LajmeTe gjitha

Festim Lelaj akuzohet nga Prokuroria edhe për një tjetër ngarkesë droge

Nënkomisari i Policisë Fieri, Festim Lelaj, akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe për një ngarkesë tjetër droge me rreth 350 kg kanabis të dërguar në vitin 2014 nga Porti i Vlorës drejt brigjeve Italiane. Lelaj u prangos të martën pasi dyshohet se ka qenë organizatori i dërgesës drejt Portit të Ankonës edhe të 2.5 tonëve kanabis të tjera në janar të këtij viti.

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për nënkomisarin e policisë Fieri, Festim Lelaj, janë shtrirë edhe për një ngarkesë tjetër droge të transportuar me kamion drejt Italisë gjatë vitit 2014.

Në atë kohë, Lelaj ishte efektiv në Pikën e Kalimit Kufitar të Vlorës dhe sipas organit të akuzës, dyshohet se lëndën narkotike rreth 350 kg kanabis e ka kaluar në bashkëpunim edhe me shtetasit Aurel Laze dhe Skënder Siqeca nga porti i qytetit bregdetar.

Efektivi i policisë u prangos të martën, ndërsa hetuesit arritën në përfundimin se nënkomisari i policisë së Fierit kishte rolin e organizatorit edhe në grupin që trafikoi 2.5 tonë kanabis në janar të këtij viti nga Porti i Durresit në Ankona.

Ngarkesa me drogë do të dërgohej drejt Gjermanisë, ndërsa kamioni me lëndë narkotike ishte vulosur në Portin e Durrësit si mall tranzit, për tu mos u kontrolluar më tutje në portin Italian. Kanabisi ishte zhvendosur drejt Durrësit me dy kamionë të rëndë, teksa vetëm njëri prej tyre kreu kontrollin në skaner në Portin e Durrësit.

Sipas hetimeve, drejtuesi i kamionit Dhimo Koraj, ndërroi targat e rimorkios së pakontrolluar duke i vendosur ato të mjetit të kaluar më herët në skaner. E gjithë skena ishte monitoruar nga kamerat e sigurisë duke u përdorur nga prokurorët si prova materiale.

2.5 tonë kanabis që u kapën nga autoritetet në brigjet e Ankonës ishin fshehur në kamion që trasportonte dru.

Pas arrestimeve të së mërkurës, shkon në 12 numri i personave të vënë në pranga për këtë rast ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike. /AbcNews

Më shumë

Artikuj të ngjashëm