Kulture

Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror – Ekspozitë dokumentare dhe fotografike

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Himarës çelin ekspozitën “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror – Ekspozitë dokumentare dhe fotografike”. Ekspozita do të çelet ditën e premte, dt. 28 korrik, në Spile – Himarë Qendër (shëtitorja e Himarës) në orën 18:30. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes do të jenë Kryetari i Bashkisë së Himarës, z. Jorgo Goro, dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Dr. Ardit Bido.

Në këtë ekspozitë paraqiten dokumente historike dhe fotografi të Himarës dhe fshatrave përreth, duke u përqendruar në gjysmën e parë të shek. XX. Përmes këtyre dokumenteve shpërfaqet veprimtaria publike dhe private e banorëve të zonës, si dhe peizazhet e virgjëra të rivierës shqiptare, siç dukeshin pothuaj 100 vjet më parë. Publiku do të prezantohet me dokumentin e parë të vitit 1922, ku kërkohet krijimi i Bashkisë së Himarës, e cila në atë kohë ishte Nën-Prefekturë e Vlorës; me korrenspondencën e përditshme dhe praktike mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore për problemet e shëndetit të njerëzve dhe të agrumeve; me kërkesat e thjeshta, si ato për bursa studimesh apo leje gjuetie; por edhe me kërkesa të rëndësisë publike, siç është rindërtimi i skelës së portit dhe krijimi i një flote kombëtare tregtare. Interesante është marrëveshja mes Ministrisë së Punëve Botore me një shoqëri private më 1925 për ndërtimin e urës së Palasës, e cila pas më pak se 20 vite jetë u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore, një histori e shoqëruar me dokumente dhe fotografi. Materiali fotografik tregon viset e krahinës së Himarës dhe personalitetet e atyre viseve, apo fabrikat e vajit para Luftës II Botërore. Mes dokumenteve që nuk i përkasin periudhës nga Pavarësia deri më 1944 paraqitet një pasaportë udhëtimi e lëshuar nga kavalieri Luigi de Medici i Toskanës për kavalierin Mihal Spiro nga Himara më 7 maj 1829, si dhe një një VKM e vitit 1960, përmes të cilës Republikës Demokratike Gjermane i jepen me qira 2 ha tokë, me qëllim ndërtimin e një kampi pushimi për rininë e lirë gjermane.

Përmes kësaj ekspozite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Himarës kërkojnë t’u ofrojnë banorëve apo pushuesve sezonalë edhe një mënyrë tjetër pushimi, përmes informimit dhe argëtimit me dokumente dhe fotografi. Po ashtu, institucionet tona kërkojnë të ndikojnë pozitivisht ndërgjegjësimin qytetar se vlerat e trashëgimisë së tundshme dhe të patundshme kulturore duhen ruajtur: jemi përdorures të tyre, nuk na përkasin ne, por brezave që do të vijnë.

#ArkivaTëGjalla
#AQSh #DPA

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

Lexoni edhe...

Close