Kulture

Historia e Beqir Ajazit, një nga 300 të burgosurit e parë të komunizmit

Ish- drejtori i Arkivit në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi zbulon copëza jetë të njëri prej 300 të burgosurve të parë të regjimit komunist, Beqir Ajazi.

Ai shkruan se fillimisht Ajazi luftoi pranë shtabit të Abaz Kupit.

U arrestua më 1944 nga komunistët duke qenë një nga 300 të burgosurit e parë politikë të regjimit në Tiranë. Ai ishte brezi i parë i rinisë antikomuniste të luftës që provoi persekutimin komunist.

I fundit i një brezi idealistësh. Provoi pushkatimin e babait, vrasjen e vëllait dhe persekutimin e egër komunist.

Mbretërori model Beqir Ajazi
Me rastin e 1 shtatorit 1928, përvjetorit të shpalljes së Mbretërisë Shqiptare, kujtoj sot një prej idealistëve më të vendosur antikomunistë, Beqir Ajazin, i cili u nda nga jeta, një muaj më parë më 2 gusht 2017.
U lind në Dibër të Madhe më 20 korrik 1920, qytet ku ishte vendosur përkohësisht familja e tij për shkak të ngjarjeve në Shqipëri. Më 1928-1931 ndjek arsimin fillor në Prezë për ta vazhduar më tej më 1931-1934 në Ersekë. Më 1934-1949 ndjek Liceun Francez të Korçës. Me mbylljen e këtij liceu nga qeveria e kohës, në vitet 1939-1943 ndjek gjimnazin e Tiranës. U regjistrua student në Universitetin e Drejtësisë në Padova të Italisë, por vitet e vështira të luftës nuk do ia realizonin këtë ëndërr.
Më pas, në vitet 1943-1944 është sekretar III në Ministrinë e Kulturës Popullore. Në shtëpinë e tij në Prezë kanë qëndruar misionarët britanikë, ndërsa vetë Ajazi ishte pranë shtabit të Abaz Kupit këtë kohë. 
U arrestua më 14.10.1944 nga komunistët duke qenë një nga 300 të burgosurit e parë politikë të regjimit në Tiranë. Ai ishte brezi i parë i rinisë antikomuniste të luftës që provoi persekutimin komunist. I fundit i një brezi idealistësh. Provoi pushkatimin e babait, vrasjen e vëllait dhe persekutimin e egër komunist. 
Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë në Tiranë më 26.4.1945 e dënoi me 15 vjet burgim e punë të detyrueshme me arsyetimin se “ka penguar luftën e popullit” dhe “ka sharë Stalinin”.

Punoi në kampe pune e së fundi u lirua nga burgu i Burrelit më 17.5.1954.
Edhe pas daljes nga burgu qëndroi i fortë moralisht. Nuk e përkulën as presionet e regjimit dhe punët e vështira e të rënda që kreu. Për këtë arsye, u internua me nënën e vet, me vendimin nr.11, datë 13.11.1975 të Komisionit të Internim-Dëbimeve pranë Kryeministrisë bashkë me 132 persona të tjerë. Në përligjjen e vendimit thuhej se personat e internuar kishin pjesëtarë të familjeve të tyre të arratisur dhe se nuk mbanin qëndrim të mirë politik. Qëndroi për më se 10 vjet në fshatrat e Vlorës si i internuar.
Ishte krenar se doli i papërlyer e i fortë nga koha e komunizmit. Vlerësonte moralin njerëzor e atë politik. Mbeti besnik i idealit mbretëror. E ëndërronte Shqipërinë të pastruar nga efektet e dëmshme të komunizmit, shtet të fortë, me ekonomi të qëndrueshme e me njerëz me moral e tradita kombëtare.
Gjatë viteve të demokracisë, Beqir Ajazi ishte aktiv me artikuj në shtypin e shkruar si dhe me intervista e pjesëmarrje në aktivitete.
Në vitin 2000, Flori Slatina i botoi librin “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”, libër që u ribotua më vonë nga Shtëpia Botuese “55”. Ky libër është një dokument serioz e burim i çmuar informacioni për ngjarje të ndryshme të historisë së Shqipërisë dhe për errësirën komuniste. Deri sa kishte mundësi, Beqir Ajazi nuk rreshti së shkruari me makinën e tij të shkrimit.
Bashkëlidhur, fotoja e Beqir Ajazit në burgun në burgun e Tiranës, prill 1945.

Show More

Related Articles