Politike

Mbledhjet e kabinetit “Rama 2”, Patozi: Mund të jetë hera e fundit

Ish – deputeti PD-së, Astrit Patozi, ka ironizuar takimet informale të kryeministrit Rama me ministrat ende të padekretuar.

Sipas Patozit, këto takime informale të Ramës dhe të ministrave të tij, do të jenë të fundit që bëhen publike për median dhe qytetarët, pasi menjëherë pas deklarimit askush s’ka për të dëgjuar më për to, por vetëm, për vendimet që do të miratojnë në fshehtësi të plotë.

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Patozi shkruan se vetëm në Shqipëri ndodh që stërvitja e skuadrës të jetë më e rëndësishme se vet ndeshja.

Statusi i Patozit:

“Mund të jetë hera e fundit

E bën mirë që i mbledh ministrat e padekretuar ende, qoftë edhe në takime informale, sepse besohet që çdo konsultim apo debat është më mirë se sa t’i dish dhe t’i bësh të gjitha vetë.

Por që i nxjerr në TV dhe prodhon kaq shumë lajme dhe thashetheme për to, kjo nuk shpjegohet dot me logjikë normale.

Sepse të gjithë e dinë se kur qeveria të votëbesohet, nuk do të ketë më, as lajme dhe, as njoftime, si për mbledhjet, ashtu edhe për vendimet e saj.

Por gjithçka do të rrotullohet dhe qendërzohet rreth asaj që do të thotë dhe më pas do të ekzekutojë “timonieri” i vetëm i Republikës së Re. Marrëveshja e 18 majit ia bëri edhe këtë të mirë Shqipërisë. I shtoi ndriçimin dhe frymëzimin udhëheqësit.

Ky është rasti i vetëm në botë, kur seancave stërvitore të një skuadre i jepet më shumë rëndësi se sa ndeshjes.

Ndaj mbajini mend mirë këto pamje, se mund të jetë hera e fundit që i shikoni ato burra dhe gra si ministra, pavarësisht se me veshje jozyrtare, duke hyrë e dalë, jo nga zyrat e shtetit, por prej hoteleve turistike.

Që prej të hënës ata mund të kthehen të gjithë në identitet, si figurantë të një qeverisje tërësisht personale”.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm