Kuriozitete

“Shpella e Piratëve” në Dhërmi, vendi ideal për frymëzim

Është quajtur e tillë, pikërisht prej faktit sepse në brendesi të saj strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre të lehta.

“Shpella e Piratëve” ka një gjatësi mbi 30 m dhe një pjerrësi graduale. Gjerësia e kësaj shpelle është mbi 8 m, ndërsa lartësia arrin në mbi 10 – 12 m.

Me një pamje e dukshmëri të mahnitshme, me shkëmbinj valëpritës, një vend krejt i veçantë shkëmbor metaforik me kodrat harlisur sipër tyre, shtrihet në pjesën fundore të kodrinës ku ndodhet Μanastiri i “Shën Todhrit”.

Në pamje të parë, shquhet dukshëm, një bllok shkëmbor në formën e një kolone, e cila ndikon në ndarjen e pjesës hyrëse të saj, në dy pjesë të veçanta.

“Shpella e Piratëve”, e rrethuar prej ujërave të kristalta të Jonit kaltërosh, e kombinuar me shumëllojshmërinë e jetës detare që ekziston në këtë vend magjik e krejt të vecantë, me perëndime të mrekullueshme e magjike të diellit, me shkëmbinj ngjyrë “gri” dhe harmonizuar ngjyrën “blu” të detit Jon.

Një atraksion i krijuar prej një bukurie natyrore të “egër” duke e bërë atë një vend ideal për frymëzim dhe krijim, për relaks, adhurim e mahnitje, nje vendndodhje ideale unike e bukurisë natyrore nga më mbresëlënëset, për të shijuar ujërat e Jonit.

Një imazh ideal që plotëson vargun e pasurive dhe margaritarëve magjikë të natyrës tërheqëse të Dhërmiut.

Mundësia eventuale për të plotësuar dëshirën e vizitës tek Shpella piktoreske e Piratëve realizohet me lehtësi duke shkuar me varkë nga plazhi i Dhërmiut ose ai i Jalit.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm