Politike

Fjala në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së

Në fakt u bë një kohë e gjatë që nga konventa që ne nuk jemi takuar, por kemi qenë në kontakte me njëri-tjetrin, kemi qenë në kontakte të vazhdueshme jo vetëm përsa i përket angazhimeve të secilit prej nesh por kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm përsa i përket vazhdimësisë dhe angazhimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim por edhe përfaqësimit të saj jo vetëm në pushtet vendor por në të gjitha instancat e saj që ajo ka qeverisur në këto katër vite me Partinë Socialiste.
Duke filluar me fjalinë, në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë shokët tanë, drejtuesit tanë që kanë qeverisur, duke filluar nga ministrat dhe çdo sektor tjetër më poshtë, me drejtorë, drejtorish apo dhe në institucione të tjera që sot nuk janë pjesë e kësaj administrate.
Dua ti falënderoj për angazhimin e tyre, për përkushtimin e tyre dhe mbi të gjitha për performancën e tyre pavarësisht fjalëve, zhurmave apo dhe përbaltjes që herë pas here janë bërë jo vetëm nga kundërshtarë politikë, por edhe nga njerëz që kanë pasur në krah të tyre për të shmangur vëmendjen dhe për të larguar vëmendjen nga gabimet e tyre, nga zullumet e tyre dhe për t’ua hedhur mbi supe shpatullave të brishta të LSI.
Por kjo nuk do të thotë që ne me këtë ndihemi keq pavarësisht nga kjo ne, kjo na ka pozicionuar në një pozitë tashmë të re siç është qëndrimi në një pozicion opozitar jo sepse qytetarët votuan për ta kaluar LSI në opozitë, por qytetarët e votuan Lëvizjen Socialiste për Integrim, i dhanë votat asaj.
Është e vetmja forcë politike e cila në përqindje ka rritjen më të madhe se çdo parti tjetër politike dhe pavarësisht nga kjo ne morëm një vendim shumë të drejtë për të kaluar në opozitë, për të krijuar vizion të ri, për të krijuar një përqasje të re, për të cilën ka nevojë sot Shqipëria. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë, ka nevojë për një opozitë të drejtë, ka të drejtë për një opozitë aktive sepse pa një opozitë nuk do të ketë demokraci, pa një opozitë të fortë nuk ka një Shqipëri të fortë dhe pa një opozitë të fortë nuk ka as qeverisje të fortë. Ne e dimë shumë mirë që zgjedhjet e 25 qershorit dëshmuan një manipulim masiv të zgjedhjeve, një manipulim masiv të votës së shqiptarëve ku sot ne kemi një mazhorancë në thonjëza, e cila është minorancë pra është mazhoranca e pakicës së shqiptarëve që morën pjesë në votime. Nga ana tjetër duhet të pranojmë se shqiptarët ndjejnë një neveri dhe apatizëm ndaj politikës në tërësi dhe kjo vjen dhe si rezultat i jetës politike dhe si rezultat i klasës politike e cila dashje pa dashje në segmente të caktuara është e kapur nga krimi.
Është e kapur nga krimi dhe çuan drejt bojkotit masiv që sot ne kemi një qeverisje e cila është e realizuar nëpërmjet deformimit të votës, e realizuar nëpërmjet blerjes së votës nga paratë e krimit të organizuar nga nga paratë e drogës të cilat çdo ditë e më shumë janë drejt kapjes së çdo segmenti të qeverisë. Tashmë sfida jonë si LSI dhe misioni ynë si LSI është duke qenë një opozitë e vërtetë , një opozitë e fortë për të shkundur apatinë dhe të zgjojmë vetëdijen kombëtare gjë që është shumë e rëndësishme e cila ka çdo ditë e më shumë nevojë jo vetëm për vendin por ka nevojë më shumë për brezat e ardhshëm që do të vijnë sepse pritshmëritë tona janë shumë të mëdha dhe aspiratat e shqiptarëve janë shumë të mëdha për të pasur një vend me të vërtet demokratik dhe për të pasur një vend i cili aspiron për të qenë sa më pranë Bashkimit Europian.
Ne mbetemi për momentin forca më progresiste, europiane dhe social-demokrate doja të thoja. Shqipëria ka nevojë për një forcë të majtë duke marrë parasysh që shumica e shqiptarëve janë të majtë. Shqipëria ka nevojë dhe për një forcë politike dhe për një parti politike të majtë dhe kjo na mbetet ne si Lëvizja Socialiste për Integrim e cila në themelet e saj ka bazën e solidaritetit, partneritetit dhe mbi të gjitha ka bazën e social-demokracisë dhe suportit që tu japim shtresave më të varfra të cilat janë dhe pjesa më e madhe në Shqipëri. Sigurisht që ky do të një jetë një mision i vështirë dhe nuk pretendojmë që do ta kemi shumë të thjeshtë po pikërisht prandaj quhet dhe mision i pamundur duke pasur parasysh që me gjithë këta të rinj dhe të reja që ne kemi pjesë të strukturës së Lëvizjes Socialiste për Integrim këtë mision të pamundur ta kthejmë në një mision të mundur dhe të realizueshëm sepse jam e bindur se shqiptarët nuk meritojnë një qeveri që në filozofinë e saj nuk ka asgjë sociale, nuk ka asgjë demokratike e mbi të gjitha ka keqqeverisje, ku krimi tashmë është ulur këmbëkryq në tepsinë e pushtetit. Sigurisht që, ne si LSI nuk jemi në opozitë me Rilindjen as me PS, ne jemi në opozitë me keqqeverisjen dhe në opozitë me krimin e organizuar. Me këtë strukturë kriminale e cila çdo ditë e më shumë po kap strukturat e shtetit, po kap policinë e shtetit, dhe tashmë ka shtrirë duart drejt strukturës së drejtësisë. Në qoftë se deri dje ne diskutonim për një sistem drejtësie të korruptuar, tashmë do të fillojmë të diskutojmë për një sistem drejtësie të kriminalizuar. Prandaj është shumë e rëndësishme që secili nga ne, jo vetëm që të zgjohet brenda vetes së tij, por të zgjojë shokun, mikun, kolegun, këdo që ka pranë, sepse është një alarm i cili çdo ditë dhe më shumë do të bjerë dhe më fortë për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e brezave të tjerë që do të vijnë. LSI do të përqafojë një manifest të ri politik ku si shtyllë kurrizore të saj do të jenë jo vetëm çështjet e sigurisë dhe të rendit publik, për të mos të mos pasur më kriminelë policë, apo policë kriminelë, që luajnë me jetën e shqiptarëve dhe të fëmijëve tanë. Ne do të advokojmë për një ekonomi vitale dhe gjithëpërfshirëse sidomos në fokus luftën kundër varfërisë dhe rimëkëmbjen e klasës së mesme e cila do të krijojë mundësinë e hapjes së vendeve të punës për të rinjtë të cilët çdo ditë e më shumë po humbasin shpresën për të gjetur veten në Shqipëri. Ne do të shpalosim idetë tona për një shëndetësi të përballueshme për të gjithë, të kudogjendur, sepse duhet ti japim fund abuzimit me taksapaguesit shqiptarë për të mbajtur gjallë një shëndetësi gjakpirëse, e cila pasuron çdo ditë e më shumë oligarkët të cilët kanë shtrirë duart në koncesionet e tyre.
Ne do të propozojmë nisma konkrete për një edukim cilësor falas për atë që është i detyrueshëm dhe padyshim përgjysmimin e tarifave për studentët në arsimin e lartë të cilët do të mbyllin një orë e më parë rubinetin përsa i përket universiteteve private të cilat çdo ditë e më shumë janë kthyer në universitete klienteliste. Ne duhet ti kthejmë qeverisjen Shqipërisë, për të pasur një qeverisje të përgjegjshme dhe për të pasur një qeverisje të drejtë, atë çka shqiptarët e meritojnë. Shqipëria ka një nevojë akute për një opozitë të fortë para se vendi të bjerë në humnerë, për shkak të krimit që bën ligjin, të pasigurisë së jetës së njerëzve dhe pasigurisë së të ardhmes, papunësisë që vjen duke u rritur çdo ditë e më shumë, varfërisë ekstreme që po kap çdo shtresë të Shqipërisë, dhe mungesës së shpresës dhe shpopullimit masiv dhe të frikshëm të të rinjve që duan të ikin çdo ditë e më shpejt nga Shqipëria. Prandaj nga sot e tutje, LSI pavarësisht rezultatit të saj shumë pozitiv në zgjedhjet e qershorit dhe në kushte ekstreme presioni dhe kërcënimi, ne do të përshpejtojmë ritmin dhe fokusimin e energjisë së saj për një proces hapje dhe rigjenerimi për t’iu përgjigjur thirrjes së shumicës shqiptarëve që duan një qeverisje ndryshe, jo arrogante dhe jo egoiste, por një politikë që prodhon në fund të saj mirëqenie, begati për familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre. Ne do të bëjmë një analizë kapilare dhe një rifreskim të strukturave tona në të gjithë vendin ku më poshtë do të ndalet Endriti dhe Luani që do të flasin për këto gjëra dhe do të ftojmë këdo që do ti bashkëngjitet projektit tonë politik për një opozitë ballore, të fortë, pa kompromis, konstruktive dhe të aftë për të qeverisur në lartshmërinë dhe pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë. Koha nuk pret më tashmë për të krijuar një front të përbashkët opozitar me të gjithë faktorët politikë, të majtë, të djathtë, shoqëri civile, botë akademike dhe çdo qytetar kundrejt kësaj qeverisjeje arrogante që kërcënon të tashmen dhe të ardhmen e gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të hapur dhe nuk kemi asnjë lloj kompleksi sa i përket bashkëqeverisjes të frontit opozitar ku për mua do të ishte shumë e drejtë të quhej fronti kombëtar kundër krimit të organizuar sepse rrezikun më të madhe që ka sot Shqipëria është krimi i organizuar, i cili është i kapur që në majat e saj duke filluar që nga kreu i qeverisë dhe duke vazhduar më pas në çdo segment qeverisës.
Është shumë e rëndësishme që të zgjojmë ndërgjegjen kombëtare, të zgjojmë shqiptarët kudo që janë brenda dhe jashtë vendit, jo vetëm për të rikthyer atë që janë por për t’i dhënë shpresë brezit të ri sepse ky vend një ditë do të bëhet. Por ky vend një ditë do të bëhet nga shqiptarët, nuk bëhet as nga ndërkombëtarët, nuk bëhet as nga ambientalistët, por do të bëhet nga vetë të rinjtë dhe të rejat shqiptare. Do të bëhet nga prindërit e fëmijëve shqiptarë të cilët kërkojnë një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Dhe kjo është një iniciativë për të cilën ne nuk do të ndalemi, por do ta vazhdojmë edhe pse kemi gabimet tona dhe ne nga gabimet duhet të mësojmë, sepse nuk ka asgjë të keqe të gabosh dhe t’i pranosh gabimet, por përkundrazi mëson nga ato dhe t’i kthejmë në vlera. Jam e bindur që shumë shpejt Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të jetë thjesht një parti politike, e cila herë pas here ka qenë mbështetëse për partitë e tjera, por do të jetë një parti politike, e cila do ta drejtojë këtë vend ashtu siç e meriton, për ta drejtuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Sepse çdo ditë e më shumë ne po e shikojmë që po shkojmë në drejtim të paditur, në drejtime të pasakta, në një tymnajë që çdo ditë e më shumë po krijon një apati dhe një mjegullnajë të madhe përsa i përket të ardhmes së brezit të ri. Ajo çka mua më shqetëson më shumë është që, edhe programi i qeverisë, sepse besoj ju i keni ndjekur debatet në Parlament, por edhe lajmet apo prezantimet që ka bërë qeveria shqiptare, nuk ka asnjë projekt për të zhvilluar. Të vetmin projekt që ka është ai i rritjes së borxhit shqiptar. Është koncesioni i famshëm prej 1 miliard eurosh, i cili e zhyt çdo ditë e më shumë vendin në varfëri, u shtrëngon lakun çdo ditë e më shumë qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha pasuron oligarkët dhe nxjerr në treg të hapur dhe pa asnjë lloj kriteri pronat e shqiptarëve. Ka ardhur që të gjithë të zgjohemi, t’i japim fund kësaj arrogance, t’i japim fund këtij abuzimi të grupeve të caktuara kriminale që tashmë drejtojnë qeverinë shqiptare.
Është rreziku më i madh dhe një nga momentet më të vështira që po kalon sot Shqipëria që pas vendosjes së diktaturës. E them këtë sepse ne sot jemi në një situatë shumë të keqe, jemi në një moment kur parlamenti u heq të drejtën deputetëve për të folur, në një moment që i heq të drejtën mediave për të transmetuar live, gjë që në gjithë këto vite tranzicion nuk ka ndodhur ndonjëherë. Shohim çdo ditë e më shumë që mediat blihen. Shikojmë që kapen gazetarët, që kërcënohet fjala e lirë. Ky është rreziku më i madh. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të ecim përpara dhe të vazhdojmë me axhendën tonë, e cila do të jetë shumë intensive, shumë aktive në çdo fshat të Shqipërisë, në çdo qendër votimi, për të takuar në radhë të parë ata që na besuan, ata heronj, të cilët përballë çdo kërcënimi dhe përballë çdo presioni të policisë shtet dhe krimit të organizuar duruan dhe i rezistuan. Por për të takuar edhe të gjithë ata të rinj e të reja, të gjithë ata shqiptarë, të cilët gjetën rrugën më të thjeshtë për të bojkotuar zgjedhjet sepse nuk e shikonin veten të fortë përballë kësaj politike të egër dhe këtij realiteti të dhimbshëm.
Faleminderit!
Më shumë

Artikuj të ngjashëm