KultureTe gjitha

Lufta e 1 Botërore/ Princ Wiedi në Shqipëri: koha e gabuar, vendi i gabuar

Kur Wilhelm von Wiedit iu ofrua të bëhet princ sundimtar i Shqipërisë, princi 37-vjeçar ishte kapiten i kalorësisë së Regjimentit të Tretë të Ulanëve, ai ishte i popullarizuar në mesin e shokëve dhe i mirëpritur në rrethet më të mira të Berlinit. Wilhelmi i II-të nuk ndihej aq rehat me këtë fakt. Doli se perandori kishte të drejtë me parandjenjën e tij se gjermani do të turpërohej.

Nga Karl-Peter Schwarz
Kur arriti në Durrës pasditen e hershme të 7 marsit 1914 princi Wilhelm von Wied bartte uniformën e tij të bardhë gala dhe një helmetë paradash të mbështjellë me lëkurë. Princi i Shqipërisë kishte udhëtuar bashkë me gruan dhe dy fëmijët në “Taurus”, një anije e marinës luftarake austro-hungareze, nga Triesta në kryeqytetin që e kishte zgjedhur vetë të Principatës. Shqiptarët po brohorisnin. Më në fund ata kishin një “Mbret” – dhe ç’mbret!

Edhe pa helmetë princi gjerman ishte një kokë më i gjatë se burrat që e prisnin në rresht. Krahas tij ecte princesha Sophie von Schönburg-Waldenburg me një fustan te bardhë palë-palë, me shikim të drejtuar nga burri i saj. Që të dy qeshnin. Ishte dita e tyre më e lumtur. Atasheu konsullor austro-hungarez Theodor von Hornbostel i raportonte Vjenës se ceremonitë e nderimit nga ana e shqiptarëve “s’linin gjë për të dëshiruar sa i përket entuziazmit … Qyteti ishte i ndriçuar solemnisht, fishekzjarrë, demonstrime patriotike dhe marshime përmbyllën programin e ceremonive me rastin e ardhjes së princit, të cilat në të gjitha shtresat e popullsisë lanë një përshtypje të thellë dhe të kënaqshme”. Familja princërore u vendos me rezidencë në konak, në ish-selinë e guvernatorit turk. Këtë seli familja do ta braktiste rrallë gjatë dyqind ditëve të qëndrimit në Shqipëri.

Mbretër dhe princër gjermanë kanë qëndruar gjatë në Ballkan: 135 vjet në Greqi – derisa Konstandini i II-të pas puçit të obristëve më 1967 iku në mërgim; 81 vjet në Rumani – derisa Mbreti Mihai nga shtëpia Hohenzollern-Sigmaringen u largua nën presionin e komunistëve; 67 vjet në Bullgari – deri në shpalljen e Republikës Popullore dhe arratisjes së familjes së Simeonit të II-të nga shtëpia Sachsen-Coburg në vitin 1946. Shqipëria kishte vetëm gjashtë muaj, nga marsi deri në shtator 1914, një princ gjerman. Nuk ishte vetëm faji i Wilhelm Friedrich Heinrich Prinz zu Wied që dështoi përpjekja e fundit për të etabluar në Ballkan një monarki trashëgimtare gjermane, por mbase edhe i tij. Ky prusian ishte gjendur në kohën e gabuar në vendin e gabuar. Dhe këtë ai e dinte më së miri edhe vetë.
Kur ia ofruan fronin princi 37-vjeçar ishte kapiten i kalorësisë së Regjimentit të Tretë të Ulanëve në Potsdam dhe ishte i mirëpritur në rrethet më të mira të Berlinit. Ai ishte i martuar me një grua të re dhe shumë të bukur dhe baba i një vajze katërvjeçare dhe i një djali gjashtëmuajsh. Ishte kundër karakterit të tij që të vihej para vendimeve të mëdha. Xhaxhai i tij, Perandori Wilhelmi i II-të, e vlerësonte “natyrën e tij të sjellshme, kalorësiake, të ndjeshme”. Por, në kujtimet e tij (“Kujtime dhe figura nga vitet 1878-1918”) Perandori nënvizoi se princi i njihte shumë pak rrethanat në Ballkan “për të marrë me sukses këtë detyrë me plot gjemba”. Në përgjithësi Wilhelmit i dukej “josimpatike që një princ gjerman do të turpërohej atje”. Sidoqoftë, princi Wied kishte kërkuar kohë për t’u menduar para se të merrte detyrën.

Themelimi i shtetit shqiptar ishte akordi i fundit në koncertin e Fuqive të Mëdha, para se për herë të fundit të binte perdja në gusht 1914. Pas dy luftërave ballkanike në vitet 1912 dhe 1913 si dhe ndarjes së territoreve europiane të Perandorisë Osmane mes shteteve të Aleancës Ballkanike një shtet neutral shqiptar do të duhej të lehtësonte harmonizimin e interesave mes Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Francës, Anglisë dhe Rusisë.
Në Perandorinë Osmane Shqipëria ishte ndër trevat më të prapambetura. Nuk kishte hekurudhë, pothuaj nuk kishte rrugë, ekzistonin vetëm pak shkolla. Pronarët e mëdhenj të tokave që ishin konvertuar në fenë islame ishin ndër bejlerët më reaksionarë të Perandorisë. Jashtë qyteteve fiset rregullonin jetën sipas të drejtës së tyre zakonore, Kanunit, përfshirë edhe gjakmarrjen. Që nga Revolucioni Xhonturk i vitit 1908 kishte pasur disa kryengritje kundër regjimit të ri në Stamboll, i cili për të financuar ambiciet e veta panturke dhe centraliste u zhvaste shqiptarëve tatime më të larta. Më 28 nëntor 1912 një kongres kombëtar shqiptar në Vlorë shpalli pavarësinë dhe themeloi një qeveri të përkohshme.

Rezistenca ushtarake e turqve ishte thyer, vetëm Kalaja e Shkodrës ishte ende në duar të tyre. Në veri Mali i Zi përvetësoi treva të banuara me shqiptarë, në jug Greqia. Serbia pushtoi Kosovën dhe Maqedoninë perëndimore, në Shqipërinë e Mesme depërtoi deri në Tiranë dhe arriti bregdetin adriatik. Këtë fushatë e shoqëruan spastrimet etnike. Ushtarët serbë rrethonin fshatrat, vrisnin burrat dhe i ndiqnin gratë dhe fëmijët prapa në shtëpitë që po digjeshin. 20 mijë shqiptarë u vranë, 60 mijë u arratisën, kryesisht myslimanë.
Në maj të vitit 1913 Beogradi nën presionin e Fuqive të Mëdha i tërhoqi trupat nga Shqipëria e Mesme. Në marrëveshjen për paqe të Londrës turqit hoqën dorë nga zotërimet e tyre ballkanike. Fuqitë e Mëdha u pajtuan për themelimin e një Shqipërie të pavarur, të cilën e kishte për zemër sidomos Austro-Hungaria, dhe bënin pazar për kufijtë e saj. Kosova dhe Maqedonia perëndimore iu dhanë Serbisë, jugu i Epirit me Janinën si kryeqytet Greqisë.
Në vazhdën e luftërave ballkanike Serbia pothuaj dyfishoi territorin e vet, por tani shteti shqiptar ia bllokonte daljen në Adriatik, gjë që edhe më shumë e nxiste urrejtjen kundër Monarkisë së Habsburgëve, urrejtje kjo që e ushqenin nacionalistët serbë sidomos pas aneksimit të Bosnjës nga Austro-Hungaria në vitin 1908. Në pjesën më të ngushtë mes Vlorës shqiptare dhe Otrantos së Pulias deti Adriatik është vetëm 70 kilometra i gjerë, në aspektin strategjik kjo ngushticë detare mund të krahasohet me Gjibraltarin. Portet luftarake serbe apo madje bazat e flotave ruse do ta kishin rrezikuar daljen e Austro-Hungarisë në detet botërore si dhe pretendimin e Italisë për dominim të Adriatikut. Andaj Vjena dhe Roma ishin dakord që ta mbanin Serbinë larg bregdetit adriatik. Njëkohësisht ato rivalizonin njëra-tjetrën në përpjekjet për ndikim në Shqipëri.
Austro-Hungaria e konsideronte veriun katolik si protektorat të vetin, Italia Shqipërinë e Mesme myslimane. Rusia, e cila ishte fuqi mbrojtëse e shteteve sllave ballkanike, po ashtu u angazhua për një Shqipëri neutrale. Ministri i jashtëm rus Sergej Sasonov besonte se hendeku mes tri fuqive Austro-Hungarisë dhe Italisë do të thellohej edhe më shumë. Në dhjetor 1912 Sasonov i tha ambasadorit serb në Shën Peterburg se Serbia tani për tani duhet të jetë më modeste sa i përket përfitimit të territoreve, sepse “tullumbacja austro-hungareze” do të shpërthehej pasi që “nuk është ende aq e fryrë si ajo turke”. Parisi ndante pikëpamjen e Moskës, derisa Londra synonte harmonizimin e interesave mes Rusisë dhe Austro-Hungarisë. Gjermanisë i interesonte më së paku ky rajon. Edhe për këtë arsye Princi Wied u zgjodh princ i Shqipërisë.

Fuqitë e Mëdha vepruan nën presionin e kohës dhe nuk i besonin njëra-tjetrës. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i Fuqive të Mëdha nisi punën në vjeshtën e vitit 1913. Më 18 tetor Austro-Hungaria kërkoi në mënyrë ultimative nga Serbia që brenda tetë ditësh t’i tërheq trupat nga ato territore që në Konferencën e Londrës i ishin dhënë Shqipërisë. Vjena në fakt kishte të drejtë, por sa i përket ultimatumit nuk ishte marrë vesh me Fuqitë e tjera të Mëdha. Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe sidomos Italia e konsideronin veprimin e njëanshëm austro-hungarez si shkelje besimi. Vetëm perandori gjerman mbështeti Austro-Hungarinë. Serbia u pajtua. Nëntë muaj më vonë një ultimatum i dytë austriak çoi në Luftën e Parë Botërore.
Por, nuk bëhej fjalë vetëm për Serbinë. Trupat greke gjendeshin në Shqipërinë jugore, në veri fiset sundonin trevat e tyre. Gjendja më e rrezikshme ishte në Shqipërinë e Mesme, ku çifligari Esad Pashë Toptani, i mbështetur në një armatë private prej 9000 të armatosurish, e shpalli veten mbret. Italia e favorizonte atë, Fuqitë e tjera të Mëdha e kundërshtonin. Deri në fund të vitit ato dëshironin të zgjidhnin një princ, të cilin do ta propozonin Austro-Hungaria dhe Italia së bashku.
Perandori Franz Joseph I dëshironte ta dërgonte dukën e Württembergut Wilhelm von Urach, por italianët dhe rusët nuk donin katolik. Një mysliman, i cili ishte i pranueshëm për Italinë dhe i dëshiruar më së shumti nga Perandori Wilhelm II, dështoi për shkak të austriakëve, të cilët kërcënonin me shkëputjen e veriut katolik. Ndonjë “kandidat tjetër i etur për kurorë” mbante lidhje tepër të ngushta me Romën apo Vjenën. Perandori gjerman ankohej në kujtimet e tij se “areopagu i Fuqive të Mëdha” kishte kërkuar “mundësisht shumë arsye dhe raste” që “në Shqipëri pro domo të nxjerrë përfitime nga situata e turbullt”. Në fund austriakët propozuan protestantin Wilhelm zu Wied, i cili do të mbante një ekuidistancë ndaj myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve.

