Opinion

Grua për mua

Dua grua të lartë

Dua grua të lartë. Por jo sa Nëmërçka që e hedh shurrën sa Vjosa dhe pordhën sa tundet Gjirokastra. E dua të lartë sa Sonila Meço, por të mos peshojë më tepër se Eni Vasili me gjithë lecka. Qefi ma ka që gruaja për mua të ketë hire nga nënfustani i Meços. Por nuk i duken. Meçua nuk ka dalë kurrë me bikini. Nuk i ka treguar kurrë ato llaftarira. I ka mbyllur me kyç, kyçin e hodhi në Liqer, nga Liqeri e nxorri me sqep Nositi, Nositi ja dha Lasgushit.
Dua grua që të ketë hiret e Anjeza Majës, a të paktën të Monica Belluccit. Halli se po i putha i kafshoj, po i kafshova bëhem kanibal.
Dua grua që të jetë Femër sa Juliette Binoche. Ka të tilla. Halli se janë të çartallosura.
Dua grua që flokët t’i ketë si të Catherine Zeta-Jones, sytë si të Angelina Jolie, buzët si të Claudia Lynx. Edhe mund ta gjej, por nuk kam naftë për makinën për ta gjetur në cilin katund kullot lopën.
Dua grua që të kem qef t’ja dëgjoj zërin. Si Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Billie Holiday, Joan Baez, Ornella Vanoni. Punë që s’bëhet t’i marr për grua të pesta.
Dua grua me sisë si të Çilietës. Jo këto të tanishmet që s’mjaftojnë as për meze. Ato të parat me të cilat mund të shtroje gosti.
Dua grua që të ketë zotnillikun e Nicole Kidman. Ah, kaq sinjorilitet s’kam ku ta përdor.
Dua grua të ëmbël, por më të ëmbël se Brigitte Bardot kam frikë se më thahet gjuha duke e lëpirë dhe nga ëmbëlsia më zë diabeti.
Dua grua hutonjëse, turbullonjëse, marramendëse, si Elisabet Taylor, por kam frikë se më bie damllaja.
Dua grua inteligjente, erudite, diskrete, pakashum si Rozafa Basha. Rozafa i ka humbur gjurmët.
Dua grua të brishtë, të hajthme, fine, të tillë që kur të jetë cullak të duket më e plotë se kur të jetë e veshur, pra si Audrey Hepburn. Të tilla ka vetëm nëpër libra dhe filma.
Dua grua që të ketë talentin e retorikës konservative si Mesila Doda. Por Mesila është migratore politike, sa te njëra parti te tjetra.
Dua grua që karakterin të mos ja vizatojë në fytyrë parukjerja por ta ketë të thellë, integral, jashtë e brenda. Vështirë të gjesh femër të tillë. Megjithatë ekziston Bruna Qeva, së cilës, në reliev, në tipare, në qelizë, karakterin ja ka gdhendur Perëndia.
Dua grua të ketë fiksim përndjekjen, internimet, burgosjet, torturat nëpër burgjet e kurvit, posaçërisht vuajtjet e priftërinjve. Domethënë dua grua si Keda Kaceli. Tironcja Keda s’po kthehet në Shqipëri, mbeti në Itali.
Dua grua me forma joshëse, por jo si të Bleona Qerretit edhe sikur të kem 20 vjet pa parë pridh me sy.
Dua grua të qytetëruar që të dijë të llafoset. Zoti më ruajt nga Iris Luarasi. Rroftë Moza Ahmeti. Ku është zhdukur Moza ?
Dua grua me vendosmëri politike të gurtë dhe forma femërore të mermerta të lëmuara si të shtatoreve antike, pra si Grida Duma.
Dua grua acqua e sapone dhe superinteligjente si kolonjarja Anika Taçi. E kotë. Si Anika s’ka të dytë.
Dua grua që politikën me biznesin t’i lidhi më mirë se Berlusconi, pra dua grua si Keti Bazhdari. Jam vonë për këtë kombinacion.
Dua grua këshilluese, ndihmëse, bashkëpuntore, besnike, si Helena Kadareja. Ah, shpresat janë zero.
Dua grua që të dijë të shkruaj si Desada Metaj por para më dalin ca karapiçka budallaqe.
Dua grua me seriozitet nazist, hitlerian, gestapoist, si Eliana Hoxha. E kotë ta kërkoj. Eliana është e vetmja.
Dua grua erudite, të qytetëruar, të butë, bindëse, të flasi rrjedhshëm, të komunikojë ëmbël, si Ermira Mehmeti. Ermira Mehmeti është një rastësi kozmike, është një kometë që kalon vetëm një herë dhe arratiset në qiellin e zi, mbyllet, erret, dritën e mban për vete, botës i fal atë që bota meriton, errësirën.
Dua grua ekzotike mesdhetare si Sophia Loren ose Gina Lollobrigita. Ka plot të tilla që kanë lindur në Myzeqe, Zadrimë, Mirditë, Devoll, Tropojë, Gjirokastër, Përmet, por kanë ikur në Itali Greqi, Belgjikë, Angli, ku kanë humbur gjurmët.
Dua grua si Sheherazade. Duke më rrëfyer çdo natë nga një përrallë, të mos më lërë të dal nga ëndërra.

Nga Edison Ypi

Më shumë

Artikuj të ngjashëm