Lajme

Kamëz, prej 4 ditësh granata e pashpërthyer në oborrin e shtëpisë (Video)

Safet Spahiu, banues në Kamëz, denoncon në emisionin “STOP” se prej 4 ditësh ka parë një granatë të pashpërthyer në oborrin e shtëpisë.

Pasi njoftoi instancat, një patrullë policie u vendos në ruajtje të granatës, por askush nuk erdhi për të bërë shpërthimin e kontrolluar. Pas alarmit të emisionit “STOP”, forcat xheniere shkuan në shtëpinë e Safetit brenda 4 orësh dhe përfunduan ç’aktivizimin.

“Granata, siç po e shihni vetë, ka 4 ditë që është në oborrin e shtëpisë time. Kam njoftuar institucionet e policisë shtetërore, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Komisariatin numër 5. Ka ardhur vetëm patrulla e komisariatit që po bën rojen e granatës që mos të shpërthejë. I jam drejtuar me qindra mijëra herë me telefonata që të vijnë ta marrin e ta heqin nga shtëpia ime këtë granatë vdekjeprurëse dhe nuk kam asnjë reagim. Më thonë: “Prisni kur të vijnë xhenierët e ushtrisë”. Unë po jetoj, kam kalamajtë këtu, po jetoj me frikë dhe me tmerr. Ata mesa shoh unë po presin që të plasë dhe të vijnë të na marrin kufomat.”

Safet Spahiu tregon se granata u zbulua nga i biri, i cili kishte shkuar për të marrë rrush. Ai lajmëroi familjarët për “bombën” dhe direkt u njoftua policia. Ata janë larguar nga shtëpia dhe po flenë tek i vëllai, pasi kanë frikë se mos granata shpërthen. Denoncuesi thotë se nuk ka hasmëri ose konflikt me askënd.

“Prandaj kërkova “STOP -in”, emisionin tuaj, që është zgjidhja e vetme e popullit shqiptar!”

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikon me një punonjës policie, që qëndron roje te granata.

Gazetarja: Tani, ideja është këtu, o shefi. Zotëria deklaron, se ka prej katër ditësh…, ka katër ditë që ka pritur.

Polici: Ne nuk jemi personat që marim deklarimet. Ne qëndrojmë këtu, ruajmë granatën. Ne ruajmë vendngjarjen, mos të kemi ndonjë problem. Këtë punë kemi ne të dy.

Gazetarja: Ju ruani, po ja në një moment shpërtheu?

Polici: Nuk shpërthen. Ne për këtë punë rrimë këtu.

Gazetarja: Roje nuk është zgjidhje. Mendoj, që… instancat e tjera janë njoftuar?

Polici: Po, Po! Janë bërë të gjitha me dokumentacione. Ça thua ti?! Po nuk pati ndërhyrje fizike, ajo nuk plas.

Gazetarja: Po ja kaloi, larg o zot macja, që…, Ju e keni rrethuar me skenë krimi, me shirita të verdhë. Kaloi macja aty, një lëvizje e vogël shpërtheu? Është një familje e tërë…

Polici: Po, prandaj rrimë ne këtu. Prandaj rri patrulla non stop.

Gazetarja: Ti rri patrullë, por, kur të plasi, kur të ikin 5 vetë…

Polici: Ikim dhe ne!

Emisioni “STOP” lajmëroi forcat xheniere për të bërë çmontimin e granatës, të cilët mbërritën në vendngjarje 4 orë më pas.

Një punonjës i forcave xheniere, i pyetur nga gazetarja se përse nuk janë paraqitur, pasi kjo granatë ndodhet prej 4 ditësh aty, thotë se ata janë lajmëruar vetëm gjysmë ore më parë. /Tv Klan

Më shumë

Artikuj të ngjashëm