Për princin ishte angazhuar shtëpia mbretërore rumune. Rumania ishte etabluar si fuqi rajonale dhe ishte shquar si ndërmjetësuese mes shteteve të Ballkanit. Wilhelm zu Wied ishte i lidhur me shtëpinë mbretërore nga ana farefisnore. Ai kishte qenë disa herë mysafir në rezidencën verore të shtëpisë mbretërore në Sinaia te tezja e tij Elisabeth, të cilën e kishte martuar Caroli I nga shtëpia Hohenzollern-Sigmaringen. Mbretëresha Elisabeth, e lindur Wied, kishte prirje romantike, merrej me poezi me emrin Carmen Sylva (“Jeta është kënaqësi nëse e sheh me një rreze drite”) dhe ishte mike e ngushtë e Sophie Helene Cecilie von Schönburg-Waldenburg, e cila ishte lindur në Rumani dhe ishte gruaja e Wiedit. Të dyja së bashku i kishin bërë presion princit kundërshtues derisa ai, me gjasë gjatë një qëndrimi në Sinaia në shtator 1913, lëshoi pe.
Wilhemi II ndërmori përpjekjen e fundit për t’ia ndërruar mendjen: “Njëfarë pavendosmërie në qëndrimin e princit, i cili detyrën e tij të re nuk e shihte fare me entuziazëm, më bindi mua dhe kancelarin që edhe njëherë me këmbëngulje ta këshillonim që kandidati i ri të mos ngjitej në ‘fronin’ e rishpikur shqiptar. Pa sukses. Gruaja ambicioze, me prirje mistike e princit e shihte Shqipërinë si plotësim të dëshirave të saj. Dhe: ce que femme veut, Dieu le veut!” (Dëshira e gruas është dëshirë e Zotit!)

Ministri i jashtëm italian Antonino di San Giuliano, i cili ishte shkëlqyeshëm i informuar mbi çështjet shqiptare, për princin prusian fliste “zakonisht me një përzierje prej ironisë dhe dhembjes”, siç i kishte raportuar nga Roma  ambasadori austriak Kajetan Mérey ministrit të jashtëm Leopold Berchtold në Vjenë. Princi, shtonte ambasadori, ka “një tipar shpirtmirësie, që mbështetet nga një buzëqeshje e shpeshtë, e cila s’mund të quhet aq e mençur, por në përgjithësi është e një parëndësie të tmerrshme”. Vetëm mund të shpresohet se “gruaja e tij e mençur“ do ta kompensojë atë që i mungon atij. Perandori Franc Joseph ankohej se ashtu si janë punët “tani duhet qëndruar pas princit Wied”.
Ai në fund u tregua i gatshëm të ngjitet në fron nëse Fuqitë e Mëdha i japin një kredi prej 75 milionë franga dhe një rrogë princërore vjetore prej 200 mijë franga. Një delegacion i përbërë nga përfaqësuesit e mbarë vendit duhej të vinte në Gjermani për t’ia ofruar fronin dhe Fuqitë e Mëdha duhej t’i garantonin se “Esad Pasha do të pranojë vullnetin e Europës dhe do t’i nënshtrohet princit të ri”. Kredia u dha. Wilhelm von Wiedi, ndërkaq, hoqi dorë që kërkesa që t’i vihej në dispozicion një korpus ekspedite. Ai besonte se 15 oficerët holandezë dhe xhandarët, të cilët ishin dërguar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, do t’ia dilnin të formonin një ushtri shqiptare që do të ishte luajale ndaj tij.

Më 21 shkurt 1914 princi priti një delegacion prej 17 dinjitarëve me Esad Pashë Toptanin në krye. Ai tha se e pranonte fronin dhe së shpejti do të shkonte në vendin e tij. Në një raport nga Roma Mérey ankohej se Wilhelm zu Wied “që në fillim të punës së tij u tregua aq i kujdesshëm dhe i pavendosur, saqë kjo nxiti në përgjithësi më shumë kritikë se sa simpati dhe në Shqipëri pati për pasojë rrëshqitjen në rrethana anarkike”.
Derisa princi në kryeqytetet europiane prezantohej si Princi Wilhelm I, Esad Pasha intensifikoi në Shqipëri lojën e dyfishtë: nga njëra anë përgatiste ceremoninë festive me rastin e ardhjes së monarkut, nga ana tjetër kryengritjen kundër tij. Wilhelm zu Wied e parandjeu rrezikun dhe prapëseprapë nuk arriti ta sfidojë beun. Esad Pasha, i cili në fakt ishte gjysmanalfabet, por ai zotëronte mjeshtërisht artin e lartë të intrigës osmane, kishte marrë drejtimin e delegacionit jo vetëm për të dokumentuar nivelin e tij të lartë si njeriu më i fuqishëm në Shqipëri. Ai shpresonte se në rrethana të favorshme sërish do t’ia merrte fronin princit, të cilit ia kishte ofruar.
Pushteti i tij në Shqipërinë e Mesme mbështetej para së gjithash në bandat e tij të armatosura myslimane. Ai dyshohej se në prill 1913 e kishte vrarë komandantin osman të Kalasë së Shkodrës dhe ia kishte dorëzuar qytetin rrethueseve malazezë pasi i kishin paguar një shumë të majme ryshfeti. Esad Pasha bashkëpunonte me italianët dhe me gjasë kishte marrë para edhe nga grekët dhe serbët. Vendimi i princit që ai të bëhej pjesë e qeverisë u dëshmua si fatal.
Çiftin princëror e kishte shoqëruar në Durrës Duncan Heaton-Armstrong, një aventurier 28-vjeçar austro-irlandez, të cilin Wilhelm zu Wiedi e kishte zgjedhur sekretar privat në mesin e 500 kandidatëve. Heaton-Armstrong ishte lindur në Velden në Wörthersee, një liqen në Austri, dhe fliste shkëlqyeshëm gjermanisht dhe anglisht, frëngjisht dhe italisht. Ai kishte ndërprerë studimet në Cambridge dhe i shtyrë nga mungesa e parave dhe nga dëshira për aventura kishte konkurruar për postin e sekretarit privat të princit. Ai e kishte shoqëruar princin gjatë turit nëpër kryeqytetet europiane dhe si zëdhënës dhe adjutant ishte më afër tij se çdokush tjetër në rrethin princëror. Ballkani ushtronte (edhe ushtron edhe sot) një fuqi tërheqëse magjike për aventurierët britanikë. Vendi i parë këtu i takon pa dyshim Mary Edith Durhamit (1863-1944), “mbretëreshës pa kurorë të maleve shqiptare”. Durham ishte 37-vjeçare kur iku nga familja drejt Ballkanit. Ajo udhëtoi në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri, kryesisht në këmbë apo mbi kalë, shkroi për gazetat “The Times” dhe “The Manchester Guardian” dhe ishte autore e disa librave. Në kapërcyellin e shekujve fjala Ballkan si “fuçi baruti” qarkullonte gjithandej. Trimëria e zonjës Durham do të kishte mjaftuar për një regjiment dragonjsh. Kur një oficer grek në Shqipërinë e pushtuar jugore iu kërcënua me vrasje, nëse ajo do të shkonte një hap më tutje, ajo ftohtë iu përgjigj: “Nuk mundesh. Unë jam angleze”.
Në sytë e saj burrëria fisnike e shqiptarëve dallonte shumë pozitivisht nga banorët e degjeneruar në Europë. Në letrat e saj ajo e përshkruante hidhur princin gjerman dhe oborrin e tij. Wilhelm zu Wied është një “frikacak … pa energji, takt dhe sjellje”, një përzierje mes “pretendimit dhe paaftësisë”, “the last man in the world for the job” (“njeriu i fundit në botë për këtë detyrë”). Sekretarin e tij privat ajo e quante “ushtar çokollatash”. Sipas saj ishte pafytyrësi që Heaton-Armstrong gjatë një darke refuzoi të shijojë një gjellë shqiptare: “Për disa arsye austriakët tmerrohen nga mishi i dashit dhe ky dështak është gjysmëaustriak”.
Princi ishte dashur të dëgjojë zonjën Durham dhe Wilhelmin II. Që të dy e kishin këshilluar të shkojë me kalë nga fshati në fshat dhe të shfaqet para popullit. Vetëm figura e tij impozante do të kishte impresionuar popullin. Por, në vend të kësaj ai e dëgjoi Esad Pashën, i cili e këshilloi të mos braktis konakun dhe qytetin. Kështu ai u dorëzua plotësisht në duart e Esad Pashës, sepse në Durrës dhe në fshatrat përreth ishte baza e pushtetit të Esadit. Në qeverinë që princi e themeloi dhjetë ditë pas ardhjes Esadi ishte ministër i brendshëm dhe i luftës dhe rrjedhimisht njeriu më i fuqishëm, sepse tani ai kontrollonte edhe mjetet e pakta ushtarake, të cilat i kishte në dispozicion principata.
Derisa në jug ziente një kryengritje secesioniste e mbështetur nga Greqia, kryengritësit myslimanë në maj 1914 rrethuan Durrësin. Wilhelm zu Wied e akuzonte Esadin se kishte lidhje me kryengritësit. Ai urdhëroi arrestimin e tij dhe e solli në një anije luftarake austriake. Vetë Wiedi u arratis me familjen e tij në një anije italiane kur kryengritësit hapën zjarr ndaj Durrësit. Esad Pasha shkoi në ekzil në Itali. Por, princi me frikën dhe pavendosmërinë e tij e humbi respektin e shqiptarëve.

Austro-Hungaria dhe Italia ia kishin dalë të bllokojnë rrugën e Serbisë drejt Adriatikut, tash ato intrigonin kundër njëra-tjetrës. Konsensusi i Fuqive të Mëdha për ta ruajtur Shqipërinë si shtet të pavarur u prish. Meqë ekzistenca e principatës bazohej në konsensusin e Fuqive të Mëdha, fundi i saj u vulos. Pas shpërthimit të luftës Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u largua, pagesa e kredive për principatën u ndërpre. Më 3 shtator 1914 edhe familja princërore braktisi Shqipërinë. Një muaj më vonë Esadi u kthye në Durrës dhe u tërhoq në dhomat private të familjes princërore në konak. Ai e refuzoi kërkesën e Wiedit që së paku t’ia kthente gjërat private.
Fuqitë e Mëdha e kishin diskredituar dhe lënë pa mbështetje Wilhelm zu Wiedin. Në luftë ai luftoi si oficer prusian. Me promemorien e tij, të cilën e publikoi në gusht 1917, ai u angazhua më kot në Vjenë që t’i jepet një shans i dytë. Por, ai nuk hoqi dorë nga froni as atëherë kur puçisti Ahmet Bej Zogu në vitin 1928 shpalli veten Mbret të Shqipërisë. Princesha Sophie vdiq në vitin 1936 në pronën e saj në Fantanele të Rumanisë, princi Wilhelm më 18 prill 1945 në Predeal. I biri i tij Carol Victor nuk ngriti pretendime ndaj fronit, ai vdiq më 1973 në München. E bija Marie Eleanora u dënua nga komunistët rumunë me 15 vjet punë të detyruar dhe vdiq më 1956 nga pasojat e saj. Duncan Heaton-Armstrong shkroi në fund të kujtimeve të tij: “Besoj që austriakët ishin miqtë tanë të vetëm të vërtetë. Shqipëri e mjerë!”
(Ky shkrim u botua në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”)

Më shumë

Artikuj të ngjashëm