LajmeTe gjitha

Policët vodhën 1100 euro, Akuzat e banorëve të Vrinës

Fiks Fare sjell detaje të reja për operacionin e 5 nëntorit nga policia e Sarandës, lirohen të gjithë të dyshuarit.

Akuza të reja për policët e Sarandës, nga banorët e arrestuar për kundërshtim gjatë një operacioni në fshatin Vrinë më 5 nëntor.

Fiks Fare i është rikthyer ngjarjes, duke intervistuar dy banorë të tjerë që janë liruar nga Gjykata e Apelit në Gjirokastër, të cilët kanë treguar fakte të tjera për operacionin policor, ndërsa dy fëmijët e Feti Indrizllarit, bëjnë lutje për lirimin e babait të tyre, pasi sipas tyre, është i pafajshëm dhe i vetmi që kujdeset për djalin 11 vjeç.

Pas denoncimit në Fiks Fare të Fiqirije Pashajt, invalidja, e cila dyshohej se kishte organizuar sulmin ndaj punonjësit të policisë Gëzim Çela gjatë arratisjes së Ermir Indrizllarit, Gjykata e Apelit Gjirokastër ka vendosur lirimin e dy të arrestuarve të tjerë, pikërisht Asllan Pashaj, burri i Fiqirijes, dhe Maustafa Indrizllarit, babai i Ermirit.

Ata janë liruar kundrejt garancisë pasurore 500 mijë lekë secili. Por, në burg është lënë Feti Indrizllari, i ve, i cili jetonte me djalin 11 vjeç, pasi vajzën e kishte studente në Tiranë.
Pas lirimit të tyre, Fiks Fare shkoi sërish në fshatin Vrinë, ku foli me dy të liruarit. Asllan Pashaj nxori detaje të reja, duke shpjeguar se më 5 nëntor, ai kishte shkuar bashkë me Fetiun te lopët, pranë Butrintit.

Kur kishte dalë, polici Enea Abedini, u kishte drejtuar pistoletën, duke i pyetur çfarë lidhje kishin me të arratisurin dhe ku po shkonin. Pas sqarimit me policin, ata u larguan për te lopët, ku pas një ore e gjysmë një grua i ka thënë se i ka vdekur gruaja.

Ai ka ardhur në shtëpi dhe kur ka dashur të shohë gruan, e cila ndodhej e shtrirë në oborr, policia e ka arrestuar, pa e ditur se çfarë kishte bërë dhe duke menduar se Fiqirija kishte vdekur. Në të njëjtën kohë, kanë arrestuar edhe Fetiun.
Më pas, kur ishte në burg, ai ka bërë kallëzim penal pranë një oficeri të SHKB edhe për punonjësit e policisë. Gjatë kallëzimit ka dëgjuar edhe djalin e arratisur, i cili ka deklaruar se ditën e arrestimit ka pasur 1100 euro me vete. Dy policët Gëzim Çela dhe Enea Abedini i kanë propozuar që ai tu japë paratë dhe ata do e linin të arratisej.
Edhe Mustafa Indrisllari deklaron se atë ditë nuk ka kundërshtuar asnjë punonjës policie.

Ai thotë se policia ka hyrë me forcë në shtëpinë e tij, ka marrë të birin nga dhoma me pantallona të shkurtra dhe më pas ka nisur kontrollin në shtëpi. Duke qëndruar në prani të policëve, pasi ishte detyrim se po i kontrollonin shtëpinë, ai ka dëgjuar një krismë dhe ka dalë jashtë, duke menduar se i vranë të birin.

Kur ka dalë jashtë ka parë që i biri kishte ikur dhe në këto kushte e kanë shoqëruar në komisariat, ku i kanë vënë prangat Edhe ai ka bërë kallëzim në SHKB dhe thotë se të birit i kishte dhënë 110 euro për të blerë disa gjëra, pasi donin të mbillnin ullinj.

Fiks Fare intervistoi edhe djalin e Feti Indrisllarit, i cili tregon momentin e arrestimit të babait të tij. Ai shpjegon se babai po vinte nga puna, kur e arrestoi policia dhe që atë ditë nuk ka mundur të shkojë në shkollë, pasi nuk ka kush të kujdeset për të.

Në këto kushte, ai i bën lutje shtetit të lirojë babanë e tij. Edhe vajza e Feti Indrisllarit, e cila tregon se vetëm babai i saj është mbajtur në burg se nuk ka pasur para për të paguar garanci he që gjykata nuk e ka marrë parasysh faktin se kush do kujdesej për vëllain e saj më të vogël, vetëm 11 vjeç. Ajo thotë e babai i saj është i pafajshëm.

Ditën e diel, prokuroria e Sarandës ka kërkuar ndryshim mase sigurie kundrejt garancisë pasurore prej 300 mijë lekësh edhe për Feti Indrisllarin, babanë e 11 vjeçarit dhe gjykata e Sarandës ka vendosur lirimin e tij dhe të hënën ai është bashkuar me fëmijët.

Ndërkohë, Shërbimi i çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka nisur hetimin për punonjësit e policisë në këtë rast, të cilët dyshohen se fabrikuan sulmin e kryesuar nga një invalidë, pikërisht për të përfituar 1100 euro që i janë marrë personit që u arratis me 5 nëntor dhe më pas u dorëzua vetë në polici.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm