Lajme

Material nga Vlora/ Vilma Bello, dëgjesë me banorët e rajonit nr.4

Në kuadër të procesit të dëgjesave me qytetarët, deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste Vilma Bello zhvilloi takim me banorët e rajonit nr.4 në zonën e ish-fushës së aviacionit në Vlorë. Ajo shoqërohej nga kryetari i Partisë Socialiste Anduel Tahiraj dhe kandidatja Elona Hodaj.

“Më vjen mirë që rikthehemi përsëri pak ditë pas fitores. Një fitore që rrallëherë ka ndodhur e tillë, kemi mbështetur alternativën e Partisë Socialiste jo thjesht si alternativë e një partie politike por si më të mirën për të besuar dhe shpresuar se do të bëjë ndryshimet e mëdha për Shqipërinë që duam”, u shpreh Bello.

Në vlerësimin e saj, kjo fitore kësaj here shton një përgjegjësi të jashtëzakonshme. “Na rrit përgjegjësinë dhe peshën e rëndë por të bukur të fitores. Kjo bashkëqeverisje që e ka inicuar Partia Socialiste si një proces shumë i denjë po bëhet pas një fushate dinjitoze që u zhvillua. Në të njëjtën mënyrë, fillimi i një procesi të tillë të bashkëqeverisjes, bëhet i vlerë sa për ne aq edhe për qytetarët të cilët do të ndihen pjesë e kësaj qeverisjeje për të ndarë sëbashku hallet dhe problematikat e tyre. Deri në fillim të Shtatorit kur qeveria e re do të krijohet, këto prioritete të kësaj zone të shkojnë në tavolinat e ministrive përkatëse, për tu dhënë zgjidhje atyre që janë më imediate”, vlerësoi Bello.

Kthimi i kësaj zone informale në një zonë urbane, furnizimi me ujë të pijshëm e drita pa ndërprerje si të gjitha zonat e tjera të qytetit, kushtet e vështira infrastrukturore të zonës, shtrimi i rrugës kryesore, kalimi i linjës së transportit publik, rikonstruksioni i shkollës së vetme në zonë, kthimi i saj në qendër komunitare,  rikonstruksioni i qendrës shëndetësore dhe pajisja e qendrës shëndetësore me medikamentet e duhura mjekësore dhe marrja e kujdesit të duhur shëndetësor, në kushtet e mungesave të bazës materiale, ishin prioritetet e parashtruara në takimin e sotëm nga vetë banorët.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm