Kulture

Durrës, zbulim mahënitës: “Një ndërtesë luksoze publike e periudhës byzantine”

Në vitin e dytë të vijimit të projektit “Durrësi në antikeitetin e Vonë”, del në dritë pjesa tjetër e një ndërtese luksoze që i përket periudhës byzantine dhe ka patur funksion publik.

Arkeologia Brikena Shkodra Rrugia, Drejtuesja e projektit të Institutit të Arkeologjisë, u shpreh se këtë vit është zbuluar vijimi i ndërtesës madhështore, ku ka dalë në dritë një pilastër në formë kryqi, me lartësi rreth 3.5 metër, pranë të cilit gjendet një sipërfaqe e shtruar me pllaka mermeri.

Ky ambient besohet që të ketë shërbyer si pishinë.

Monumenti që nga periudha bizantine ka njohur 4 nivele përdorimi.

Pas çdo braktisjeje të niveleve të banimit, hapësira shfrytëzohej për varreza.

Një shtresë e djegur jep detaje për banimin e monumentit në mesjetën e hershme dhe të mesme.

Gjithashtu, edhe në sipërfaqe, një pus dhe muret e një banese të shek XVIII, dëshmojnë për përdorimin në vijimësi të monumentit.

Ky zbulim ka ngjallur interesin e qytetarëve durrsakë, të cilët e kanë vizituar monumentin përgjatë muajit që kryhej sondazhi arkeologjik.

Gjithashtu, u krijua një “forum” ekspertësh, ku arkeologë, arkitekt, restaurator, dhe emra të njohur, si Artan Shkreli, përveç vizitës jepnin mendimin e tyre mbi zbulimin dhe funksionin e godinës publike në periudhën bizantine.

Vendi në të cilin u krye sondazhi arkeologjik gjendet në rrugën “Mustafa Varoshi”, në lagjen numër 11, që ka falur mrekulli të nëntokës së Durrësit, si mozaiku “Bukuroshja e Durrësit.

Aktualisht objekti i zbuluar është mbuluar me dhe, me qëllim ruajtjen e tij, për shkak se venndodhja e tij është midis shtëpive të banuara.

Gërmimet e këtij viti nuk do të ishin bërë të mundura pa kontributin e çmuar të familjes Dakoli.

Kjo familje mundësoi që në bahçen e shtëpisë së tyre të bëhej sondazhi arkeologjik.

Ppritet që projekti “Durrësi në antikeitetin e Vonë” të vijojë vitin e ardhshëm, për njohjen e pjesës tjetër të kësaj ndërtese luksoze dhe me funksion publik, po në pronën e familjes Dakoli.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

Lexoni edhe...

Close