Kulture

Prishtinë: “Shugurohet me ceremoni Katedralja e Nënë Terezës”

Shugurohet me ceremoni Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë.

Shugurimi i shenjtërores kushtuar Shën Nënë Terezës, në Prishtinë, filloi sot, në orën 11:00, me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve të kishës.

Prinë ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues, pas të cilëve ecnin i Deleguari i posaçëm i Vatikanit, kardinali shqiptar Ernest Simoni (Troshani) i shoqëruar nga ipeshkvi i vendit imzot Dodë Gjergji sbashku me kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë e shumë të ftuar të tjerë.

Në hyrje të kishës u bekua uji për ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve dhe Kisha dhe hapësira e saj u spërkatën me këtë ujë të bekuar.

Kori i kishës përcolli ceremoninë gjatë gjithë kohës dhe pas Ungjillit dhe predikimit vijoi kushtimi apo shugurimi, i cili filloi me litanitë, gjatë të cilave thirren në ndihmë shenjtorët e Kishës katolike.

Më pas vijoi vendosja e relikeve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezës, në vendin e përgatitur enkas pranë shtatores së saj, anash altarit kryesor.

Sipas ritit të shugurimit, altari u pastrua me ujë të bekuar dhe u lye me bagmin apo vajin e shenjtë dhe këtë bagëm u vajuan gjithashtu edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e kishës.

Mbi altar u dogj kemi i cili u shoqërua nga kënga e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e ipeshkvit. Ndërkohë, Mesha vijoi si zakonisht me Eukaristinë e përkujtimin e Darkës së mbrame të Krishtit.

Në mbyllje të ceremonisë së shugurimit të gjithë besimtarët kënduan lutjen “Lavd e nder të qoftë, o Zot” në shenjë mirënjohjeje për këtë ngjarje të rëndësishme. Pas marrjes së bekimit solemn të kardinalit Ernest Simoni të pranishmit u shpërndanë.

Në këtë ceremony ishin të pranishëm autoritetet më të larta të vendit: Presidenti i vendit, Hashim Thaçi; i nominuari për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj; Kryeministri në largim, Isa Mustafa; ish – Presidentja Atifete Jahjaga, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari dhe zyrtarë të lartë e përfaqësues të institucioneve fetare e partive politike.

VATIKANI: Ja çfarë do të thotë “SHUGURIM”

“Shugurimi është përkushtimi solemn ndaj një qëllimi apo shërbimi të veçantë, zakonisht fetar. Fjala “shugurim” do të thotë “bashkim me ç’është e shenjtë”. Mund të shugurohen njerëz, vende, ose sende e, termi përdoret në mënyra të ndryshme nga grupe të ndryshme.

Në Kishën Katolike, termi “shugurim” përdoret për të treguar se njerëz, ose objekte janë në shërbim të Zotit.  Për shembull, gjatë meshës, shugurohet buka dhe vera. Pra, duke shqiptuar fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, me hirin e Tënzot, buka dhe vera shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit. Në liturgjinë katolike, termi “shugurim” u rezervohet vetëm disa riteve si: bekimi i Bagmit, shugurimi i ipeshkvit dhe kushtimi i një kishe.

Në kuadrin e përshpirtërisë katolike, përdoret termi “shugurim” edhe në rastin kur një person ia kushton jetën krejtësisht Zotit, duke u bërë meshtar, rregulltar, ose murgeshë. Shugurimi i një meshtari bëhet përmes shtrirjes së duarve sipër kokës së tij nga ana e ipeshkvit”.

VIDEO- Ceremonia e shugurimit të Katedrales "Nënë Tereza"

Posted by RTK on Dienstag, 5. September 2017

Show More

Related Articles