Politike

Kokëdhima: Rama po e çon Shqipërinë në faliment

Partia ZGJIDHJA, e drejtuar nga Koço Kokëdhima, ka denoncuar sërish qeverisjen e dështuar të Edi Ramës.

ZGJIDHJA thekson se me Edi Ramën kryeministër shteti po falimenton.

Ja deklarata e Kokëdhimës:

“Rama po e çon Shqipërinë në faliment

Qeveria shqiptare i ka thyer të gjitha rekordet e zeza që mund të arrijë një kabinet qeverisës. Vitin e shkuar deri në këtë periudhë të vitit që jemi, ajo nuk arriti të hapë asnjë vend të ri për gjysmën e popullsisë së aftë për punë, e cila është dëshpërimisht duke kërkuar azil në shtetet perëndimore. Sipas Raportit vjetor 2017 të Institutit Amerikan të Teknologjisë IBM, Serbia është e para në botë për numrin e vendeve të punës së krijuara nga investimet e huaja në raport me popullsinë dhe pas saj vijnë Maqedonia, Kroacia dhe Rumania. Këto shtete kanë shfrytëzuar avantazhet e politikave që kanë ndjekur në tre-katër vitet e fundit, duke krijuar mijëra vende të reja pune, dhe duke qenë të preferuara për investitorët e huaj.

Të vetmin tregues pozitiv që arriti Shqipëria me rekordin e Investimeve të Huaja Direkte në vitin 2016, me gati 1 miliard euro, Rama ia detyron paraardhësit të tij, Berisha, sepse janë investimet e gazsjellësit TAP, firmosur në kohën e qeverisjes së PD-së, që filluan në vitin 2016. Por pjesën më të madhe të investimit të gazsjellësit e zë vlera e tubacioneve të gazit. Ky investim, për mënyrën si është negociuar dhe realizuar, nuk jep vlerë të lartë të shtuar në ekonomi dhe as vende pune të qëndrueshme.

ZGJIDHJA ka denoncuar qeverisjen totalisht të dështuar të Ramës. Ai është kryeministri më i paaftë i tranzicionit 26-vjeçar të Shqipërisë dhe politikani më i turpshëm në historinë e shtetit shqiptar, njeriu që rrënoi dhe çnderoi si kurrë më parë emrin e shtetit dhe të kombit shqiptar, përfaqësuesi më i spikatur i korrupsionit dhe oligarkisë së tij, njeriu që kapi dhe shkatërroi Partinë Socialiste, njeriu që kapi qeverisjen dhe institucionet e shtetit, armik i betuar i lirisë, zgjedhjeve dhe demokracisë kushtetuese, autokrati më i diskredituar dhe i fundit në ish-vendet komuniste të Europës Lindore. Rrëzimi dhe largimi i tij nga pushteti do të shënojë edhe përmbysjen historike të tiranisë së mjerimit, hashashit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Edi Rama është një njeri pa vizion, pa formim dhe pa kulturë shtetari. Ai e varfëroi dhe e shtypi pa mëshirë popullin e varfër të Shqipërisë, e zhyti atë në errësirë dhe depresion, i vrau shpresën e besimin, e mashtroi dhe e manipuloi me çdo mjet dhe e detyroi të largohet nga Shqipëria për të kërkuar bukë, strehim dhe punë në vendet e Perëndimit.

Nën qeverisjen e këtij kryeministri, për herë të parë në historinë e popullit shqiptar, pas pak vitesh, pensionistët mjeranë dhe familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike nga 15 deri në 40 dollarë në muaj, do të përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë në vendin tonë. Rama po e falimenton shtetin. Nuk është e largët dita kur nuk do të mund të paguhen dot pensionet, ndihma ekonomike, rrogat e policëve, ushtarakëve, infermierëve, mësuesve etj. Në vend që të qeverisë punët dhe interesat e Shqipërisë, Rama ngre kurthe, shpifje e intriga, blen e shantazhon, përçan e korrupton, fyen e sulmon këdo dhe vetëm për interesat e pushtetit të tij personal. Në shërbim të këtyre interesave dhe veseve të tij më të ulëta ka vënë edhe agjencitë e shërbimet shtetërore e diplomatike brenda e jashtë vendit dhe kontaktet me diplomatët e huaj në Tiranë.

