Lajme

Kandidatura e Ilir Metës është pritur jo me pak surpriza nga qarqet politike në vend

Kandidatura e Ilir Metës është pritur jo me pak surpriza nga qarqet politike në vend. Seanca do të jetë në orën 17:00 dhe deri atëherë nuk pritet të ketë një reagim nga ana e LSI-së dhe kreut të saj Meta.

‘’Shuplaka’’ mëson se Meta që prej orës 10:15 ndodhet në zyrën e tij në Kryesinë e Kuvendit dhe prej aty nuk ka shumë lëvizje.

Deri më tani është parë që vetëm ministrja e Integrimit Klajda Gjosha të ketë hyrë dy herë.

LËVIZJET QË ÇUAN METËN DREJT KANDIDIMIT PËR PRESIDENTl:

Zhvillimet politike në vendin tonë morën dje një kthesë mjaft të rëndësishme. Kur u duk se tensioni u përshkallëzua me fjalimin në Kuvend të Gramoz Ruçit me tone të larta ndaj kreut të Kuvendit Meta, pas kësaj gjithçka do të merrte kthesën e madhe.

Në Kuvend në tre raundet e para nuk kishte një emër për të zënë postin dhe nëse digjej dhe raundi i katërt PS-ja kërcënonte se do të zgjidhte një emër edhe pa LSI-në pasi votat sipas Ruçit i kishte. Ai i kërkoi kreut të Kuvendit që në rast se deri sot nuk zgjidhej presidenti i ri vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

‘’Ne i kemi 71 vota edhe pa LSI-në, mos na detyroni ta zgjedhim presidentin vetëm. Unë shpresoj të mos na detyroni dhe as e marrim përsipër të shkelim këtë forcë poltike.

Prandaj z.kryetar ju takon juve si forcë politike, që jeni vendosur si negociator dhe keni kaq kohë, pse mos ta them troç që keni anuar nga ana tjetër. Prandaj ju kërkoj edhe juve të reflektoni, të mos e mbyllni këtë parlament vetëm për ata të çadrës. Do ju kërkoja të mblidhnit Konferencën e Kryetarëve, ose të zgjedhim presidentin bashkë ose të shkojmë në zgjedhje brenda 45 ditësh.”, u shpreh ndër të tjera dje Ruçi.

Pas kësaj Meta lajmëroi menjëherë mbledhjen e Kryesisë, nga ku dolën me dy propozimë konrete për postin e Presidentit: Ilir Meta dhe Petrit Vasili.

Ndërkohë një tjetër takim u zhvillua në Vilën 30 mes Ramës dhe Metës ku me shumë gjasa është vendosur që Meta të votohet zyrtarisht sot në Kuvend.

Edhe Partia Socialiste mblodhi Kryesinë e saj ku 18 firmave të LSI-së për Metën President iu bashkuan dhe deputetët e Ramës. Pas mbledhjes Balla deklaroi se PS-ja do të mbështesë kandidaturën e Ilir Metës për President.

Dje në ‘Top Story’ Rama deklaroi se Meta është Presidenti që i duhet vendit pasi ai mund të ketë marrëdhënie të mirë me të gjithë.

“Sot unë jam shumë i qetë përpara shqiptarëve. Më njeri që është me PD-në po jo në PD se Ilir Meta nuk ka. Ai ka marrëdhënie të mira me të gjithë, flet me të gjithë. Me kalimin e kohës edhe PD-ja do ta kuptojë këtë. Meta është i prerë për të qenë me të gjithë dhe me asnjë”, tha dje Rama.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm