Opinion

Si zgjidhen punët sot..?

Si zgjidhen punët sot..?

Ndoshta brezi i 25 a 30 vjeçarëve të sotëm nuk e dinë apo nuk e kanë të qartë, se dikur në fëmijërinë apo mosqenien e tyre, punët zgjidheshin kollaj. Mjaftonte vetëm një direktivë, porosi apo telefon nga lart dhe pa as më të voglin diskutim, çeshtjet kishin marrë fund Hierarkia e përgjegjësisë dhe e pushtetshmërisë ishte e plotfuqishme. Eprori, ishte firma dhe vula. Eprori i eprorit, po ashtu. Dhe i madhi i eprorëve, ishte Zoti… Dhe punët zgjidheshin edhe me dy gisht letër, edhe me një fjalë apo dhe me një telefon, mjaft që të thoshte Shefi. Për mirë apo për keq, lëmshi shtjellohej.

… Kështu ka ndodhur atëherë, në atë kohë që brezi i sotëm i 25 a 30 vjeçarëve nuk e dinë apo nuk e kanë të qartë. Por ama për kohën sot që po jetojmë, dinë shumë gjëra siç dimë edhe ne. Dinë shumë mirë, që për një shkollë të mirë duhet më shumë para sesa mendje. Për një vend pune, duhet një mik i pushtetshëm sesa nje shkollë e mirë. Dhe për një karrierë në shtet a në politikë, duhet një mbështetje e ngrohtë e Shefit të shefave…

E di shumë mirë se ç’duhet sot, ky brezi i 25 a 30 vjeçareve, siç e dimë të gjithë ne.

Por nuk e dinë që kjo metodë është e njejtë, për të mos thënë më keq me të atyre kohërave, që ata nuk e kanë njohur. Është e njëjta mënyrë, e njëjta psikologjj, të njëjtat marifete. Dominimi i plotefuqishmërisë së njëshit.

…Njëlloj si dikur, në s’pastrime të mëdha, iniciativat merren nga poshtë… Për qëllime gjoja “madhore” të interesave, gjoja “kombëtare”, ujdisen, sajohen dhe përgatiten të gjitha mjetet që i justifikon qëllimi. Ç’bëhen dhe ribëhen ligje, dekrete, urdhëra… Ngrihen apo shkatërrohen biznese, institucione dhe vlera…Nëpërkëmben apo lartësohen ndere, morale dhe ndjenja… Njëlloj si dikur nëpër aktive, konferenca apo pleniume, zhvillimet, dënimet dhe rezultatet dihen që më parë sepse direktivat, porositë dhe urdhërat janë dhënë nga lart. Të gjithë e dinim fundin e mocionistëve të PD apo fraksionistëve të PS që më parë…siç dimë, që edhe “dëgjesat publike” nuk ka veshë që i dëgjon…

…E pra, shumica e dinë…por brezi i 25 a 30 vjeçarëve të sotëm duhet ta mësojë, se edhe sot të gjitha punët zgjidhen njëlloj si dikur, në atë kohën që ata nuk e kanë njohur, vetëm me një direktivë, porosi apo telefon nga lart…

Nga Genc Demiraj

Më shumë

Artikuj të ngjashëm