Opinion

Kur rritja nuk mjafton

Kur rritja nuk mjafton

Nga Arben Malaj

Debati se pse vetëm rritja ekonomike nuk mjafton për të matur zhvillimin; debati për zgjerimin e …indekseve dhe indikatorëve ekonomikë dhe socialë për të matur më mirë zhvillimin; debati nëse ekonominë e një vendi mund ta menaxhojnë më mirë ekonomistët apo sociologët, janë sot në qendër të sfidave të mendimit ekonomik.

Ekonomistët po diskutojnë gjithnjë e më tepër rreth faktorëve të thellimit të pabarazisë. Ndërkohë që një pjesë e saj vjen për shkak të rritjes së të ardhurave te një grup i vogël miliarderësh, një pjesë tjetër vjen edhe për shkak të trashëgimit të pasurisë nga brezi në brez, por shqetësimi kryesor mbetet thellimi i pabarazisë për shkak të dështimit të politikave ekonomike e sociale në rritjen e të ardhurave të disponueshme te klasat e varfra dhe të mesme.

Shefat e bankave qendrore dhe kolegët e tyre gjithnjë e më shumë po e vënë theksin te sfidat e vështira sociale, ekonomike dhe politike që po kalojnë vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim.

Të vetëdijshëm se limitet e përdorimit të politikave monetare jokonvencionale janë ngushtuar dhe fuqitë e politikave fiskale po shterojnë, debatet janë fokusuar te lloji, struktura dhe indikatorët e politikave ekonomike, veçanërisht te reformat strukturore për uljen e papunësisë, varfërisë dhe ndaljes së thellimit të pabarazisë, e cila ka arritur në nivele kritike. Sipas studiuesve, vetëm rritja ekonomike nuk është e mjaftueshme për të vlerësuar zhvillimin e një vendi.

Ben Bernake, ish – guvernator i FED -it, i kushtoi vëmendje të veçantë këtij debati në fjalimin e tij në forumin e BQE-së.

Studimet argumentojnë se mobiliteti social, kalimi nga klasa e varfër në klasën e mesme dhe nga klasa e mesme në klasën e pasur, është vështirësuar. Numri i personave, të cilët nëpërmjet punës dhe suksesit po bëhen të pasur, po vjen duke rënë. Klasa, apo gjendja pasurore e prindërve, po kthehet në faktorin e vetëm përcaktues të klasës dhe të gjendjes pasurore të fëmijëve të tyre. Kjo vret pritshmëritë pozitive të një pjese të konsiderueshme të popullsisë së çdo vendi.

Aktualisht, konfliktet sociale janë prezente kudo. Zinxhiri i efekteve negative nga një rritje ekonomike jo e drejtë, përfshin edhe mungesën e besimit tek institucionet ekonomike dhe politike. Me shqetësim shihet rritja në nivele kritike, edhe në vendet e zhvilluara, e perceptimit publik se qeveritë janë në shërbim të të pasurve, dhe të elitave me fuqi politike, në këtë mënyrë duke përfaqësuar gjithnjë e më pak interesat e klasës së mesme dhe të të varfërve.

Përballë këtyre risqeve potenciale dhe në rritje, kërkohen zgjidhje sa më të mirëstudiuara dhe të implementueshme. Theksi vihet te reformimi i tregut të punës. Thelbësore është rritja e punësimi, reduktimi i varfërisë dhe ndalja e thellimit të pabarazisë.

Ekonomistët po debatojnë lidhur me efektet pozitive të sigurimit të një të ardhure të domosdoshme për çdo individ dhe familje. Debati përfshin përdorimin e këtij instrumenti në nivel global në luftën kundër varfërisë. Ekonomistët po debatojnë për efektin që mund të kenë politikat rishpërndarëse në reduktimin e pabarazisë. Rritja e pagës minimale, tatimi progresiv i transferimit të pasurisë dhe i të ardhurave nga kapitali, përfshihen në debatet për opsionet e zgjidhjeve. Studimet e mëparshme argumentojnë se politikat rishpërndarëse nuk e kanë zbutur thellimin e pabarazisë. Kjo na çon në përfundimin se politikat ekonomike dhe reformat strukturore prioritare duhet të synojnë të rritin barazinë e mundësive që të zbutin pabarazinë e të ardhurave.

Politikat në tregun e punës duhet të përqendrohen te zhvillimi i aftësive të punonjësve, sidomos te përmirësimi i aftësive në bazë të nevojave të tregut. Reformat strukturore, sidomos në lidhje me liberalizimin e tregut të punës, me qëllim që vendet të fitojnë konkurrueshmërinë kombëtare në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, vlerësohen si prioritare. Forcimi i shtetit ligjor, reformimi i sistemit arsimor në shërbim të trendeve të tregjeve të reja të punës, reduktimi i pengesave të panevojshme, lehtësimi në maksimum i hapjes së bizneseve individuale, të vogla dhe të mesme, rritja e ndërmjetësve financiarë që lehtësojnë aksesin dhe koston e financimit të biznesit, rritja e pjesë- marrjes së grave në aktivitetin ekonomik, janë disa reforma strukturore që mund të rritin barazinë e mundësive.

Në vendin tonë, rritja ekonomike po tenton t’u kthehet ritmeve të larta, por shkalla e papunësisë dhe shkalla e varfërisë mbeten sfiduese, ndërsa thellimi i pabarazisë pa politika konkrete për ndaljen e tij, mund të bëhet në të ardhmen influencues i zhvillimeve sociale dhe politike. Kjo situatë kërkon reforma strukturore, të cilat do të sjellin jo vetëm ritme më të larta të rritjes ekonomike, por gjithashtu edhe një rritje më gjithëpërfshirëse. Reformat duhen të shtrihen në nivel kombëtar, por edhe në atë vendor. Qytetet dhe rajonet ekonomike gjithnjë e më shumë do të jenë burime të drejtpërdrejta të zhvillimit dhe punësimit. Kërkohet qe reformat strukturore të jenë të mirëstudiuara, të jenë të harmonizuara, të jenë unike në disa elemente të tyre, por edhe specifike për qytete dhe rajone të caktuara. Fokusi i tyre duhet të jetë mirëqenia, e cila mund të arrihet duke ulur varfërinë dhe pabarazinë. Rritja ekonomike që prodhon nivele të larta të varfërisë dhe pabarazisë nuk stimulon zhvillim.

Duhet të ndërgjegjësohemi sot për kostot e rënda sociale, ekonomike e politike të krizave dhe domosdoshmërinë e reformave, që në të ardhmen të mos gjendemi të papërgatitur përballë tyre. Strategjia më e mirë është parandalimi i tyre, çka nënkupton që goditjet e tyre të jenë sa më të menaxhueshme dhe të veprojnë për periudha jo të gjata. Kjo kërkon që në periudhat e fazave pozitive të cikleve ekonomike, të cilat karakterizohen nga norma të larta rritjeje, nivele jo të larta të papunësisë, deficite buxhetore të balancuara dhe borxh publik në ulje, të ndërmerren dhe zbatohen strategji afatmesme dhe afatgjata të bazuara në reformat strukturore sa më efikase. Pas ripërsëritjes së krizave dhe sidomos 10 vite mbas krizës globale të vitit 2007, ka shumë leksione të dobishme për t’u mësuar nga studiuesit dhe politikëbërësit.

Show More

Related Articles