Lajme

Itali: Arrestohet italiani, ndiqte dy shqiptarë me automatik për ti vrarë

Një 41 – vjeçar italian në Milano është arrestuar nga policia me automatik në dorë.

41 – vjeçari ishte në ndjekje të dy shtetasve shqiptarë dhe kërkonte t’i vriste pasi e kishin sharë nënën.

Gianluigi Recrosio u kap në lagjen Giambellino teksa rrihte me grushta një djalë të zonës, për t’i treguar se ku ishin fshehur dy shqiptarët.

Ndërhyrja e policisë erdhi pas një sinjalizimi anonym dhe pasi e ndaluan Recrosion, iu sekuestrua arma, një automatik Zastava M70, i prodhuar në ish – Jugosllavi, e cila ishte modifikuar, duke i prerë qytën për ta fshehur më lehtë..

Gjithashtu, në xhepa iu kap një karikator me 28 plumba dhe 20 fishekë të tjerë.

Sipas Corriere della Sera, Recrosio ka një karrierë të pasur kriminale: tentativë vrasjeje që kur sapo kishte mbushur moshën madhore, një seri precedentësh për shpërndarje droge dhe llogarinë e fundit me drejtësinë e ka pasur në qershor.

Të arrestuarit iu sekuestrua gjithashtu edhe një motor i vjedhur.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për “zotërim dhe mbajtje abuzive të armëve luftarake, kërcënim, rezistencë karshi zyrtarit publik”.

Por dinamika e ngjarjeve nuk është ende krejtësisht e qartë.

Dy policët e parë që shkuan në vendngjarje u përqendruan te personi i armatosur dhe dy persona të tjerë, të cilët po shihnin rrahjen, ia mbathën, ashtu si dhe djali që po rrihej.

I arrestuari ka thënë se “dy shqiptarët që njihja më kërcënuan nënën me vdekje”.

Nëna e tij 74 – vjeçare, jeton në atë pallat dhe të shtunën në mëngjes kishte thirrur të birin për t’i treguar për grindjen.

Në këtë mënyrë, 41 – vjeçari përshkoi qytetin, nga Corvetto ku jeton në Giambellino, me Kaëasaki e Kalashnikov, për të marrë hak. Recrosio tha se i njihte dy shqiptarët, por nuk e dinte se ku jetonin dhe djali që po rrihte i njihte por nuk tregonte, ndaj edhe ai po e rrihte për të marrë informacionin.

Pavarësisht këtij rrëfimi, nisur nga precedentët e të arrestuarit, policia nuk përjashton pista të tjera si shkak për sherrin, përfshirë këtu edhe pazare për drogën.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm