Sport

Kjo foto largoi Neymar-in nga Barça? Ja si përgjigjet braziliani

A e mbani mend kur, në sezonin e kaluar, Barcelona bëri mrekullinë duke fituar 6-1 ndaj PSG-së në “Camp Nou”? Pasi kishin humbur 4-0 në ndeshjen e parë, katalanasit kaluan në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve me përmbysje rezultati dhe e gjitha kjo ndodhi falë një lojtari: Neymar.

Po, kështu ndodhi, nuk është ekzagjerim. Ajo ishte ndeshja më e madhe e brazilianit, sepse fitoi penallti, shënoi dhe dha asistin e golit të triumfit. Pra, ai ishte 90-minutëshi që tregoi se te Barcelona mund të ishte lideri edhe Neymar, jo vetëm Lionel Messi, por të nesërmen 25-vjeçari kuptoi se gjërat nuk do të ndryshonin kurrë. Pse? Sepse të gjitha gazetat “e harruan” kontributin e tij dhe vendosën në faqet e para çastin kur Messi doli përpara tifozëve sikur të ishte Zoti.

Prej ditësh spekulohet se Neymar është ndikuar fort nga kjo ngjarje, prandaj ka vendosur të provojë një aventurë të re në Paris, i shkëputur nga “Pleshti”, idhulli i tij. Megjithatë, sipas tij nuk është kështu.

“Unë nuk dua të jem ylli i vetëm i skuadrës. Doja të vija në Paris, sepse doja diçka ndryshe, një sfidë të re, jo se nuk ndihesha i vlerësuar. Nuk është se kam ardhur këtu për të pasur një rol më të madh për veten”, – ka theksuar sulmuesi. A e beson kush? Vështirë…

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

Lexoni edhe...

Close