Politike

Salianji: Trafikantët e kanabisit?! “Mjaft të kapësh ata me makinat 100 – mijë euroshe në Tepelenë”

Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar se aksioni i fundit i qeverisë për luftën kundër kanabisit, me anë të një Task – Force, nuk është tjetër veçse një farsë.

Salianji thekson se, nisma e qeverisë për të arrestuar “bosët” e drogës ka si qëllim vetëm për të trembur kultivuesit e vegjël.

Sipas tij, janë të paktën 15 persona që kontrollojnë gjithë aktivitetin kriminal të kanabisit në vend që kanë lidhje dhe mbështetje nga qeveria. Rama nuk ka objektiv luftën kundër kanabisit por kontrollin e çmimit të saj.

Ja çfarë thotë Salianji:

“Është një shou i pavlerë nga ana e kryeministrit.

Nuk ka nevojë për të pasur një Task – Forcë, ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe organet ligjzbatuese janë të ngarkuara nga ligjet për të luftuar fenomenin 24 orë.

Po ashtu ligji detyron edhe kryetarët e fshatrave për të denoncuar çdo fakt të kultivimit të lëndëve narkotike. Besoj dhe është plotësisht e qartë që ky shou mediatik është më shumë për të trembur një pjesë e kultivuesve të drogës që nuk kanë lidhje me qeverinë.

Shqetësimi kryesor i qeverisë është ulja tej mase e çmimit të kanabisit për shkak të kultivimit masiv dhe qeveria do ta mbaj të kontrolluar tek disa duar të cilët marrin pjesën e tyre të fitimit. Ky është interesi i drejtpërdrejtë i kryeministrit dhe drejtorëve të policisë të lidhur me këtë fenomen masiv në Shqipëri.

Unë kam qenë në disa zona, edhe në fshatin e ish – ministrit të atëhershëm (Tahiri). Kam qenë në zonat e Kolonjës kur ishin zgjedhjet e pjesshme lokale dhe e them me bindje se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga policia, asnjë procedurë formale për të pyetur se ku ndodhen parcelat.

Kanë qenë ara të kultivuara nga njerëz që e paguajnë qeverinë, që i paguajnë strukturat qeveritare nga njerëz me lidhje të forta qeveritare.

Nëse do të donte qeveria, të paktën kultivimin e këtij viti, mund ta ndalonte në masë të madhe, duke e minimizuar pothuajse plotësisht. Por, interesi i qeverisë është që të prodhojë para dhe jo që të ndalojë këtë fenomen. Tek kjo dua të theksoj vetëm disa problematika që lindin nëpër zona.

Së pari, kultivimi i lëndës narkotike nuk bëhet nga njerëz të zonës por bëhet nga njerëz të dërguar nga qeveria, me influencë tek qeveria. Në Kolonjë ishin dërguar njerëz nga Vlora, Korça, Tepelena. Apo në zona të tjera janë njerëz që e kontrollojnë këtë fenomen, që kanë lidhje me qeverinë. Nëse do të ketë vullnet dhe dëshirë parcelat me kanabis shkatërrohen brenda një viti.

Por mendoj që qeveria ka vetëm vullnet dhe dëshirë për ta monopolizuar në disa duar për të përfituar sa më shumë nga ky fenomen.

Nuk ka asnjë nevojë të fshihen. Në zonën e Tepelenës ku kam qenë kam treguar se si në maj të malit ka makina superluksoze nga 100 mijë euro e më shumë. Mjafton t’i kapësh këto persona që shkojnë për të kontrolluar parcelat dhe aty zbulon edhe personat që e mbjellin, personat që e transportojnë, personat që janë pronarët, madje dhe personat që kanë lidhje me qeverinë. Mjafton të marrësh nën mbikëqyrje këta njerëz dhe emrat e kemi thënë, janë në qeveri.

Edi Rama është kryetari apo përfaqësuesi i këtij fenomeni që i sjellë përfitime  miliarda euroshe në vit, për vetë apo për anëtarët e vet të qeverisë apo të bandës.

Shifra 124 është një shifër abuzive, e përdorur sa për të thënë një numër, që ne kemi nën mbikëqyrje diçka, për të mos thënë që është jo profesionale e thënë nga kryeministri por pa thënë se ku janë gjetur dhe të dhëna të tjera të bindshme.

Kultivimi i drogës bëhet në masë më të mëdha. Janë përfshirë mijëra vetë në këtë lloj biznesi kriminal por kontrolli i kësaj bëhet nga pak duart, bëhet nga 15 duar maksimumi. Janë 15 njerëz të rëndësishëm, disa mbase në Parlament dhe në Parlamentin e sotëm, të cilat kontrollojnë trafikun e drogës dhe kontrollojnë këta njerëz të cilët janë të përfshirë në terren. I ka informacionet policia dhe qytetarët e dinë këtë. Është naive ta mendosh që policia nuk i identifikon dot këta.

Kjo bëhet veçse për fasadë, për të treguar gjoja ka një luftë ndaj drogës, fenomenin e së cilës kryeministri nuk e pranonte deri para një viti.

Rama nuk pranonte kultivimin kaq masiv të drogës dhe në shkallë kaq të përhapur dhe tani po bën një shou sikur po merret me diçka.

Ndërkohë që po e ritheksoj që lufta reale bëhet për të pasur nën kontroll drogën pasi çmimi i kanabisit ka rënë dhe qeveria do që ta mbajë nën kontroll, së bashku me bandat e organizuar.

Ndërkohë që për fasadë do t’i tregojë partnerëve ndërkombëtarë, të cilët me ç’thuhet kanë ndërhyrë edhe për largimin e ish-ministrit të Brendshëm, se po lufton kanabisin”.

Show More

Related Articles