Së bashku me liritë politike, Rama shkatërroi edhe liritë ekonomike. Tenderat dhe konçensionet e rëndësishëm i jep stafi i tij i ngushtë në kryeministri, tenderat më të vegjël i shpërndajnë kryetarët e bashkive dhe ministrat. Askush nuk mund të fitojë punë me ndershmëri e me garë të hapur në Shqipëri. Për të fituar një tender, sipërmarrësit duhet të parapaguajnë sekserët e pushtetit me 20 për qind të vlerës. Edhe një investitor i huaj nuk investon dot po nuk i pagoi ministrave të paktën 20 për qind të vlerës së investimit. Prandaj investitorët ikin nga Shqipëria për në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.

ZGJIDHJA denoncoi qeverinë gjatë Samitit të Triestes, sepse Shqipëria nuk prezantoi asnjë projekt dhe financimet e BE-së prej 550 milionë eurosh, i përfituan projektet zhvilluese të hartuara nga qeveritë e Serbisë, Maqedonisë dhe të Bosnje-Hercegovinës. Këto qeveri kanë punuar për qëndrueshmërinë e investimeve të huaja dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ato hartuan dhe zbatuan me sukses projekte në industrinë e prodhimit të makinave, asaj përpunuese, turizmit, infrastrukturës dhe energjetikës.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë bën vëmendje vetëm për atletet e bardha dhe turpet e qeverisjes së tij të mbushur me tutkunë, të korruptuar dhe servila, duke e lënë Shqipërinë pa investime dhe pa projekte dhe duke hyrë në vitin e pestë të një vendi, që po zhytet thellë e më thellë në një krizë ekzistenciale.

ZGJIDHJA është e bindur se me Ramën kryeministër, Shqipëria do të vuajë nga mungesa e vendeve të reja të punës dhe shkatërrimi i ekonomisë kombëtare, ndaj u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen programit tonë të ringritjes për ta hedhur në koshin e plehrave të historisë tragjike të Shqipërisë Rilindjen dhe projektin e saj shkatërrimtar për vendin.

ZGJIDHJA e ka bërë të qartë më shumë se një herë se ajo është përgatitur që të udhëheqë luftën për të përmbysur kastën sunduese të tranzicionit dhe këtë elitë politike të korruptuar dhe të inkriminuar deri në palcë. Rilindja, PD-ja dhe partitë e tjera parlamentare janë njëra më e keqe se tjetra, njëra më fajtore dhe mëkatare se tjetra për gjithë këtë varfëri, mjerim, papunësi, padrejtësi dhe pasiguri që vuan populli shqiptar, njëra më e kapur dhe e inkriminuar se tjetra. Vetëm me ZGJIDHJA-n do ta kthejmë Shqipërinë në tokën e lirisë, drejtësisë, shpresës dhe mundësisë, do të ngrejmë një ekonomi kombëtare që të rritet me dy shifra në vit dhe të mundet t’i punësojë e mbajë të rinjtë e të rejat në vend, një ekonomi me aftësi konkurruese në rajon e më gjerë dhe atraktive për investimet dhe investitorët e huaj dhe vendas; do të ngremë reputacionin e shtetit dhe të qeverisë tonë, do ta bëjmë Shqipërinë një aleate dhe partnere të denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera mike në botë, ndërsa shtetin tonë do ta bëjmë aleat të pazëvendësueshëm të shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë kufive tanë shtetërorë. ZGJIDHJA është e vetmja alternativë politike e së ardhmes në Shqipëri!

#ZgjidhjaPërShqipërinë”

Më shumë

Artikuj të ngjashëm