Politike

PD t’i rikthehet arsyes, e të ecim përpara me reformat që shqiptarët presin

Prononcimi për media i nënkryetares së grupit parlamentar socialist, Elisa Spiropali:

– Znj. Spiropali, çfarë po ndodh brenda sallë së seancave plenare?

“Keqardhje e sinqertë për Partinë Demokratike, e cila vijon të mos nxjerrë asnjë mësim nga ndëshkimi popullor zgjedhje pas zgjedhjesh. E zhytur edhe në një krizë të thellë brenda vetes, PD po kapet pas cungut të politikës së vjetër si i mbyturi pas fijes së barit; është e qartë edhe nga ajo skenë. Asnjë vizion, asnjë ide, asnjë lidership për fat të keq; vetëm një grusht kolegësh që vijnë në kuvend si në një klub fshati dhe mendojnë se do vazhdojnë avazin e vjetër të marrjes peng të parlamentit. Ai avaz ka mbaruar në katërvjeçarin që kaloi. Parlamenti ka rregulla të qarta dhe të reja.

Ne nuk jemi këtu për të qarë hallin e Partisë Demokratike, qofshin ato edhe problemet e rënda që ata kanë. Ne jemi këtu për t’u marrë me hallet e Shqipërisë dhe do ta bëjmë këtë me vendosmëri duke mos rënë në asnjë çast dhe për asnjë arsye në batakun e sherrit dhe në batakun e llafeve.

Konkretisht, ne erdhëm sot këtu për të votuar Komisionin e Reformës Zgjedhore siç ata e kërkuan, siç ata e donin dhe siç e kërkuan. Nuk na e dhanë këtë mundësi, nuk na lanë të votonim, sepse si duket ata nuk kanë ardhur me arsyen serioze për të votuar këtë Komision Zgjedhor, por kanë ardhur për sherr. Na vjen keq; nuk jemi këtu për ta. Ne jemi këtu, edhe njëherë e theksoj, për t’u marrë me çështjet thelbësore të Shqipërisë dhe me problematikat që ka.

I bëjmë thirrje Partisë Demokratike padiskutim që t’i kthehet arsyes dhe i themi në fund që, si duket, kur Perëndia t’i merr mendtë, vetëm Perëndia mund të të bëjë derman dhe askush tjetër, qoftë kjo edhe forca mazhoritare.

 

– Çështje thelbësore janë edhe deklaratat e ambasadorit Lu. Për vitet e qeverisjes tuaj ai ka deklaruar që ka 0 arrestime në kriminelët e mëdhenj dhe asnjë peshk i madh nuk është ndëshkuar.

Në qoftë se do hidhemi nga dega në degë, nga seanca e sotme në deklaratat e zotit Lu apo deklaratat e Kryeministrit për luftën ndaj krimit, apo deklaratat e Ministrit të Brendshëm, kjo është për një seancë tjetër. Ajo që mund të them është që ne jemi të vendosur për t’u marrë me çështje të tilla thelbësore dhe për asnjë moment për t’iu kthyer debatit të vjetër dhe avazit të vjetër në Kuvendin e Shqipërisë, ku një grusht njerëzish pushtojnë foltoren dhe në mungesë të vizionit, të ideve dhe të lidershipit mendojnë që të mund të marrin peng të gjitha punimet e parlamentit.

 

– Nuk do të ishte më mirë që mazhoranca në këto momente të shfrytëzonte mekanizmat parlamentare për të thirrur edhe njëherë Konferencën e Kryetarëve mes grupeve parlamentare, për ta sqaruar situatën,- meqënëse demokratët kërkojnë debat,- përpara se të miratohet komisioni?

Kjo është shumë e thjeshtë, ne e thamë: i kemi ezauruar të gjitha mënyrat. Ishte një justifikim ai i sotmi, sepse Konferenca e Kryetarëve është mbledhur; kemi një rend dite. Askush nuk do i pengojë debatet qoftë për Komisionin Zgjedhor, qoftë për Reformën Zgjedhore apo të tjera. Ne kemi qenë të parët dhe të gatshëm për ta ngritur këtë komision, sepse siç e thamë ne erdhëm këtu pikërisht për të votuar këtë komision dhe ata nuk erdhën as për veten e tyre.

 

– Në relacionin e Partisë Demokratike për zgjedhjet kërkohet sërish votim dhe numërim elektronik. Do ta pranoni si kërkesë?

Ky është një diskutim i cili do bëhet në detaj dhe me profesionalizëm në Komisionin e Reformës Zgjedhore, në atë tryezë ku çështje të tilla diskutohen dhe debatohen.

 

– Për 4 vite thatë që është e pamundur. Do ta pranoni këto 4 vite kërkesën?

Edhe njëherë, është një çështje e cila do diskutohet në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Kemi dy bashkëkryetarë, z. Çuçi dhe z. Bylykbashi nga opozita, ra të gjitha shanset që në atë tryezë të barabartë  ne t’i japim një zgjidhje më në fund çështjes së votës, Reformës Zgjedhore; dhe të bëjmë më të mirën që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme përfundimisht. Standardi i zgjedhjeve ka ardhur padiskutim duke u përmirësuar zgjedhje pas zgjedhjesh, por tani jemi në fazën ku kemi vullnetin e plotë për ta bërë Komisionin e Reformës Zgjedhore ashtu siç e kërkon dhe e do opozita. Ne i bëjmë thirrje atyre që të kthehen në seancë për të bërë mundur pikërisht këtë gjë.

 

Faleminderit shumë!

Më shumë

Artikuj të ngjashëm