Politike

Pas katër vitesh Shqipëria ka një rritje ekonomike

Nisma të cilën ne po diskutojmë sot vjen si rezultat i një nevoje të domosdoshme për të siguruar hapësirën e mjaftueshme financiare të sektorit energjetik

I nderuar drejtues i seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Nisma të cilën ne po diskutojmë sot vjen si rezultat i një nevoje të domosdoshme për të siguruar hapësirën e mjaftueshme financiare të sektorit energjetik, për garantimin e energjisë elektrike për qytetarët.

Këtë vit të gjithë ishim dëshmitarë i një thatësire të tejzgjatur, rreth gjashtëmujore, e cila për sistemin tonë energjetik, që është i bazuar në rezervat hidrike, lindte nevojën e marrjes së të gjithë masave të nevojshme për sigurimin e qytetarëve me energji elektrike deri në fund të këtij viti.

Përmes këtij Aktit Normativ rritet  me 3 miliardë lekë fondi në dispozicion të blerjes së energjisë elektrike, duke e çuar nga 1,5 miliardë lekë në 4.5 miliardë lekë. Rritje ka shënuar edhe fondi rezervë i qeverisë, i cili nga 1.5 miliardë lekë shkon në 2.7 miliardë lekë. Deri në 1.2 miliardë lekë të këtij fondi do të përdoren për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore nga Këshilli i Ministrave; 500 milionë lekë do përdoren për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, ndërsa 1 miliardë lekë për përballimin e emergjencave natyrore.

Vlen për t’u përmendur se deficiti buxhetor mbetet i pa ndryshuar, ndërsa të ardhurat dhe shpenzimet e pushtetit vendor shtohen me 2 miliardë lekë (bazuar mbi performancën e të ardhurave të gjashtëmujorit).

Gjithashtu rialokohen edhe shpenzimet kapitale, nga projektet me ecuri të ngadaltë tek ato me ecuri të lartë, për të rritur efiçencën e përdorimit të burimeve publike si dhe për të eliminuar rastet e krijimit të detyrimeve të prapambetura.

Më lejoni të theksoj se sa i takon fondit të akorduar në formën e huasë për sektorin energjetik, u sigurua nga përdorimi i disa kursimeve në disa zëra të tjerë shpenzimesh, pra pa cënuar aspak targetet e deficitit, balancës primare dhe stokut të borxhit publik, të vendosura që në dhjetor të vitit 2016 kur u miratua buxheti 2017.

Ky sektor, falë reformave rrënjësore dhe të shëndetshme të ndërmarra nga kjo qeveri, është në gjendje disa herë më të mirë financiare dhe i aftë që të shlyejë tërësisht këtë hua të dhënë nga buxheti i shtetit, por edhe të tjera të cilat deri më tani kanë qenë paguar nga buxheti i shtetit tek bankat dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Deri më tani, e gjithë kriza e prodhimit të energjisë është përballuar me fondet e vet kompanive të sektorit. Kalimi me sukses deri më tani i këtij testi tregon për efektin pozitiv që ka patur reforma në sektorin energjetik, çka i ka bërë kompanitë në gjendje të menaxhojnë edhe situatë krizash hidrike.

Treguesit makroekonomikë dhe performanca fiskale gjatë 8-mujorit është plotësisht në linjë me parashikimet fillestare dhe objektivat e buxhetit 2017. Deficiti buxhetor nuk ka ndryshuar aspak nga niveli i programuar në buxhetin fillestar.

Ekonomia ka vijuar përshpejtimin gradual të rritjes përgjatë gjysmës së parë të vitit, dhe në tremujorin e parë norma e rritjes shënoi një nivel prej 3.94%. Ky ritëm pozitiv në tremujorin e parë të vitit 2017 është vazhdim i rritjes pozitive prej 3.46% të vitit 2016.

Investimet, konsumi dhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve kontribuan pothuajse në pjesë të barabarta në rritjen e përgjithshme.

Ndonëse ishte një vit zgjedhjesh dhe ekonomia përgjithësisht ndër vite tenton një lloj stepje, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 investimet private dhe ato publike patën një përmirësim të ndjeshëm. Kjo u mbështet nga investimet e huaja direkte (që u rritën me 10.4% gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, në terma vjetore), ndërtimi dhe investimet publike (të cilat për periudhën janar-mars 2017 ishin pothuajse 41% më të larta në terma vjetore).

Një trend pozitiv pati edhe konsumi, kryesisht duke reflektuar rritjen e besimit të ekonomive familjare kundrejt kushteve ekonomike. Kjo rritje kapi shifrat e 2.54%, duke kontribuar me 1.5 pikë përqindjeje në rritjen e përgjithshme ekonomike, mbështetur nga norma të ulëta historike të interesit si edhe përmirësim të besimit të konsumatorëve në ekonomi.

Ajo që vihet re është edhe rritje e konsumit të sektorit publik dhe kërkesës së huaj e cila, në dallim nga viti i kaluar, kontribuoi pozitivisht duke reflektuar kryesisht zgjerimin e eksporteve për mallra me 7.44%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, të gjeneruara plotësisht nga eksporte më të larta të mallrave dhe shërbimeve, të cilat u rritën me 12.36%.

Sa i përket treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën janar-korrik 2017, të ardhurat janë realizuar në masën 103.2% (ose rreth 7.7 miliardë lekë më shumë se projeksioni), ndërsa shpenzimet janë realizuar në masën 98.3%. Por çka është më e rëndësishme, ndonëse në periudhë post-zgjedhore, balanca fiskale e qeverisë në muajin korrik është rreth 2.9 miliardë lekë suficit, për herë të parë në 27 vjet në një vit elektoral.

Të nderuar kolegë deputetë,

Më lejoni të theksoj në fjalën time, se është hera e parë që nuk ka një buxhet elektoral. Gjatë këtij viti nuk pati shpenzime ekstra, ndërkohë që është hera e parë në 27 vite që në një vit elektoral rriten të ardhurat dhe ulet borxhi.

Shqiptarët ishin mësuar që çdo dy vjet në Shqipëri të kishte zgjedhje; qeveria të rriste shpenzimet pa asnjë logjikë financiare, duke rrezikuar shpesh herë dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Mentaliteti për t’u hedhur hi syve duke bërë shpenzime elektorale me shpresën që do të merrnin votat, bënte që në përfundim të vitit niveli i borxhit dhe i huave të marra të binte barrë mbi qytetarët menjëherë pas zgjedhjeve, ndërkohë që investimet më pas ose mbeteshin përgjysmë ose do të duhej të rishiheshin për shkak të mosmarrjes parasysh të mendimit të ekspertëve më të mirë.

Në katër vite u morën masa të rëndësishme dhe efikase për të rivendosur stabilitetin makroekonomik pas pragut të një falimentimi. Pas katër vitesh Shqipëria ka një rritje ekonomike e cila është thuajse katër herë më e lartë se ajo që gjetëm në 2013.

Kam dëgjuar këto kohë kolegë të opozitës të cilët deklarojnë shpesh se PBB është më e ulët në 2017 se në 2013, duke u bazuar në fakt thjesht tek rivlerësimi i USD ndaj lekut. Por PBB matet në lekë, dhe në monedhë lokale llogaritet edhe rritja ekonomike reale (që korrekton rritjen e çmimeve).

Në vitet 2014-2015 janë shlyer respektivisht 33.9 miliardë (2.4% e PBB) dhe 17.6 (1.2% e PBB) miliardë lekë detyrime të prapambetura (me fonde buxhetore). Nëse korrektohet për këta faktorë, deficiti i këtyre viteve shkon përkatësisht 38.2 miliardë për vitin 2014 dhe 40.6 miliardë për vitin 2015 (respektivisht 3.8% dhe  3.9% e PBB).

Rruga drejt konsolidimit financiar s’ka qenë aspak e thjeshtë, për të arritur këtu ku jemi sot, pasi janë dashur shumë reforma, të cilat në këtë mandat tonin të dytë qeverisës do të japin efekte edhe më pozitive dhe të prekshme nga qytetarët e thjeshtë.

Reforma në energjetikë dhe ajo për formalizimin e ekonomisë ishin disa prej reformave më të vështira, kjo edhe për shkak të mentalitetit që qeveria e dikurshme, tashmë opozitë, kishte krijuar.

Vetëm për periudhën 2012-2013, sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike prodhoi një humbje financiare prej më shumë se 60 miliardë lekë, dhe një nivel borxhi të pashlyer për detyrime tatimore dhe dividend prej më shumë se 38 miliardë lekë.

Vjedhja e energjisë dhe shmangia e detyrimeve duke nxitur korrupsionin në radhët e administratës tatimore, pasuronin gjithnjë e më shumë njerëzit pranë qeverisë, ndërkohë që buxheti i shtetit asfiksohej.

Për fat të mirë situata është ndryshuar, duke krijuar një stabilitet në sistemin energjetik dhe në të njëjtën kohë duke krijuar një administratë tatimore e cila e konsideron biznesin jo si një mundësi për të zhvatur.

Një vëmendje të veçantë qeveria u ka kushtuar edhe investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së shumë qyteteve përmes programit të rilindjes urbane, por dhe të zonave prioritare për turizmin. Falë menaxhimit të mirë publik dhe privat të iniciativave, në këtë fushë është garantuar një zhvillim koherent mjedisor, ekonomik dhe socio-kulturor.

Falë projekteve të qeverisë është mundësuar dalja nga varfëria e 60 mijë personave, dhe 29 mijë të tjerë janë shpëtuar nga mjerimi, ndërsa paralelisht është rritur dhe mbështetja financiare për të papunët. Vendosja për herë të parë e pensionit social, statusi i naftëtarit, rritja e pagesave për personat me aftësi të kufizuar, ndihma për dhënien e teksteve shkollore dhe vaksinimi për fëmijët që vijnë nga familjet në nevojë, janë tregues mëse të qartë të vullnetit për të përmirësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve të thjeshtë.

Edhe pse ju i keni parë gjithmonë si një mundësi për të marrë votat,  qeveria e drejtuar nga Edi Rama u riktheu dinjitetin ish të dënuarve politikë, duke paguar 7 këste për rreth 17.300 të përndjekur, ndërkohë që po paguhet edhe kësti i 8-të.

Mbështetje i është dhënë edhe grave, ku përmes skemave të ndryshme ekonomike është rritur numri i atyre që janë punësuar qoftë në ekonominë familjare, në bizneset e hapura vetë apo në sektorin privat, ndërkohë që paralelisht është ngushtuar diferenca në paga midis burrave dhe grave.

Edhe në buxhetin e 2017-s, ashtu sikurse gjatë katër viteve të qeverisjes sonë, një vëmendje i është kushtuar edhe bujqësisë, dikur një sektor i harruar. Sot janë të shumtë ata që kthehen nga emigracioni dhe punojnë tokat e tyre, duke krijuar edhe biznese të suksesshme që jo vetëm kanë përmirësuar jetesën e familjes së tyre, por kanë gjeneruar edhe vende të reja pune për të tjerë. Paketa e Projekteve për Sistemin e Vaditjes dhe Kullimit ka shërbyer për mbështetjen e rreth 136 projekteve, për 59 bashkitë e vendit.

Vetëm për këtë vit, për funksionin e ujitjes dhe kullimit, në transfertën specifike për baskitë fondet janë dyfishuar.

Transformuam qendrat e qyteteve dhe blloqet e banimit në hapësira urbane evropiane, plot frymëmarrje për banorët dhe vizitorët. Përmes programit “Rilindja Urbane”, gjatë viteve 2014–2017 janë financuar  642 projekte.

Për t’u vlerësuar është procesi i legalizimit, i cili është bërë falas, ku totali sot ka arritur në 146 mijë. Në vend të sekserëve që prisnin dje në radhë, qytetarët sot kanë një proces transparent, ku ekipet e punës kanë verifikuar në terren çdo pretendim të qytetarëve për të marrë zgjidhjen e duhur.

Jemi koshientë se ka ende shumë për të bërë në të gjithë sektorët, sikurse është edhe ai i shëndetësisë, por është e pamohueshme reforma dhe ndryshimi rrënjësor që ka pësuar.

Sot qytetari shqiptar përfiton shërbime shëndetësore publike pavarësisht mundësisë së tij ekonomike, duke përfshirë për herë të parë në kujdesin shëndetësor publik, shërbimin pa pagesë nga mjekët e familjes për të gjithë shtetasit pa dallim, të siguruar ose jo. Pra për rreth 6 milionë vizita që realizohen në vit, sistemi nuk arkëton; por më e rëndësishmja është që qytetarët nuk paguajnë.

Duke mos dashur që të marr më shumë kohë, të nderuar kolegë deputetë, do t’ju ftoja që së bashku të miratojmë këtë akt normativ, që sikurse theksova në fjalën time bën të mundur garantimin e ofrimit të shërbimeve publike, rritjen e efiçencës së përdorimit të burimeve publike si dhe rrit sigurinë në realizimin e treguesve të buxhetit.

*Fjalimi në Parlament i deputetes dhe Sekretares së Koordinimit Elektoral në Partinë Socialiste, Blerina Gjylameti

Më shumë

Artikuj të ngjashëm