikomonas. Krahas tyre mund të gjenden dhe mikrobe të ardhur nga zorrët nëpërmjet fecieve ose mikrobe të gojës, fytit ose plagëve (të transportuar me duar). Më rrallë haset Klamidia dhe Gonokoku (nëse gjendet gonokok, vërteton se është abuzuar seksualisht).

Vulvovaginite nga trupa të huaj.

Duhet dyshuar për ndonjë trup të huaj, sa herë sekrecionet vaginale zgjasin (pavarësisht nga masat e marra), marrin erë të rëndë, aq më tepër kur shoqërohen me gjak. Trupi i huaj më i shpeshtë, për të gjitha moshat, është letra higjienike (gjatë muajve të parë si rrjedhojë e pakujdesisë së nënës, në vazhdim për gabime të vetë vajzave). Në ndonjë rast, vajzat e vogla, duke luajtur me organet gjenitale fusin çdo send që u bije në dorë, i cili më vonë bëhet shkak për mahisje të zgjatura. Sipas, disa studimeve trupat e huaja janë gjetur deri në 18% në vajzat të moshës së para puberteti me sekrecione hemorragjike dhe në rreth 50% në moshat e pubertetit.

Si mund të parandalohen?

Për të gjitha moshat, thelbësore, po e përsëris (jo pa qëllim) është respektimi i normave të thjeshta të higjenës, duke filluar nga pajimet intime (pelenat ose mbathjet), zgjedhja e sapunëve, shampove, detergjenteve etj. Mbas banjës, organet gjenitale, me një pece të butë më tepër “thithen” se fshihen. Mos përdorni kurrë pudër, letër higjienike as tipe “spray”. Kujdes për veshmbathjen intime (jo tepër të ngushta, jo sintetike). Mbas çdo aktiviteti sportiv, me tu kthyer në shtëpi duhet të lahen. Me rritjen e vajzës, të mësohet si të pastrohet (gjithmonë nga vagina në drejtim të anusit, kurrë anasjelltas). Si mjekohen. Deri sa të lidheni me mjekun, për qetësimin e dhimbjeve dhe të kruarjeve, ndihmojnë shpëlarjet me ujë të zakonshëm, ose borsat me copa të vogla akulli. Në disa raste gjendja qetësohet duke përdorur lokalisht pecetat me ujë të vakët; për më tej veprohet vetëm sipas këshillave të mjekut. Në vija të përgjithëshme, mjeku ndjek këtë rrugë: Për vulvovaginite pa mikrobe, rekomandohen shplarje lokale me dizinfektantë si Beseptinë ose Betadinë gjinekologjike, Tantum Roza etj. Vulvovaginitet nga mikrobet, mjekohen sipas shkaktarit. Candida, me antimykotikë lokalë apo të kombinuar dhe nga goja. Trichomonas me Flagyl/Shekulli

Më shumë

Artikuj të ngjashëm