Ndërron jetë në spital shkrimtari i madh, Dritëro Agolli

Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare pas problemeve shëndetësore shkrimtari i shquar shqiptar Dritëro Agolli. Ai u nda nga jeta rreth orës 16:00 të ditës së sotme dhe sipas informacioneve të para mjekët e kishin nxjerrë nga intubimi për të testuar mushkëritë.

Disa ditë më parë ai është shkruar me urgjencë në sanatoriumin e Tiranës për shkak të një komplikacioni që ka pasur në rrugët e frymëmarrjes.

Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar shumë kohët e fundit, madje pak ditë më parë ishin familjarët dhe mjekët që ngulën këmbë se duhej të shtrohej, po në vend që të përmirësohej i madhi i letrave ka ndërruar jetë.

Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg.

Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur me gjini e lloje të ndryshme:poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa cmimeve dhe i nderimeve të tjera.

Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Agolli nisi të shkruajë veprat e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në vitin 1947 në gazetën “Rinia”. /b.l/noa.al/