Sport

Shqipëria e Panuccit e nis me fitore, vendi i tretë me 12 pikë në grup!

Nga fitorja në Izrael në Qershor e kombëtares kuqezi, sot në suksesin e radhës, këtë radhë në “Elbasan Arena”. Tre pikë, dhe vendi i tretë i pacënuar dhe një debutim me pikë të plota për trajnerin e kuqezinjve, Christian Panuccin. Në “Elbasan Arena”, Lihtenshtejni i rreshtuar mirë në fushën e lojës bëri gjithçka për ta penguar Shqipërinë në rrugën drejt fitores, edhe pse nuk arriti, pasi në minutën e 53-të të ndeshjes, kur pas disa sulmeve rresht, Roshi pati fatin për të qenë në vendin dhe momentin e duhur duke e devijuar topin në rrjetë, ndërsa kapiteni Ansi Agolli shtoi një perllë me të djathtën në ndeshjen e tij të 70 me fanellën e Kombëtares.

Një fitore që evidentoi edhe një herë karakterin e fortë të kësaj skuadre që nuk dorëzohet kurrë. Panucci e nisi ndeshjen me një formacion sulmues. Lllullaku në qëndër të sulmit i mbështetur nga dyshja Roshi-Grezda u vendosën në fazën e avancuar, ndërsa Mamushaj, Basha e Abrashi formuan treshen e mesfushës me katërshen klasike Mavraj, Ajeti, Hysaj e Agolli në mbrojtje përpara Etrit Berishës.  Goli do të vijë vetëm në pjesën e dytë, ku në të 53-tën, goditja e këndit e grushtuar nga portieri kundërshtar përfundoi në këmbët e Bashës që e kalibroi të djathtën drejt portës, ndërsa Roshi me një prekje magjike zhbllokoi ndeshjen.

Një gol me shumë peshë që e ndihmoi Shqipërinë të përshkonte rrugën e saj. Memushaj, një motor i vërtetë mori sërish inisiativën  me një krosim të rrezikshëm, ndërsa Agolli testoi të djathtën me një tentativë të gabuar.

Kukeli për Memushajn i dha më shumë muskuj mesfushës por kuqezinjtë nuk e hoqën këmbën nga gazi. Super Ansi Agolli shënoi ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij në të 78-ën. Cepi i majtë i Peter Jehle u gjet saktësisht nga kapiteni në ndeshjen e tij të 70-të me fanellën kuqezi. Me këtë fitore, kombëtarja ngjitet në kuotën e 12 pikëve në Grupin G dhe përgatit e qetë udhëtimin drejt Strumicës , ku të martën në orën 20:45, kuqezinjtë e Christian Panuccit premtojnë një tjetër 90 minutësh të luftuar, me shumë kurajo dhe guxim.

Show More

Related Articles